[email protected]
Jo, Thaçi nuk i është kundërpërgjigjur Fadil Gecit gjatë dëshmisë së tij
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një video-material, në të cilin shfaqet një pjesë nga një fjalim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që gjendet në paraburgim në Hagë, e për të cilin fjalim pretendohet se paraqet kundërpërgjigje ndaj dëshmisë së dëshmitarit, Fadil Gecit (shih këtu).

Kjo përmbajtje është gjetur e publikuar në TikTok nga një llogari me emrin “lajmifundit3”, e cila e ka postuar dje (24 tetor), këtë video.

E vëteta?

Hibrid.info ka gjetur se pas dëshmisë së dëshmitarit Geci, nuk ka pasur kundërpërgjigje nga ish-presidenti Thaçi.


Kjo video ka marrë mbi 150 mijë shikime, deri në momentin e trajtimit.

Deklarata e transkriptuar e Thaçit nga përmbajtja e trajtuar:

“Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Po unë jam gati të përballem me këtë sfidë të re, të kem sukses për familjen time, për popullin tim dhe vendin tim. Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe shumë e vështirë. Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik, kur u masakrua familja Jashari në mars të vitit 1998. Si shumë shqiptarë nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe iu bashkova rezistencës për liri në Kosovë. Kushdo që do të ishte në vendin tonë, do të kishte bërë të njëjtën gjë, kur t’u hiqej liria”.

Në bazë të njoftimeve në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës me seli në Hagë, kuptohet se dëshmitari Fadil Geci, ishte në mesin e dëshmitarëve të fundit, që dëshmuan në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve (shih këtu).

Nga verifikimi i përmbajtjes së trajtuar, kuptohet që Thaçi nuk ka përmendur emrin e dëshmitarit në fjalë.
Hibrid.info ka hulumtuar me anë të motorit online të kërkimit, “Google”, duke e pyetur për deklarime te mundshme të Thaçit, si kundërpërgjigje ndaj dëshmitarit Geci, por nuk ka hasur në të tilla (shih këtu).

Pasi që kërkimet nuk kanë rezultuar me prova që mbështesin pretendimin e trajtuar, hibrid.info ka bërë kërkime për te gjetur kohën e publikimit të fjalimit të paraqitur të Thaçit.

Hibrid.info ka gjetur se ky deklarim i Thaçit është shkëputur nga fjalimi i tij, pas paraqitjes së akuzave në prokuroria në Hagë, ku ish-presidenti po mbahet në paraburgim si i akuzuar për krime lufte. Thaçi ishte deklaruar i pafajshëm, në vitin e kaluar (2023), më 4 prill (shih këtu dhe këtu). Nga sekonda e 70-të e videos së fjalimit të plotë të Thaçit, duke e krahasuar me video-materialin e publikuar në TikTok, mund të kuptohet se kjo përmbajtje është shkëputur nga ky deklarim i Thaçit, i bërë në vitin 2023 (shih këtu).

Dëshmitari Fadil Geci në gjykatë ka folur për Komunikatën e 59-të të UÇK-së, ku vëllai i dëshmitarit, Gani Geci etiketohet si tradhtar.
I vetmi deklarim i Thaçit për këtë çështje, dhënë për Zyrën së Prokurorit të Specializuar, është shpalosur në shqyrtimin kryesor në Dhomat e Specializuara, gjatë dëshmisë së dëshmitarit Geci (shih këtu).

Analiza:
Pretendimi se ish-presidenti Hashim Thaçi i është përgjigjur dëshmitarit Fadil Geci, gjatë dëshmisë së këtij të fundit në Gjykatën Speciale, është i pasaktë.
Fjalimi i paraqitur i Thaçit është i vjetër dhe nuk i drejtohet asnjë individi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »