[email protected]
Pretendime dezinformuese të deputetit Abrashi për mobilizim të serbëve
shape
shape
shape

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Artan Abrashi, në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një dokument në gjuhën serbe, që mban vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi dhe të ashtuquajturës Sindikatë e Punëtorëve të Policisë, dhe ka shtuar se shteti serb është duke u mobilizuar pas atij të Rusisë. (këtu)

Pretendimet e Abrashit kanë zënë vend në disa media në gjuhën shqipe. (këtu, këtu dhe këtu)

Në komunikatën që deputeti Abrashi e publikon e që mban vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturës Sindikatë e Punëtorëve të Policisë, bëhet thirrje që “me rastin e ngjarjeve globale, që pritet të ndodhin më datë 24 shtator 2022, të mos krijohet frikë dhe panik sepse gjithçka do të përfundojë mirë”. Tutje në këtë dokument thuhet se “Të gjithë duhet të kalojnë nëpër këtë periudhë, sidomos ata të cilët nuk e kanë kuptuar të vërteten dhe atë që kanë besuar (masmedias dhe politikanëve). Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet. Lutje të veçantë të gjithë pjesëtarëve të ushtrisë që të jenë në kazermat e tyre dhe pjesëtarëve të policisë të jenë afër objekteve të rëndësishme”. (këtu)

Dokumenti i shpërndarë nga Sindikata e Punëtorëve të Policisë, e njohur për narrativat kundër vaksinimit, (këtu) ndërlidhet më një paralajmërim për fundin e botës dhe mobilizimi që duhet bërë, e që deputeti Abrashi e sheh si mobilizim ushtarak për luftë.


Megjithatë, paralajmërimi për fundin e botës në shtator të këtij viti ndërlidhet me një pjesë të fjalimit të Friedrich Mertz, kreut të partisë më të madhe opozitare në Gjermani, Unionit Demokristian (CDU) më 27 shkurt. Në fjalimin e tij 20-minutësh në Bundestagun gjerman, Merz iu referua një ngjarjeje “për të kujtuar se askush nuk do ta harrojë, më saktë, ditën kur Rusia pushtoi Ukrainën fqinje – 24 shkurt 2022”. (këtu)

Politikani gjerman, gjatë fjalimit të tij i ndërroi muajt, në vend të “24 shkurt” gabimisht e shqiptojë “24 shtator”. Ky lëshim i vogël Friedrich Mertz-it u bë shkaku kryesor i një teorie të re konspirative globale dhe keqinformimit për “fundin e botës”, një paralajmërim ogurzi.

Fakti që ka qenë një gabim i padashur vërtetohet edhe nga procesverbali zyrtar nga mbledhja e sipërpërmendur e Bundestagut gjerman. Në transkriptim thuhet data e korrigjuar, “24 shkurt 2022”, e jo 24 shtator. Foto 1 (këtu)


Përkthimi në shqip i pjesës së diskutueshme të adresimit të Mertz:

Friedrich Mertz (CDU/CSU): Zonja Presidente! Zonja dhe zoterinj! I nderuar koleg! Ky 24 shkurt 2022 është bërë një ditë që do të mbetet në kujtimet tona përgjithmonë, një ditë për të cilën nesër do të themi: Më kujtohet saktësisht se ku isha kur dëgjova për herë të parë lajmin për luftën në Ukrainë dhe pashë fotot e para nga fushëbetejë. – Ne ngushëllojmë familjet e viktimave që humbën jetën në një numër kaq të madh – përfshirë popullatën civile. Ne e admirojmë guximin dhe vullnetin e këtyre njerëzve për të luftuar për lirinë e tyre.


Një zëdhënës i Unionit Kristian Demokratik Gjerman konfirmoi gjithashtu se zoti Mertz i referohej qartë 24 shkurtit, ditën kur filloi pushtimi rus në Ukrainë – që do të thotë se përdorimi i fjalës shtator në adresën e tij ishte një gabim i paqëllimshëm.

Videoja në të cilin Mertz shpall datën e katastrofës së supozuar është bërë virale në një numër të madh vendesh, përfshirë Serbinë, ku fillimisht u shpërnda jashtë kontekstit në TikTok, dhe më pas në Twitter, Facebook dhe Telegram.

Në Serbi, lëshimi i Mertz u shpërnda me njoftimin e “Sindikatës së Punonjësve të Policisë”, e njohur për narrativet kundër vaksinimit, të publikuar më parë në faqen e saj në Facebook më 20 shtator. Në të njëjtën ditë, Sindikata e Punonjësve të Policisë publikoi edhe një video virale të fjalimit të Mertzit të marrë nga kanali Telegram Istina. (këtu, këtu)


Analiza:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosej ka shpërndarë një dokument të publikuar nga “Sindikata e Punonjësve të Policisë” duke e interpretuar atë si mobilizim të Serbisë pas atij të Rusisë.

Dokumenti i publikuara nga Sindikata në fjalë, ndërlidhet me një teori konspirative që ka rrjedhur nga një lëshim i bërë nga politikani gjerman, Fridrich Mertz, gjatë një fjalimi në Bundestag, ku thotë se askush nuk do të harrojë ditën kur Rusia sulmoj Ukrainën, dhe në vend të “24 shkurt”, gabimisht e shqiptoi “24 shtator”.

Pas verifikimi të fakteve, hibrid.info konsideron se pretendimet e bëra nga deputeti Abrashi nuk qëndrojnë dhe vlerësohen si “dezinformatë”.

Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others