[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformatë se Kurti është takuar me peshkopin Teodosije, mashtrim për organizim të kurseve falas, lajme të rreme për armatosjen e FSK-së
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Dezinformatat janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Dezinformatat u publikuan në media sociale (Facebook dhe TikTok) në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe (Telegram). Në Tiktok u publikuan pretendimet se Gjermania nga 16 shtatori do të mbyll kufijtë me të gjitha vendet; se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë apel te të gjithë qytetarët e Kosovës që janë mbi 18 vjeç, t’i bashkëngjiten ushtrisë, pasi pritet të ketë destabilizim në Ballkan. Në Facebook u publikuan pretendimet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Beograd me peshkopin e dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije; se shteti gjerman po mobilizohet pas kërcënimeve në rritje luftë-nxitëse nga Rusia; se një veturë me targa të Kosovës ka aksidentuar veturën tjetër duke e shtyrë nga rruga. Në Telegram në gjuhën serbe është publikuar pretendimi i rremë se një qytetar serb në Mitrovicë është dënuar nga Policia e Kosovës (PK) me 500 euro gjobë, pasi i njëjti ka filmuar arrestimin e disa të rinjve serbë.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale (Facebook dhe TikTok) në gjuhën shqipe. Në Facebook u publikua pretendime për pozicionim të snajperistëve të Policisë së Kosovës në veri dhe për shtim të numrit të policëve në atë pjesë. Ndërsa në TikTok, u publikua pretendimi se Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë shtuar 60 tanke AVC-15; pretendimi për arrestimin e disa personave të komunitet serb dhe konfiskimin e armatimit të rëndë, në veri të vendit, më saktësisht në afërsi të kufirit me Serbinë.

Mashtrim janë vlerësuar publikimet për një postim me pretendimin se nga 10 shtatori, Kosova ofron kurse online falas për të gjithë qytetarët; një mesazh (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës me pretendimin se dërguesi është Posta e Kosovës; publikim që pretendon se nga shtatori fillon aplikimi për subvencionimin e energjisë elektrike.

Clickbait artikujt janë publikuar në media lidhur me aksidentet tragjike dhe shpërthime në qendër të qyetit, por që nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull, duke lënë hapësirë për keqinformim.

Përmbajtje e paverifikuar është vlerësuar një imazh i publikuar në media sociale që shfaq një vilë me pretendimin se duke u bazuar në të dhënat e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ajo gjendet në Selanik dhe i përket Dejona Mihalit, koordinatores për komitete brenda Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Teori konspirative është vlerësuar pretendimi pa fakte i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, se rrahja dhe grabitja e një qytetari serb në një fshat të Lipjanit, është kryer nga tre persona shqipfolës dhe se kjo vepër është pasojë e politikës antiserbe dhe dhunës institucionale të kryer nga Prishtina dhe Albin Kurti.

Lajm i rremë

Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar për pozicionim të snajperistëve të Policisë së Kosovës në veri dhe për shtim të numrit të policëve në atë pjesë. Sipas pretendimit, të gjitha këto janë bërë pas kërcënimeve nga Beogradi për luftë. “Lajmi Fundit: Pas kërcënimeve nga Beogradi për luftë, Policia e Kosovës i pozicionon snajperistët në veri të Kosovës dhe numër i madh policor shtohen në atë pjesë”, është përshkrimi që faqja “Lajme Nga Bota” e ka shoqëruar me një fotografi të një polici të Kosovës. Postimi u bë më 13 shtator. Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia e përdorur në këtë publikim është e vjetër. Pretendimi se Policia ka shtuar forcat në veri është i pabazuar në fakte. (këtu)

Publikohet një video-material që shfaq pamje të një tankeve me emrin AVC-15, për të cilin pretendohet se Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë shtuar 60 të tilla. Kjo përmbajtje është publikuar (17 shtator) në TikTok nga një llogari me emrin “mezatarum”. Hibrid.info ka gjetur se një pretendim i tillë nuk konfirmohet nga burimet zyrtare. (këtu)

