Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar
[ ARTIKULLI ]

“The Mirror” pretendon pa fakte se Kosova është në mesin e vendeve që britanikët janë këshilluar të mos udhëtojnë pas situatës në Lindjen e Mesme

HIBRID

Është publikuar një pretendim që thotë se, pas situatës së krijuar në Lindjen e Mesme, britanikët po paralajmërohen nga Ministria e Jashtme e këtij vendi për të mos udhëtuar në 76 vende, e në mesin të cilave pretendohet se është edhe Kosova.

Pretendimi është publikuar nga media britanike “The Mirror” (këtu), e më pas është transmetuar si i tillë edhe nga mediat vendore si “Indeksonline.net” (këtu dhe këtu), “Botasot.info” (këtu) e faqja në Facebook e TV Arbëria (këtu).

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Hibrid.info ka hulumtuar informacionet e publikuara më 2 mars në artikullin e medias britanike “The Mirror”, në brendësi të së cilit citohet media simotër e saj, “BirminghamLive.co.uk” (këtu), të cilës i atribuohet lista e përpiluar e 76 vendeve. Sipas “BirminghamLive”, Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO)këshillon qytetarët e vet që vendet në fjalë të mos i vizitojnë fare ose vetëm kur të jetë e domosdoshme.

Por, artikulli i “The Mirror” nuk është i njëjti me atë të “BirminghamLive”. Në artikullin e “Mirror” thuhet:

“Britanikët janë paralajmëruar të mos udhëtojnë në pjesë të dhjetëra vendeve, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme është duke u përshkallëzuar”.

“Lista e Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO), e cila përditësohet vazhdimisht, përfshin vende të nxehta pushimesh, si Tailanda, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Fluturimet për në dhe nga Dubai, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, u pezulluan gjatë fundjavës dhe britanikët atje mbeten të bllokuar”.

“Keir Starmer ka këmbëngulur që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ndihmojë në mbajtjen e britanikëve jashtë vendit të sigurt. Megjithatë, ekipi i tij i FCDO-së ka listuar 76 vende që britanikët duhet t’i shmangin për momentin për shkak të konfliktit”.

Kjo përmbajtje nuk figuron në artikullin e “BirminghamLive”, ku thuhet: “Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) po përditëson vazhdimisht listën e vendeve ku turistët e Mbretërisë së Bashkuar NUK duhet të udhëtojnë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. FCDO ka lëshuar paralajmërime të ndryshme për udhëtime, duke përfshirë këshilla kundër “të gjitha udhëtimeve” dhe “të gjitha udhëtimeve përveç atyre të domosdoshme” në vende të tëra ose pjesë të vendeve”.

“Nga 226 vende ose territore me faqe këshillash për udhëtime jashtë vendit, 76 janë aktualisht të shënuara si zona të ndaluara për t’u vizituar. Paralajmërimet ndikojnë në vende të nxehta turistike si Tailanda, Lindja e Largët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku britanikët shpesh shijojnë pushimet në Dubai”.

Pra, “BirminghamLive” ka thënë se janë 76 vende ose territore që aktualisht janë të shënuara si zona të ndaluara për t’u vizituar, pa i ndërlidhur të gjitha këto vende me situatën në Lindjen e Mesme. Më tej aty theksohet se paralajmërimet ndikojnë në vende të nxehta turistike si Tailanda, Lindja e Largët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku britanikët shpesh shijojnë pushimet në Dubai”.

Ky medium ka publikuar emrat e këtyre 76 shteteve, siç ka bërë edhe “The Mirror”, e ku bën pjesë edhe Kosova, por që vendi ynë hyn në listën e vendeve ku “FCDO këshillon kundër të gjitha udhëtimeve në disa pjesë, përveç atyre të domosdoshme”.

Megjithëkëtë, media “The Mirror” fillimisht nuk e ka ndarë Kosovën nga lista e shteteve që FCDO i konsideron me rrezik për t’u vizituar si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Mirëpo, gjatë trajtimit të këtij artikulli nga Hibrid.info, “The Mirror” ka përditësuar tekstin, duke theksuar se disa nga 76 vendet e përmendura duhet shmangur si pasojë e konflikti.

Keir Starmer ka këmbëngulur që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ndihmojë në mbajtjen e britanikëve jashtë vendit të sigurt. Megjithatë, ekipi i tij i FCDO-së ka listuar 76 vende që britanikët duhet t’i shmangin për momentin, disa prej tyre për shkak të konfliktit që është përhapur në të gjithë rajonin”.

