Shkroi: Festim Rizanaj
Në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë lajme të rreme që pretendojnë për një marrëveshje mes partive opozitare në Kosovë (PDK, LDK dhe AAK) dhe subjektit politik serb, Lista Serbe.
Këto pretendime u publikuan dje nga disa llogari në TikTok, Facebook dhe në platformën X, duke ngjallur reagime dhe spekulime në opinionin publik.
Pretendimi i rremë: “Lista Serbe: marrëveshje me LDK, PDK dhe AAK”
Disa lajme të rreme kanë filluar të qarkullojnë në rrjetet sociale si, TikTok, X (ish-Twitter) dhe Facebook, ku pretendohet për një marrëveshje të supozuar ndërmjet partive opozitare në Kosovë dhe subjektit politik serb, Lista Serbe.
Një ndër përhapësit e këtij informacioni të pavërtetë është llogaria në TikTok me emrin “me.qeverine.kurti3”, e cila ka publikuar një imazh me pretendimin se: “Lista Serbe: kemi marrëveshje me LDK-në dhe PDK-në ku do t’i kemi katër ministri kur të krijojmë qeverinë. Nuk do të ketë policë shqiptarë në veri dhe do ta largojmë Kurtin nga pushteti!!!” (këtu). Përmbajtja u publikua më 16 prill në ora 13:56.
Po ashtu, ky pretendim i rremë është shpërndarë edhe në Facebook nga një llogari e dyshimtë me emrin “Lule Gjeli” (këtu). Përmbajtja u publikua më 16 prill në ora 15:24.
E njëjta përmbajtje është shpërndarë edhe në platformën X nga një llogari me emrin “Ernesto Ferrari”, kësaj here në gjuhën angleze, duke i dhënë përmbajtjes një potencial më të madh për përhapje ndërkombëtare (këtu). Përmbajtja u publikua më 16 prill në ora 16:34.

Asnjë burim zyrtar apo aktor politik nuk ka konfirmuar ndonjë marrëveshje të tillë, çka tregon se kemi të bëjmë me dezinformata të qëllimshme që synojnë të nxisin konfuzion dhe përçarje në opinionin publik.
Sot, më 17 prill, llogaria “Ernesto Ferrari” në platformën X ka publikuar një tjetër lajm të rremë, këtë herë në gjuhën angleze, duke pretenduar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shpallur një koalicion me partitë opozitare shqiptare (PDK dhe LDK) dhe ka dhënë mesazhe për shkatërrimin politik të Albin Kurtit dhe përfitime për Serbinë. “Vuçiq është entuziast: ‘Faleminderit punës sonë, kemi arritur një koalicion të mirë me shqiptarët tanë [PDK dhe LDK]. Minierat do të jenë serbe. Do ta shpallim Albin Kurtin politikisht të vdekur. Rroftë Serbia.'” (këtu)
Edhe pse nuk shoqërohet me asnjë burim të besueshëm apo citim të drejtpërdrejtë nga presidenti i Serbisë, ky postim tenton të krijojë perceptimin e një marrëveshjeje të fshehtë mes Listës Serbe dhe partive opozitare në Kosovë.
Pretendimi i rremë: “Vuçiq: Qeverinë do ta formojë Lista Serbe me opozitën”
Po ashtu, në këto llogari në mediat sociale po qarkullon një tjetër pretendim i pabazë, sipas të cilit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Lista Serbe do ta formojë qeverinë e ardhshme në Kosovë së bashku me opozitën.
Ky lajm i rremë është publikuar më 16 prill edhe nga faqja “Kosova Channel” në Facebook, e më pas është shpërndarë edhe nga faqja e portalit informativ “KosovaPost.net” (këtu). Përmbajtja u publikua më 16 prill në ora 00:57.
Përmbajtja e publikuar është analizuar dhe demantuar nga platforma për verifikimin e fakteve, hibrid.info. (shiko këtu).
Kjo deklaratë e rreme, për të cilën nuk ka asnjë dëshmi apo burim të besueshëm, është shpërndarë më pas nga llogaria në TikTok “me.qeverine.kurti3” (këtu). Përmbajtja u publikua më 16 prill në ora 14:43.
Në këtë llogari është publikuar një fotografi ku shfaqen tre kandidatë potencialë për kryeministër nga partitë opozitare: Bedri Hamza nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK, së bashku me një imazh të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Në këtë postim është vendosur mbishkrimi: “Vuçiç: Qeverinë e formon Lista Srpska bashkë me opozitën”, duke krijuar përshtypjen e një deklarate të drejtpërdrejtë që nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar.
Ky lajm i rremë është shpërndarë gjithashtu edhe në platformën X nga llogaria me emrin “Ernesto Ferrari”, ku është publikuar në gjuhën angleze me përmbajtje dhe narrativ të ngjashëm (këtu). Përmbajtja e publikuar më 16 prill në ora 19:28.
Po ashtu, i njëjti lajm i rremë ka qarkulluar edhe gjatë muajit shkurt nga faqe të ndryshme në Facebook, duke u ripërhapur në periudha të ndryshme. (shiko këtu trajtimin nga hibrid.info)