Është publikuar një video-material me mbishkrimin, që pretendon se për arrestimin e disa personave të komunitet serb dhe konfiskimin e armatimit të rëndë, në veri të vendit, më saktësisht në afërsi të kufirit me Serbinë. Video e publikuar (18 shtator) nga llogaria në TikTok me emrin “mtrks25”, shfaq pamje të forcave ushtarake e policore dhe pretendon se ky aksion është kryer nga njësia speciale dhe forcat turke. Hibrid.info ka vërtetuar se nuk ka konfirmim zyrtar për një operacion të tillë dhe se në videon në fjalë shfaqen pamje nga Turqia. (këtu)

Dezinformatë

Publikohet një video-material me mbishkrimin që pretendon se Gjermania nga 16 shtatori do të mbyll kufijtë me të gjitha vendet. Kjo përmbajtje është e publikuar (15 shtator) në TikTok nga një llogari me emrin “elementistudio”. Nga audio e këtij materiali kuptohet se bëhet fjalë për zbatimin e një vendimi të shtetit gjerman, i cili rrit kontrollet përgjatë kufirit me të gjitha vendet. (këtu)

Pretendohet se një qytetar serb në Mitrovicë është dënuar nga Policia e Kosovës (PK) me 500 euro gjobë, pasi i njëjti ka filmuar arrestimin e disa të rinjve serbë. Në këtë postim pretendohet se ky qytetar ka refuzuar të tregojë dokumentet personale dhe se ishte në gjendje të dehur, e që policët i kanë marrë telefonin dhe ia kanë fshirë pamjet e filmimit që shfaqnin momentin e arrestimit të disa të rinjve serbë. Ky pretendim u postua në median sociale Telegram nga llogaritë në gjuhën serbe “БУНТ је стање духа” (REBELIONI është një gjendje shpirtërore) dhe “БУНКЕР” (BUNKER). Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në fotografinë ku shfaqet dokumenti (gjoba), nuk specifikohet se dënimi ndaj këtij qytetari është bërë pas filmimit të momentit të arrestimit të disa të rinjve serbë. (këtu)

Përmes disa fotografive, është ngritur pyetja se “Çka kërkon Albin Kurti në takim të fshehtë në Beograd me Peshkopin Teodosije?”. Ky postim u publikua (17 shtator) në Facebook nga faqja “RTK ti kthehet popullit”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është takuar fare me peshkopin e dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije. Mirëpo, në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se Kurti është takuar në Prishtinë me mitropolitin e Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq, takim në të cilin ishte edhe ish-udhëheqësi i Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak. (këtu)

Përmes një postimi pretendohet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë apel te të gjithë qytetarët e Kosovës që janë mbi 18 vjeç, t’i bashkëngjiten ushtrisë, pasi pritet të ketë destabilizim në Ballkan. Ky pretendim u publikua me 15 shtator në TikTok nga llogaria me emrin “blerimahmedi”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se një thirrje e tillë nuk është bërë nga FSK-ja. (këtu)

Është publikuar një video-material me pamje të makinave ushtarake, të cilat interpretohen se mobilizim i shtetit gjerman pas kërcënimeve në rritje luftë-nxitëse nga Rusia. Kjo përmbajtje është publikuar (19 shtator) në Facebook nga një faqe me emrin “Lajme Nga Bota”. Gjetjet e hibrid.info tregojnë se pamjet e shfaqura, tregojnë pamje nga Zvicra. (këtu)

Përmes një videoje të publikuar, pretendohet se një veturë me targa të Kosovës ka aksidentuar veturën tjetër duke e shtyrë nga rruga. Ky postim u publikua në Facebook nga faqja “JOQ News” me datë 20 shtator. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi është i rremë. Vetura që shkaktoi aksidentin nuk posedon targa të Kosovës, por të Austrisë. (këtu)

