[email protected]
Pretendimet e Vuçiqit e Petkoviqit për pamundësinë e operimit të Policisë së Kosovë në veri, tërësisht të sajuara
shape
shape
shape

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se Policia e Kosovës nuk kanë të drejtë të shtrijnë aktivitetin e tyre në veri të Kosovës pa, siç thotë ai, lejen e kryetarëve të Komunave me shumicë serbe në atë pjesë.

Këtë pretendim Vuçiq po e bënë tash e disa ditë. Së fundmi e bërë pas një takimi që pati me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, Christopher Hill. Por të njëjtin pretendim e sjelli edhe gjatë konferencës për media, pas takimit me disa nga përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës, të dielën (21 gusht), të zhvilluar në Beograd (këtu).

Përveç tij, të njëjtin pretendim e bëri edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Këtyre pretendimeve, u kishte reaguar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, duke i përgënjeshtruar ato.

Përpos kësaj, hibrid.info ka bërë konsultim me dokumentet zyrtare relevante me këtë çështje, dhe ka gjetur se pretendimi i të parit të Serbisë dhe zyrtarit tjetër të lartë, janë të pasakta.

Pretendimi i Vuçiq është shpërndarë në faqen zyrtare të Presidencës së Serbisë dhe në media, por hibrid.info do ta trajtojë në këtë rast vetëm përmbajtën e deklaratës së presidentit serb dhe shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe.

Pjesë nga pretendimet e Vuçiq:

Duke theksuar tensionet që ekzistojnë në Kosovë dhe Kosovë, presidenti Vuçiq tha se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të Kosovës mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët. (shih njoftimin zyrtar këtu)

Në fakt, në deklaratën e tij Vuçiq synon që ta ndërlidh një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2013, nga kryeministri i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i NATO-s, për moslejimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), siç janë quajtur në atë kohë, për të bërë aktivitet në pjesën veriore të Kosovës pa lejen e KFOR-it dhe ta interpretojë atë si një marrëveshje me Policinë e Kosovës.

Këtë e ka sqaruar edhe ministri i MPB-së së Kosovës, Xhelal Sveçla, në pika të shkurtra në reagimin e tij.

Pjesë nga kundërpërgjigjja e ministrit të brendshëm të Kosovës, Sveçla:

Ministri propagandues i Millosheviqit, Vuçiq në konferencën e sotme ka gënjyer për Policinë e Kosovës. Një zotim nga e kaluara se Ushtria e Kosovës (FSK) nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e komandës së KFOR-it, është shtrembëruar qëllimisht. Policia e Kosovës është e autorizuar të sigurojë sundimin e ligjit dhe sigurinë për të gjithë qytetarët përreth Republikës së Kosovës”. (shih këtu)

Pas kësaj, po atë ditë (diel 21 gusht), kishte reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke i dal në mbështetje kreut serb – Vuçiq. Ai kishte thënë se në veri të Kosovës “mund të veprojnë vetëm pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga Drejtoria e Veriut” dhe se këtë të drejtë “nuk e kanë të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, siç pretendon ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla” (këtu).

I njëjti pretendim u përsërit edhe sot (23 gusht) nga presidenti serb, pas takimit me ambasadorin amerikan Hill.


Për ta sqaruar këtë, hibrid.info trajtoi këto deklarata duke i ballafaquar ato me fakte.

Pretendimi i presidentit të Serbisë për ta ndërlidhë marrëveshjen 19 prillit 2013 mes ish-sekretarit gjeneral të NATO-s të, Anders Fogh Rasmussen dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, të dy këta në pozitë gjatë asaj kohe, për kufizimin e operimit të FSK në veri të Kosovës, pa lejen e KFOR-it, me Policinë e Kosovës, rezulton të jetë i pavërtetë (këtu).

Kopje e Marrëveshjes

Në fakt, në këtë Marrëveshje, nuk përmendet fare Policia e Kosovës.

Hibrid.info e shqyrtoi edhe Ligjin për Policinë e Kosovës për ta vërtetuar nëse deklarata e këtyre dy zyrtarëve serbë qëndron, pasi që operimi i këtij institucioni të sigurisë në Kosovës rregullohet vetëm sipas këtij ligji përkatës. Sipas nenit 4, pika 3 e Ligjit Për Policinë, thuhet se “Policia vepron nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në tërë territorin e Republikës së Kosovës” (shih ligjin këtu), duke mos e bërë ndonjë veçim rajonal.

Një tjetër dokument që e ka trajtuar hibrid.info është edhe ai i Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i arritur 19 prill të vitit 2013 mes dy kryeministrave të atëhershëm të Kosovës, respektivisht Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq, (këtu) që e parasheh më në detaje funksionimin e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në këtë marrëveshje, e cila ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 (këtu), funksionimi i Policisë së Kosovës parashihet:

“Në Kosovë do të ketë një forcë policore, e quajtur Policia e Kosovës. E tërë policia në Kosovën veriore do të integrohen në kornizën e Policisë së Kosovës. Pagat do të jenë vetëm nga PK-ja. 8. Pjesëtarëve të strukturave tjera serbe të sigurisë do t’u ofrohet vend në strukturat ekuivalente të Kosovës”. (shih pikën 7 të dokumentit të kësaj marrëveshje të rartifikuar këtu)

Pra, sipas kësaj marrëveshje të nënshkruar edhe nga vetë i pari i Qeverisë së Serbisë, pjesë e së cilës ishte edhe presidenti aktual Vuçiq si zëvendëskryeministër i parë (këtu), parashihet që Policia në Kosovën veriore të integrohet në kuadër në kornizën e Policisë së Kosovës. Ndërsa, ky dokument nuk përmban detaje rreth mënyrë së funksionimit të saj në veri.


Analiza:

Pretendimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, se njësia speciale e Policisë së Kosovës nuk mund të operojë në pjesën veriore të vendit pa lejen e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe, është i pavërtetë.

Edhe përpjekja për ta ndërlidhur këtë me një marrëveshje tjetër, atë mes Kosovës dhe NATO-së, sipas verifikimit të fakteve, del të jetë interpretim i sajuar.

Për këtë arsye, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Manipulim të Fakteve”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura

Share With Others