[email protected]
Pranvera nuk e gjen Prishtinën me biçikleta, ashtu siç kishin deklaruar zyrtarët komunalë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Për ardhjen e biçikletave të qytetit në Prishtinë, kishte njoftuar më 5 dhjetor të vitit 2023, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, në llogarinë e tij në Facebook.

Në këtë njoftim, Zogaj kishte paralajmëruar montimin e stacioneve gjatë javëve në vijim, kurse sipas të njëjtit, biçikletat do të jenë të gatshme për përdorim, në pranverë.

Më specifik në parashikimin e realizimit të këtij premtimi, ishte drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, i cili ka deklaruar se muaji mars do të jetë koha kur do të përmbyllet projekti.

Por, pas kontrollit nga hibrid.info, është vërtetuar se që nga ardhja e biçikletave, nuk është parë ende asnjë rezultat konkret, që i bën ato në dispozicion për shfrytëzim nga qytetarët.


Analiza:

Fillimisht, hibrid.info ka gjetur se për këtë projekt, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, kishte treguar në një status të tij, të publikuar më 4 tetor (2022) në llogarinë e tij në “X” (ish-Twitter) (këtu).


Statusi i Alban Zogajt në X:

“Dutch Cycling Embassy janë në Prishtinë këtë javë, për të na ndihmu në dizajnimin e sistemit të parë të biçikletave të qytetit. Prishtina do të bëhet me biçikletat e veta, të cilat do të kemi mundësi t’i shfrytëzojmë të gjithë. Kemi ndarë edhe buxhet për këtë projekt!”


Ndërsa nëpërmjet hulumtimit përmes makinave të kërkimit, hibrid.info e ka gjetur statusin tjetër të publikuar nga nënkryetari Zogaj, në llogarinë e tij në Facebook, ku me 5 dhjetor (2023), ai njoftonte për ardhjen e biçikletave, të cilat pas montimit të stacioneve në javët e ardhshme, do të jenë të gatshme për përdorim në pranverë (shih këtu).

Statusi i Alban Zogajt në Facebook:

“Biçikletat e Qytetit sot kanë arritur në Prishtinë! Gjatë javëve të ardhshme do të bëjmë montimin e stacioneve, kurse në pranverë do të jenë gati për përdorim!”


Pajisjen e kryeqytetit me biçikleta po e cilësonte si projekt të realizuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, në videon e fundvitit të publikuar më 29 dhjetor të vitit të kaluar të gjetur nga kërkimet e hibrid.info (shih këtu).


Por hibrid.info ka vërtetuar, nga një deklaratë e drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, në emisionin e “038”, të datës 1 mars, i cili transmetohet në “Kohavision”, se 3 muaj pas njoftimit të nënkryetarit Zogaj, montimi i stacioneve të biçikletave, nuk ishte realizuar (shih këtu).

Sipas Brestovcit, i gjithë projekti i biçikletave si tërësi, do të përfundonte brenda muajit mars.


Pas kërkimit për njoftimet e fundit në llogaritë e kryetarit Përparim Rama (këtu), nënkryetarit Alban Zogaj (këtu) në Facebook, në uebfaqen e Komunës së Prishtinës (këtu) si dhe në hulumtimin me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët kyçe “biçikletat e qytetit prishtinë”, është gjetur nuk ka ende asnjë informacion që konfirmon nisjen e montimit të stacioneve apo edhe përfundimin e projektit në muajin mars (shih këtu).


Përfundimi:

Projekti i biçikletave të qytetit i paralajmëruar në vitin 2022 dhe i premtuar se do të përfundojë në pranverën e vitit 2024, ende nuk është përmbyllur.

Hibrid.info nuk ka gjetur fakte që vërtetojnë se projekti ka nisur së realizuari ndonëse biçikletat kanë ardhur.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin ende të këtij projekti, si mbajte e pjesshme e premtimit.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajte e premtimit (nëse ai mbahet), mbajte e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).

Share With Others