Mashtrim

Në median sociale Instagram është publikuar një postim me pretendimin se nga 10 shtatori, Kosova ofron kurse online falas për të gjithë qytetarët të cilët pas përfundimit do të pajisen me certifikatë dhe do ju ofrohet mundësi punësimi. Ky postim u gjet i publikuar në Instagram nga faqja “Educar”, e cila është e hapur edhe në Facebook me të njëjtin emër. Në këtë postim ofrohet një vegëz (link) e cila pasi të hapet ofron mundësi klikimi në disa linqe tjera, por që asnjëra nga to nuk ofron kurse falas në Kosovë. Po ashtu, kjo ueb-faqe rezulton të jetë me besueshmëri të ulët dhe vlerësohet si e dyshimtë. (këtu)

Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin, që pretendon se nga shtatori fillon aplikimi për subvencionimin e energjisë elektrike. Ky postim është publikuar përmes një vegëze në formë imazhi, e publikuar (12 shtatori) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “Happy shopping”, në Facebook. Hibrid.info ka gjetur se e vetmja mundësi për rimbursim faturash të energjisë elektrike, është ajo e aplikimit për familjet e cënueshme, të cilat kanë filluar të subvencionohen që nga janari i këtij viti. (këtu)

Një mesazh (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës me pretendimin se dërguesi është Posta e Kosovës. “Pakoja juaj ka mbërritur në depon tonë. Nuk mund të dorëzojmë sepse informacioni i adresës është i pasaktë”, shkruan në këtë SMS, duke bërë thirrje që të klikohet një vegëz për t’i përmirësuar të dhënat e adresës. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky SMS është dërguar përmes një email adrese “[email protected]”. Po ashtu, vegëza e paraqitur në këtë SMS “bb2-xyhrch.top/post”, pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, rezultoi të jetë e dyshimtë. (këtu)

Clickbait

“Aksident tragjik/ Përmbyset autobusi, humbin jetën 10 persona, plagosen 36 të tjerë”, mban titullin një postim i publikuar në Facebook. Ky postim u publikua (18 shtator) në Facebook nga faqja “Albeu.com”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Vetëm pas klikimit të vegëzës që ofrohet në komentin e postimit, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Iran. (këtu)

U publikua një artikull i titulluar “Hidhet në erë dyqani në qendër të qytetit”. Kjo përmbajtje është publikuar (18 shtator) në mediumin online në gjuhën shqipe “kosova-sot.info”. Titulli është përgjithësues që nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja e lajmit bëhet e ditur vetëm në hyrje të artikullit kur thuhet se “Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në qendër të Këlnit, në një dyqan veshjesh…”. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Është publikuar një imazh që shfaq një vilë me pretendimin se duke u bazuar në të dhënat e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ajo gjendet në Selanik dhe i përket Dejona Mihalit, koordinatores për komitete brenda Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Kjo përmbajtje është publikuar dje (18 shtator) në TikTok nga llogaria që mban emrin “gazetaditore”. Hibrid.info e ka hulumtuar pretendimin dhe ka gjetur se i njëjti nuk është i mbështetur në fakte. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar pa fakte se rrahja dhe grabitja e një qytetari serb në një fshat të Lipjanit, është kryer nga tre persona shqipfolës dhe se kjo vepër është pasojë e politikës antiserbe dhe dhunës institucionale të kryer nga Prishtina dhe Albin Kurti. I njëjti pretendim pa ofruar fakte, është publikuar edhe në disa media në gjuhën serbe. Në raportin 24 orësh të lëshuar nga Policia e Kosovë, në lidhje me këtë rast, është raportuar se rasti është duke u hetuar. Ky institucion nuk ka dhënë detaje për përkatësinë etnike të kryerësve të kësaj vepre. Pra, ende nuk dihet qëllimi dhe kryesit e saj. (këtu)

Share With Others

Translate »