[email protected]
Përmes fotografive të fëmijëve rusë që paraqiten rrejshëm si shqiptarë, kërkohet ndihmë financiare për shërim
shape
shape
shape

Llogaria me emrin “Rena Capo” ka postuar një shkrim në hapësirën e vet në Facebook, ku pretendohet se autori/ja e publikimit është nëna e një foshnje 5 muajsh të sëmurë, e cila ka nevojë për operim.

Të njëjtin shkrim e ka publikuar me datë 19 janar edhe në grupin publik në Facebook me emër “Shqiptaret ne Londer”, në postimin e shoqëruar edhe me fotografi të foshnjës, kërkohet ndihmë financiare në realizimin e operacionit.

Duke u nisur nga dyshimi se në postim nuk shfaqet xhirollogari bankare për ndihmën financiare, e as informata tjera, hibrid.info ka hulumtuar dhe ka arritur të gjejë identitetin real të foshnjave të shfaqura në dy nga fotografitë e publikuara, me anë të cilave pretendohet të paraqitet foshnja në fjalë.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, u vërtetua se janë përdorur fotografitë e fëmijëve rusë për t’i paraqitur rrejshëm si shqiptarë.


Vegëza e postimit të publikuar nga llogaria “Rena Capo”, e shpërndarë në grupin “Shqiptarët ne Londer” në Facebook:

https://www.facebook.com/groups/1754956111454803/posts/3862141810736212/


Ndonëse autori/ja e ka arsyetuar mungesën e xhirollogarisë duke pretenduar se gjendet në spital, mos paraqitja e xhirollogarisë në raste të tilla, lë vend për dyshime.

Për ta vërtetuar autenticitetin e publikimit, hibrid.info me anë të makinave të kërkimit ka hulumtuar dhe ka gjetur identitetin real të foshnjave të paraqitura në dy prej fotografive të publikuara në postim (shih këtu dhe këtu).


Në bazë të të dhënave për foshnjat, fotografitë e të cilave janë gjetur të publikuara në instagramin e një fondacion bamirës (shih këtu), në kuadër të mbledhjes së fondeve për shërimin e tyre, janë nga Rusia.

Dy fotografitë tregojnë dhe dëshmojnë identitetin e ndryshëm të foshnjave të paraqitura dhe datojnë nga që nga viti 2020/21, gjë e cila bie ndesh me pretendimin e ngritur nga llogaria “Rena Capo” në Facebook.

Po ashtu për ta sqaruar edhe më shumë, hibrid.info ka gjetur ueb-faqen e fondacionit bamirës me veprim në Rusi me emrin “Vera v detstvo” (shih këtu).


Duke hulumtuar edhe më shumë në lidhje me këtë postim të publikuar nga llogaria “Rena Capo”, hibrid.info ka arritur të gjejë se i njëjti pretendim qarkullon në internet që nga data 3 mars 2021, që atëkohë ishte publikuar në grupin publik në Facebook “Lajme nga Bota”. (shih këtu)


Hibrid.info edhe më herët e ka trajtuar këtë postim të bërë nga llogaria “Rena Capo” me datë 27 korrik 2023, e që atëherë ishte postuar në një grup tjetër publik në Facebook të quajtur “DIASPORA KOMBËTARE E SHQIPTARISË”. (shih këtu)


Analiza:

Bazuar në verifikimin e fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se një llogari në Facebook ka publikuar një postim ku kërkohet ndihmë financiare për një foshnje të sëmurë që paraqitet si shqiptarë, duke përdorur fotografi të foshnjave nga Rusia.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto postime si “Mashtrim”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others