Llogaritë në Tiktok, Facebook dhe platformën X
Llogaria në TikTok “me.qeverine.kurti3”, ka mbi 11 mijë ndjekës, ndërsa përmbajtjet e saj kanë grumbulluar gjithsej rreth 490 mijë pëlqime.
Në përmbajtjet e publikuara, kjo llogari shpesh përdor emra politikë dhe referenca ndaj qeverisë aktuale në Kosovë, duke u paraqitur si përkrahëse e kryeministrit Albin Kurti. Megjithatë, në disa raste ka shpërndarë informacione të paverifikuara dhe lajme të rreme, veçanërisht rreth marrëdhënieve mes partive opozitare dhe Listës Serbe, duke u bërë pjesë e përhapjes së dezinformatave politike në rrjet.
Platforma për verifikimin e fakteve hibrid.info ka trajtuar disa raste të dezinformatave dhe lajmeve të rreme të publikuara nga llogaria në TikTok “me.qeverine.kurti3”. (shiko këtu, këtu, këtu)
Llogaria në platformën X me emrin “Ernesto Ferrari” dhe përdoruesin @ErnestoFerrari9 paraqitet si profil me prirje akademike, duke u vetëpërshkruar si MSc në Komunikim Politik dhe Çështje Publike ????????????????, me vendndodhje të deklaruar në Prevezë, Shqipëri. Kjo llogari është krijuar në qershor të vitit 2020, ndjek 858 llogari dhe ka 1,654 ndjekës.
Pavarësisht përshkrimit akademik, profili është identifikuar si burim i disa përmbajtjeve të rreme dhe dezinformuese, të cilat janë shpërndarë në kontekste politike rajonale, përfshirë narrativat lidhur me marrëdhëniet mes opozitës kosovare dhe Listës Serbe. Këto postime janë publikuar kryesisht në gjuhën angleze.
Gjithashtu, fotografia e përdorur në këtë profil, e cila paraqet një person mashkull, nuk është gjetur në asnjë burim tjetër përmes kërkimeve të kundërta në internet. Kjo lë hapësirë për dyshime të bazuara se imazhi mund të jetë gjeneruar përmes inteligjencës artificiale (AI), duke sugjeruar se personi i paraqitur në fotografi nuk ekziston në realitet. Kjo praktikë është e zakonshme në llogaritë që përhapin dezinformata dhe kërkojnë të krijojnë një identitet të besueshëm, por fiktiv.

Faqja në Facebook me emrin “Lule Gjeli” numëron mbi 6 mijë ndjekës. Ajo është identifikuar si burim i përmbajtjeve të dyshimta, përfshirë lajme të rreme dhe postime me përmbajtje politike të njëanshme, shpesh të pavërtetuara, të cilat i ka trajtuar hibrid.info. (shiko këtu, këtu, këtu)





