info@hibrid.info
PDK nuk ka kërkuar ndaljen e shtesave për lehonat dhe as dërgimin e vendimit në gjykatë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh ku shfaqet Eliza Hoxha, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me mbishkrimin që pretendon se ajo e ka vlerësuar si të kundërligjshëm vendimin e 5 qershorit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e shtesave për lehonat.

Kjo fotografi është publikuar (5 qershor) në Facebook nga një llogari me emrin “Fleta Press”, me përshkrimin që pretendon se PDK me anë të deputetes Hoxha janë shprehur kundër rritjes së shtesave për nënat lehona duke kërkuar që këto shtesa duhet të ndalen sa më parë ose vendimi do të dërgohet në instanca gjyqësore.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se në fakt PDK nuk janë deklaruar se do të dërgojnë vendimin për rritjen e shtesave në ndonjë institucion gjyqësor.


Postimi ka nxitur ndërveprim, duke grumbulluar mbi 40 komente, të cilat sugjerojnë se shumica e lexuesve e kanë perceptuar përmbajtjen si të vërtetë.

Hibrid.info ka bërë kërkim përmes motorit të kërkimit “Google”, për një deklaratë të mundshme nga deputetja Hoxha lidhur me këtë çështje.

Rezultatet e kërkimit konfirmojnë se deklarata e Hoxhës, e paraqitur në mbishkrimin e fotografisë, është e saktë (shih këtu).

Artikujt e gjetur tregojnë se lajmi buron nga një postim i deputetes Hoxha në Facebook, i datës 5 qershor (shih këtu).

Postimi i Eliza Hoxhës në Facebook

“Qeveria në detyrë i ka kompetecat e limituara që mundësojnë vetëm funksionet teknike brenda kornizës buxhetore të miratuar vitin e kaluar në Kuvend.

Le të kuptohemi drejt se askush nuk është kundër që mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët të mos bëhet.

Por vendimi i sotëm është i jashtëligjshëm edhe në kuptimin e kompetencës e edhe si shumë buxhetore totale.

Është e pakuptimtë dhe e papranueshme se si një njeri i cili ka më së shumti mandate të fituara në zgjedhjet e fundit dhe ka mundësi ta bëjë qeverinë e të jetë kryeministër me kompetenca të plota parapëlqen dhe vazhdon të rrijë kryeministër në detyrë ilegalisht dhe deputet njëkohësisht.

Kjo është pyetja që duhet ta shtjellojmë…”


Bazuar nga fjalia e tretë e tij e këtij postimi, konfirmohet se Hoxha e ka cilësuar vendimin e marrë nga Qeveria si të jashtëligjshëm.

Megjithatë, në asnjë pjesë të statusit, Hoxha nuk ka deklaruar drejtpërdrejt dhe as ka nënkuptuar se vendimi në fjalë do të kundërshtohet në organet gjyqësore përkatëse, siç pretendohet në përshkrimin e përmbajtjes së publikuar nga llogaria “Fleta Press”.

Madje, Hoxha në fjalinë e dytë, shprehimisht e thekson se nuk janë kundër mbështetjes së shtetit për lehonat dhe fëmijët.

Çka do të thotë se PDK nuk janë shprehur kundër rritjes së shtesave për nënat lehona dhe as kanë kërkuar që këto shtesa duhet të ndalen sa më parë.

Për të konfirmuar më tej nëse qëndrimi i pretenduar vjen nga PDK, hibrid.info ka verifikuar burimet zyrtare te informimit nga ky subjekt, si faqet në Facebook të PDK-së dhe atë të Memli Krasniqit, liderit të partisë (shih këtu dhe këtu).

Në përmbajtjet e publikuara në faqet përkatëse nuk gjendet asnjë reagim, as pro e as kundër këtij vendimi.

Duke qenë se nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës ndan shtesa për këtë kategori, hibrid.info ka kërkuar përmes motorit të kërkimit “Google” për të gjetur një qëndrim të mëparshëm nga PDK lidhur me këtë vendim, por rezultatet e gjetura nuk tregojnë që partia më e madhe opozitare nga legjislacioni i kaluar të jetë shprehur kundër (shih këtu).


Analiza

Pretendimi se deputetja Eliza Hoxha dhe PDK janë shprehur kundër rritjes së shtesave për lehonat dhe do ta dërgojnë vendimin në gjyq është i pavërtetë.

Hoxha e ka cilësuar vetëm vendimin si të jashtëligjshëm, por nuk ka përmendur kundërshtimin e tij në gjykatë, ndërsa PDK nuk ka dhënë asnjë qëndrim zyrtar kundër rritjes së shtesave.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others