Shkroi: Festim Rizanaj
Subjekti politik Lista Serbe njoftoi se më 25 janar persona të panjohur hodhën një koktej molotovi para shtëpisë së aktivistes Aleksandra Popoviq në Ranillug, komunë me shumicë serbe në juglindje të Kosovës. Ky mjet shpërthyes goditi makinën familjare të Popoviqit, duke e djegur plotësisht.
Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se ky akt është kryer me qëllim që të frikësohen anëtarët e Listës Serbe në komisione, duke i detyruar të tërhiqen nga qendrat e votimit dhe kështu t’i hapet rrugë manipulimeve zgjedhore nga Albin Kurti.
Edhe Lista Serbe pretendon se sulmi ndaj veturës së Aleksandra Popoviqit është motivuar politikisht për të frikësuar anëtarët e saj dhe favorizuar partitë e tjera.
Në mediat serbe u pretendua se është realizuar një “sulm i ri shqiptar ndaj Kosovës”, duke u referuar sulmit me koktej molotovi që u hodh para shtëpisë së një anëtareje të Listës Serbe. Titulli “Novi šiptarski napad na Kosovo: Bacili ‘molotovljev koktel’ na kuću članice Srpske liste” i referohet aktit të dhunshëm të ndodhur në Ranillug, i cili është paraqitur si një përpjekje për të frikësuar përfaqësuesit e Listës Serbe.

Një pretendim i tillë nuk mbështetet me prova konkrete, ndërsa kryerësit e aktit në Ranillug mbeten të panjohur.
Çka pretendoi Petar Petkoviq dhe Lista Serbe?
Dy shishe me koktej molotovi u hodhën drejt veturës së Aleksandra Popoviq, anëtare e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) nga Lista Serbe në Ranillug, duke shkaktuar djegien e saj.
Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, deklaroi se sulmi me eksploziv ndaj shtëpisë së një anëtari të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) nga Lista Serbe në Ranillug pasqyron “frikën dhe nervozizmin e Prishtinës për shkak të unitetit serb dhe fitores së pritshme të SL”. Ai pretendoi se këto veprime synojnë frikësimin e përfaqësuesve të SL për t’i larguar nga procesi zgjedhor, duke i hapur rrugë manipulimeve të Albin Kurtit. (këtu)

Lista Serbe ka lidhur rastin me zgjedhjet, duke pretenduar se shpërthimi që dogji veturën e familjes së Popoviqit ishte një akt i motivuar politikisht. “Ky është padyshim një sulm që synon frikësimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore të Listës Serbe, me qëllim largimin e tyre nga monitorimi i procesit zgjedhor dhe favorizimin e partive të tjera – favoritëve të Prishtinës”, thuhet në deklaratën e SL. (këtu)
As Petar Petkoviq dhe as Lista Serbe nuk ofrojnë ndonjë provë për të mbështetur pretendimin se rasti i ndodhur në Ranillug ka lidhje me zgjedhjet.
Çka thanë Prokuroria dhe Policia lidhur me rastin?
Për më tepër, prokurori kujdestar Agron Uka ka thënë për media se dyshohet se dy shishe molotovi janë gjuajtur në drejtim të veturës së një anëtares. “Dy shishe me koktej molotovi janë gjuajtur në drejtim të veturës së një anëtareje të komisionit zgjedhor. Ka mundësi që i dyshuari ka pësuar djegie, jemi në kërkim të provave”.
Po ashtu, për rastin është raportuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës: “Ranillug / 25.01.2025 – 20:35. Raportohet se persona të panjohur i kanë vënë flakën një veture me targa të Serbisë. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar”.
Pra, bazuar në raportin e Policisë, nuk raportohet për kryesit dhe motivet e veprës, duke theksuar se rasti është duke u hetuar.
Analiza:
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, njoftoi se më 25 janar, persona të panjohur hodhën një koktej molotovi para shtëpisë së aktivistes së saj, Aleksandra Popoviq, në Ranillug.
Sipas Listës Serbe, ky mjet shpërthyes goditi makinën e familjes Popoviq, duke e djegur plotësisht.
Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, deklaroi se ky akt kishte për qëllim frikësimin e anëtarëve të Listës Serbe në komisione dhe pengimin e tyre të monitoronin zgjedhjet, siç tha ai, për t’i hapur rrugë manipulimeve zgjedhore nga Albin Kurti.
As Petar Petkoviq, as Lista Serbe nuk kanë ofruar prova që mbështesin pretendimin se rasti në Ranillug është i lidhur me zgjedhjet. Policia ka theksuar se rasti është nën hetime dhe ende nuk dihen kryesit dhe motivet e aktit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.