Shkroi: Fatbardh Dema
Në median sociale Facebook, të mërkurën (13 gusht) ka qarkulluar një përmbajtje përmes së cilës pretendohet se Kosova është furnizuar nga Turqia me 33 automjete ushtarake “BMC Vuran”, e 27 të tjera do të arrijnë deri në fund të vitit.
Ky pretendim u publikua nga faqet, si “Al-Press”, “Prishtina News”, “Rinia për Vetëvendosjen” dhe “Diaspora me Albinin”.
Cila është e vërteta?
Pas hulumtimit të kryer online të kryer nga hibrid.info, del se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga institucionet për numrin e këtij lloji të armëve që e posedon Kosova dhe se përmbajtja e publikuar nga faqet e lartcekura është e paverifikuar.
Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “Kosova furnizohet me 33 automjete ushtarake BM Vuran nga Turqia”, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë informacion të publikuar nga burime kredibile që do e konfirmonin një pretendim të tillë. (shih këtu)
Kjo nuk është hera e parë që një pretendim i tillë publikohet në Facebook. Në maj të vitit 2024, faqja “Diaspora me Albinin” kishte publikuar një postim me pretendim të njëjtë, e që i njëjti po ashtu është trajtuar nga hibrid.info.
Çka dihet deri tash për furnizimin me këto automjete ushtarake?
Në korrik të 2021-s, “evropaelire.org” pati shkruar në burime se Kosova ka nënshkruar kontratën me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara të tipit “Vuran” dhe “KIRPI”. (shih këtu)
Ndërsa agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu” pati njoftuar se eksporti i parë i makinave turke të blinduara të tipit “Vuran 4X4”, të prodhuara në bashkëpunim me firmat e mbrojtjes në Turqi, do të arrijë në Kosovë. Sipas raportimit të 2021-s, në mjet do të vihet në përdorim sistemi i mortajës 120 milimetra “Alkar” i kompanisë “Aselsan”. (shih këtu)
Vetëm një muaj më herët, (prill 2024), ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për “anadolu” konfirmoi se në inventarin e FSK-së ka automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetërshe. Megjithatë ai s’ka përmendur shifra. (shih këtu)
Analiza:
Më 13 gusht në Facebook u publikuan pretendime se Kosova është furnizuar nga Turqia me 33 automjete ushtarake “BMC Vuran” dhe se 27 të tjera pritet të vijnë deri në fund të vitit. Postimet u shpërndanë nga disa faqe, por nuk ka asnjë njoftim zyrtar apo burim kredibil që e konfirmon këtë.
Sipas të dhënave të verifikuara, dihet vetëm se në korrik 2021 Kosova ka nënshkruar kontratë me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve të blinduara “Vuran” dhe “KIRPI”, dhe se në prill 2024 ministri i Mbrojtjes ka konfirmuar praninë e disa automjeteve “Vuran” me mortaja 120 mm, pa dhënë shifra.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I paverifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.







