info@hibrid.info
Pretendim pa fakte se Ambasadori gjerman Rohde u shkarkua
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në një artikull të publikuar nga faqja “Gunpowder Chronicles” (arkivuar) është ngritur pretendim i pabazuar se Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, është shkarkuar nga pozita e tij.

Autorët e artikullit të platformës Gunpowder Chronicles që, në bazë të seksionit “rreth nesh” të faqes quhet si pronësi e “VX media”, pretendimin e ngritur nuk e argumentojnë me ndonjë të dhënë faktike.

Për më tepër, ky pretendim hedhet poshtë nga pala e përfolur në artikull (Ambasada e Gjermanisë në Kosovë) duke dhënë qëndrimin e tyre zyrtar i cili është tërësisht i ndryshëm.

Në një përgjigje për Hibrid.info, nga ky mision diplomatik thonë se mandati i rregullt i ambasadorit Rohde “do të kishte përfunduar deri në fund të qershorit 2025”, por që atij i është kërkuar që ta vazhdojë mandatin derisa ambasadori i ri i caktuar “të lirohet nga detyrimet e tij të mëparshme në tetor”.

Çka pretendohet në artikullin e Gunpowder Chronicles?

Shkrimi në “Gunpowder Chronicles” i datës 19 shtator supozon se Ambasadori Rohde është shkarkuar nga detyra e tij në misionin në Kosovë.

Në këtë artikull prezantohen disa supozime të ngritura nga autorët, përmes së cilave synohet të argumentohet pretendimi.

Pjesë të artikullit të Gunpowder Chronicles:

“Ambasadori Jorn Rohde shkoi. Berlini do ta veshë largimin e tij me gjuhën e rotacioneve rutinë, pritjeve të lamtumirës dhe mirësjelljes diplomatike”.

Por të dhënat janë të qarta: shkarkimi i tij vjen pas shqyrtimit që ‘The Gunpowder Chronicles’ ndoqi pa pushim për muaj të tërë, duke ekspozuar një mandat që përbën një turp për Gjermaninë, një tradhti të Konventës së Vjenës, një tradhti të kodit të sjelljes diplomatike të vetë Gjermanisë dhe një fyerje të drejtpërdrejtë të parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së shtypit në Kosovë”, ka supozuar Xhymshiti me kolegët e tij në shkrimin e datës 19 shtator.


Supozimet e ngritura, autorët i ballafaqojnë me qëndrimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse, që në këtë rast janë Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe institucioni qendror i diplomacisë gjermane – Ministria e Jashtme.

Por, përgjigjet e marra nga kanalet zyrtare/gjegjëse, nuk përputhen me aludimet/supozimet e autorëve të tekstit.

Në përgjigjet zyrtare të marra nga Ambasada dhe Ministria e Jashtme e këtij shteti, të publikuara në këtë artikull, në fakt, thuhet e kundërta me pretendimin.

Përgjigjja e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë e paraqitur në artikull:

“Vlerësimi ynë ndryshon nga i juaji… ne vazhdojmë të qëndrojmë pranë qëndrimit tonë të deklaruar më parë”, u ka thënë Ambasada gazetarëve të shkrimit në fjalë.

Përgjigjja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë e paraqitur në artikull:

“Ambasadori gjerman në Kosovë përfaqëson plotësisht qëndrimin e Qeverisë Federale dhe vepron në përputhje të plotë me Konventën e Vjenës”.


Çka nuk shkon këtu?

Shkrimi i “Gunpowder Chronicles” mbi Ambasadorin gjerman Rohde nuk jep asnjë fakt në tërësinë e tij për të mbështetur supozimet e ngritura nga autorët.

Autorët paraqesin vetëm disa supozime duke interpretuar gjendje dhe situatë në bazë të një kronologjie zhvillimesh politike në vend.

Pjesë të formulimit të pretendimit të bërë në artikull në anglisht (gjuha origjinale e artikullit):

E përkthyer në shqip:

Por të dhënat janë të qarta: shkarkimi i tij vjen pas shqyrtimit që ‘The Gunpowder Chronicles’ ndoqi pa pushim për muaj të tërë, duke ekspozuar një mandat që përbën një turp për Gjermaninë, një tradhti të Konventës së Vjenës, një tradhti të kodit të sjelljes diplomatike të vetë Gjermanisë dhe një fyerje të drejtpërdrejtë të parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së shtypit në Kosovë”.

Madje, edhe përgjigjet e marra si nga MPJ-ja gjermane, ashtu edhe nga Ambasada e këtij shteti në vendin tonë, nuk mbështesin asnjë nga supozimet e ngritura nga ta.


Përgjigjja e Ambasadës së Gjermanisë për Hibrid.info

Hibrid.info ka kontaktuar me Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë për të sqaruar pretendimin e ngritur në artikullin e “Gunpowder Chronicles”.

Në përgjigje hedhen poshtë pretendimet e ngritura në artikull, duke saktësuar se Ambasadori Rohde e ka përfunduar mandatin e tij të rregullt ndërsa theksohet se i njëjti edhe ka planifikuar të dalë në pension.

“Ambasadori Rohde ka mbajtur pozicionin e ambasadorit për më shumë se 5 vjet – që është më shumë se një mandat i rregullt. Personeli diplomatik zakonisht ndërron pozicion në korrik të çdo viti”.

“Ambasadori Rohde ishte planifikuar të dilte në pension në vitin 2025 pas 37 vitesh shërbimi. Në sistemin publik gjerman, data e daljes në pension është zakonisht 30 qershor çdo vit, prandaj mandati i tij i rregullt do të kishte përfunduar deri në fund të qershorit 2025”.

“Megjithatë, pasardhësi i tij i caktuar ishte ende i përfshirë në mandatin e tij të mëparshëm, kështu që nga Rohde u kërkua të vazhdonte si Ambasador, derisa ambasadori i caktuar të lirohet nga detyrimet e tij të mëparshme në tetor”.

“Kjo është arsyeja pse mandati i Ambasadorit Rohde po përfundon në fund të shtatorit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Screenshot nga përgjigja e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë


Analiza

Pretendimi i bërë nga autorët në krye të artikullit, se gjoja ambasadori Rohde është shkarkuar nga misioni, synohet të paraqitet përmes disa supozimeve.

Të vetmet fakte që autorët i paraqesin në artikull janë përgjigjet zyrtare që i marrin nga diplomacia gjermane (Ambasada në Kosovë dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë).

Megjithatë, asnjëra nga këto fakte nuk e mbështesin pretendimin. Të dy përgjigjet nuk e argumentojnë pretendimin e bërë. Pra, në të dy përgjigjet nuk thuhet se Rohde ka bërë shkelje të ndonjë parimi diplomatik, qoftë edhe atë të paraparë me Konventën Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, siç pretendohet në artikull.

Gjithashtu, Ambasada gjermane në Prishtinë, për Hibrid.info ka saktësuar se Ambasadori Rohde e ka përfunduar mandatin e tij si i dërguar diplomatik në Kosovë.

Prandaj, duke mos arritur që në formë faktike të verifikojë pretendimin e ngritur, artikulli i publikuar në “Gunpowder Chronicles”, në bazë të metodologjisë vlerësohet si “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others