Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok është pretenduar për pamje të kryeministrit aktual Albin Kurti dhe ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë luftës së Kosovës.
Publikimi u bë nga llogaria “portali_lajmora” më 23 dhjetor 2024.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Hibrid.info pati verifikuar këto pamje në një pretendim të ngjashëm të tetorit të vitit 2022. Nga hulumtimi pati gjetur se pjesa e pamjeve me pretendimin për Kurtin janë bazuar në një video të publikuar më 2 tetor 2021 nga një kanal në YouTube, që mban emrin “Serbian Mapper”. Në video shfaqen imazhe të Prishtinës të 23 shkurt të vitit 1997 dhe 11 mars të po atij viti.
Lufta në Kosovë, bazuar në raportet ndërkombëtare, zyrtarisht konsiderohet të ketë filluar nga data 28 shkurt 1998, atëkohë kur forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe kishin nisur sulmet në dy fshatrat Qirez dhe Likoshan, ndërsa më 5 mars kishin vrarë 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. (shih këtu raportin e Human Rights Watch në faqen 40). Pra ka dallim kohor prej gati një vit prej kur pretendohet të jenë pamjet, dhe nga datat që shihen në videon e publikuar në YouTube.
Në videon e gjatë afro 30 minuta në YouTube, përveç ambientit brenda kësaj kafeneje, paraqiten edhe imazhe tjera të Prishtinës së asaj kohe. Imazhet në pamje janë jo mirë të qarta dhe publikuesi në TikTok nuk ka ofruar ndonjë fakt mbështetës që e argumenton pretendimin.
Biografia e Kurtit për periudhën e pretenduar por edhe atë të luftës, sipas publikimit në “kryeministri.rks-gov.net”:
“Albin Kurti iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme, për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.
Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001”.
Analiza:
Pretendimi se një video e shfaq kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti, në një kafene gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk është i saktë.
Përderisa videoja është me pamje jo mirë të qarta, publikuesi “portali_lajmora” në TikTok nuk ka ofruar argumente se bëhet fjalë për Kurtin.
E pas verifikimit të fakteve është gjetur se videoja është realizuar në vitin 1997, ndërsa sipas të dhënave lufta në Kosovë ka nisur një vit më pas. Pra videoja s’është e kohës së luftës.
Hibrid.info e vlerëson publikimin si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.



