[email protected]
Sqarim për mediat: Në raportin e hibrid.info nuk thuhet se “58% e keqinformimeve për veriun janë publikuar nga mediet në gjuhën shqipe, 39% nga ato në gjuhën serbe”
shape
shape
shape

Platforma për kontroll të fakteve dhe edukim digjital e medial, hibrid.info, pjesë e organizatës joqeveritare “Action for Democratic Society” (ADS), ka publikuar dje (18 korrik) një raport për gjendjen vjetore të çrregullimit informativ.

Raporti “Prapa Ekraneve: Raport vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ” u prezantua në kuadër të një konference të organizuar për diskutim nga një panel ekspertësh të fushave relevante që ndërlidhen kryesisht me informimin.

Në mesin e shumë gjetjeve që u paraqiten në raport, ishte edhe ajo që e nxjerrë veriun dhe ngjarjet rreth tij, si më të përfolurën në përmbajtjet keqinformuese që u shpërndanë në hapësirën digjitale gjatë periudhës një-vjeçare (korrik 2022 – qershor 2023) që, kryesisht, kishin target audiencën kosovare.

Kjo gjetje zgjoi interesim më të madh tek mediat dhe, rrjedhimisht, zëri vend më të veçantë në artikujt e tyre.

Megjithatë, disa media në gjuhën shqipe e keqinterpretuan atë.

Në raportin e hibrid.info thuhet se 58% e keqinformimeve për veriun janë publikuar nga publikues në gjuhën shqipe (e jo vetëm media), 39% nga ato në gjuhën serbe. Pra, bëhet fjalë për publikues në gjuhën shqipe ku përfshihen tri kategori: publikimet nga mediat reale, mediat sociale dhe portalet e dyshimta. (raporti faqe 7, 22 dhe 27)

Ndërsa, kjo gjetje e raportit, në artikujt e disa mediave u keqinterpretua si përmes titujve, ashtu edhe përmbajtjeve të artikujve, duke interpretuar se “58% e keqinformimeve për veriun janë publikuar nga mediet në gjuhën shqipe, 39% nga ato në gjuhën serbe”.

Të njëjtat keqinterpretime janë bërë edhe nga profile, faqe e grupe të ndryshme në media sociale.

Për shkak se përmbajtjet informative shpërndahen nga faqe dhe platforma të ndryshme (media online, media sociale, data-baza të makinave të kërkimit) hibrid.info, në monitorimin ditor, i përfshinë përmbajtjet në gjuhën shqipe të publikuara dhe shpërndara në mediat reale, portalet e dyshimta dhe faqe, llogari dhe profile në mediat sociale. Në kuadër të kësaj, në konsultim me ekspert të fushës ka vendosur që këto tri kategori publikuesish t’i quaj me një emërues të përbashkët si “publikues në gjuhën shqipe”.

Pra publikuesit nuk janë domosdoshmërisht media. Mediat janë vetëm një kategori e publikuesve të informacionit në hapësirën digjitale.

Sipas metodologjisë që e aplikon hibrid.info e që është e rishikuar dhe e pranuar edhe nga Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrolluesve të Fakteve (IFCN), duke qenë se operon në Kosovë, si platformë kontrollon kryesisht përmbajtje që ndërlidhet me publikimet që kanë të bëjnë me vendin ku operon si entitet juridik.

Përpos publikuesve në gjuhën shqipe (gjuha më e folur në Kosovë), hibrid.info kontrollon në masë të madhe përmbajtjet që publikohen në këtë gjuhë. Marrë parasysh këtë fakt, plani i hartësimit për monitorim është më i gjerë, pra përfshinë të gjitha llojet e publikuesve të materialeve informative (mediat reale, mediat e dyshimta dhe mediat sociale). Menjëherë pas shqipes, është gjuha serbe që përdorët për raportime rreth ngjarjeve në Kosovë, duke ditur edhe kontekstin politik.

Megjithatë, hartësimi që ekipi i hibrid.info e përdor për monitorim të përmbajtjeve informuese të publikuara në këtë gjuhë është më i ngushtë. Pra monitoron vetëm njërën kategori të publikueseve – mediat reale.

Sa i përket përmbajtjeve në gjuhën serbe, shumica e përmbajtjeve të publikuar që e monitoron hibird.info, është e publikuar nga media reale (rreth 95%), dhe një numër shumë i vogël i tyre janë nga mediat sociale.

Në grafiket e prezantuar në faqet 31, 32 dhe 33 të raportit sqarohet se mediat reale serbe kanë publikuar më shumë dezinformatë, përmbajtje të pa verifikuar dhe teori konspirative që tregon se është bërë keqinformim me tendencë dhe janë përdorur në masë të madhe temat politike dhe sociale, që mund të ndërlidhen me veriun.

Ndërsa, mediat reale në gjuhën shqipe kanë publikuar kryesisht përmbajtje që vlerësohet si clickbait, pra qëllim për të gjeneruar sa më shumë audiencë, dhe temat që përdorën më së shumti janë ato që vlerësohen me kronikë të zezë.

Pra përmes këtyre grafikave, ashtu edhe siç sqarohet në raport, mund të thuhet se mediat reale në gjuhën shqipe nuk kanë dezinformuar rreth veriut më shumë se ato në gjuhën serbe.

Share With Others