Hibrid.info ka hulumtuar edhe në ueb-faqen e Zyrës së Jashtme, të Komonuelthit dhe Zhvillimit, ku ka gjetur se figuron një listë e përpiluar rishtazi (1 mars) me 21 shtete në të cilat Mbretëria e Bashkuar u kërkon qytetarëve të vet të mos udhëtojnë në asnjë mënyrë, apo vetëm në raste të domosdoshme. Në këtë listë nuk figuron Kosova (këtu).

Lista e përditësuar e vendeve që FCDO i këshillon qytetarët të mos i vizitojnë fare apo vetëm në raste të domosdoshme, e freskuar me informacione pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme:

Afganistani, Armenia, Azerbajxhani, Bahrejni, Egjipti, Irani, Iraku, Izraeli, Jordania, Kuvajti, Libani, Omani, Pakistani, Palestina, Katari, Arabia Saudite, Siria, Turqia, Turkmenistani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemeni.

Çka shkruan për Kosovën në ueb-faqen e FCDO-së?

Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO), këshillon qytetarët britanikë që të mos udhëtojnë në disa pjesë të Kosovës, përveç atyre udhëtimeve që janë të domosdoshme.

Por, ky njoftim është i datës 19 dhjetor 2025, e i cili, sipas FCDO-së, nuk ka ndryshuar deri më tani.

FCDO këshillon kundër të gjitha udhëtimeve përveç atyre të domosdoshme në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dhe zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër”.

Kjo për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të larta në këto zona”, thotë kjo ministri në ueb-faqen e saj (këtu dhe këtu).

Pra, paralajmërimi i fundit për Kosovën është përditësuar më 19 dhjetor 2025 dhe nuk lidhet me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Prandaj, duke i përballur pretendimin e “The Mirror” dhe të dhënat e publikuara në FCDO, del se Kosova nuk bën pjesë në listën e shteteve që Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar qytetarët e vet të mos e vizitojnë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Si e transmetuan mediat vendore këtë përmbajtje?

Media “Indeksonline.net” ka publikuar të martën (3 mars), sikurse edhe “Botasot”, një informacion që i atribuohet medias britanike “The Mirror”, me titull “Situata në Lindjen e Mesme, britanikët paralajmërohen të mos udhëtojnë në 76 vende, mes tyre edhe Kosova”.

Në brendësi të artikullit thuhet se “Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka marrë masa për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, ku janë prekur edhe disa destinacione të njohura për pushime, si Tajlanda, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke paralajmëruar shtetasit e saj të mos udhëtojnë drejt dhjetëra vendeve për shkak të konfliktit.”

Artikulli vijon më tej duke thënë se “krahas këtyre destinacioneve që shumë britanikë kanë shkuar për pushime, pjesë të kësaj liste ka bërë edhe Kosovën, duke rekomanduar shtetasit e saj të mos udhëtojnë, përveç në raste të domosdoshme, shkruan The Mirror”.

Ndërkaq, “Arbëria TV” në faqen e saj në Facebook ka publikuar një fotografi me mbishkrimin e njëjtë, sikurse titujt e “Indeksonline” dhe “Botasot”. Kjo faqe nuk ka ofruar ndonjë link të artikullit, ndonëse në përshkrim thotë “LAJMI NË KOMENT”.

Pak kontekst: Çka po ndodh në Lindjen e Mesme?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli më 28 shkurt kanë nisur një operacion të koordinuar kundër Iranit. Për pasojë, Irani ka nisur sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon. (më gjerësisht këtu)

Analiza

Mediumi britanik “The Mirror” ka pretenduar se Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) ka këshilluar britanikët të mos udhëtojnë në 76 vende si pasojë e konfliktit të nisur më 28 shkurt në Lindjen e Mesme. Në mesin e këtyre vendeve përmendet edhe Kosova.

Megjithatë, sipas hulumtimit të hibrid.info, paralajmërimi për Kosovën nuk lidhet me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Udhëzimi i FCDO-së për Kosovën është përditësuar më 19 dhjetor 2025 dhe ka të bëjë vetëm me komunat në veri të vendit. Ky paralajmërim nuk është ndryshuar pas nisjes së konfliktit.

Pavarësisht kësaj, pretendimi i “The Mirror” është transmetuar nga mediat vendore si “Indeksonline.net”, “Botasot” dhe faqja e “TV Arbëria” në Facebook, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të vendeve të prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë përmbajtje e cilëson si “Përmbajtje e paverifikuar”.

Arsyetimi

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere