Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një përmbajtje ku pretendohet se Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, ishte në të njëjtin “biznes” me financierin amerikan Jeffrey Epstein dhe se ajo ishte e përfshirë në trafikim fëmijësh, duke shitur foshnje dhe duke gjeneruar 50-100 milionë dollarë në vit për Vatikanin.
Përmbajtja pretendon po ashtu se Nënë Tereza kishte lidhje me Baby Doc Duvalier, Charles Keating dhe Robert Maxwell dhe se, së bashku me Hillary Clinton, hapi një jetimore në Uashington, e cila u mbyll në heshtje në vitin 2012.
Kjo përmbajtje është publikuar të martën (3 shkurt) në Facebook, nga faqet me emrat “Pamfleti.mk”, “Saraj sot”, “Lajmi” dhe “Aktuale”.
Çka nuk shkon me këto pretendime?
Hibrid.info gjeti se këto pretendime janë paraqitur pa prova të besueshme.

Mbishkrimi i postimit
“Epstein ishte në të njëjtin biznes me Nënë Terezën.
Nënë Tereza ishte një trafikante fëmijësh që shiste foshnjë dhe bënte midis 50 milionë dollarë dhe 100 milionë dollarë në vit për Vatikanin.
Lidhjet e Terezës përfshijnë Baby Doc Duvalier (diktatori haitian), Charles Keating (krimineli nga skandali i Kursimeve dhe Kredisë), dhe Robert Maxwell (babai i partnerit të Jeffrey Epstein në trafikimin e fëmijëve, Ghislaine Maxwell).
Ka më shumë: Nënë Tereza hapi shtëpinë e vogëlushëve DC me askënd tjetër përveç Hillary Clinton. Kjo jetimore u mbyll në heshtje në vitin 2012.”
Përmbajtja me të njëjtat pretendime është gjetur e publikuar në gjuhën angleze në Facebook (shih këtu).
Hibrid.info hulumtoi veçmas për secilin pretendim.
Nënë Tereza dhe Jeffrey Epstein në të njëjtin biznes?
Në bazë të një biografie të publikuar në uebfaqen e mediumit “BBC”, Jeffrey Epstein u përfshi në sektorin financiar pasi u lidh me një partner të lartë në bankën investuese të Wall Street-it, Bear Stearns, ku u bë partner brenda katër vitesh.
Në artikullin e “BBC” shkruan se në vitin 1982, ai themeloi kompaninë e tij financiare “J. Epstein & Co.” Tutje, aty thuhet se kjo kompani menaxhonte asete klientësh me vlerë mbi 1 miliard dollarë amerikanë.
Në të njëjtin tekst, tregohet se aktiviteti financiar i Epstein i mundësoi atij të krijonte një pasuri të madhe personale, të cilën thuhet se e shpenzoi në prona luksoze, përfshirë një rezidencë në Florida, një fermë në New Mexico dhe një rezidencë shumë të madhe private në New York.
“BBC” përmend se në vitin 2003 ai bëri një donacion prej 30 milionë dollarësh për universitetin “Harvard” dhe se pavarësisht se ishte dënuar në vitin 2008, Epstein ruajti pronat dhe asetet e tij financiare edhe pas kësaj periudhe.
Ndërsa në lidhje me aktivitetin e Nënës Terezë, sipas biografisë së publikuar në uebfaqen zyrtare të organizatës “NobelPrize.org”, ajo nga viti 1931 deri më 1948 dha mësim në Shkollën e Mesme “St. Mary” në Kalkutë.
Në këtë tekst të kësaj uebfaqe, shkruan se në vitin 1948, me leje nga drejtuesit, u largua nga shkolla e manastirit për t’iu përkushtuar punës me më të varfërit në lagjet e varfëra të Kalkutës.
Aty tutje tregohet se ajo më pas hapi një shkollë të improvizuar në ambient të jashtëm për fëmijët e varfër dhe nisi veprimtarinë humanitare pa fonde fillestare, me ndihmën e vullnetarëve dhe mbështetjes financiare që erdhi më pas.
Artikulli e përmend se më 7 tetor 1950, me leje nga Selia e Shenjtë, themeloi urdhrin “Missionaries of Charity” (në shqip “Misionaret e Bamirësisë”), me mision kujdesin për personat që askush tjetër nuk i ndihmonte, dhe se në vitin 1965 shoqëria e themeluar u shpall “Familje Fetare Ndërkombëtare” me dekret të Papa Palit VI.
Gjithashtu, theksohet se ajo u nderua me disa çmime, përfshirë “Çmimin Nobel për Paqe” (1979).
Në bazë të këtyre të dhënave, për dallim nga Epstein, nuk dëshmohet se Nënë Tereza ishte e përfshirë në aktivitete biznesi.
Edhe pas hulumtimit me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “mother teresa business”, nuk u gjetën burime të besueshme që faktojnë se aktiviteti i saj ishte biznesor (shih këtu).
Nënë Tereza trafikonte fëmijë?
Hibrid.info në të kaluarën kishte trajtuar një pretendim të ngjashëm, duke e vlerësuar si “Lajm të rremë” (shih këtu). Për ta hedhur poshtë pretendimin, hibrid.info ishte bazuar në artikuj të kontrolluesve të fakteve “Politifact.com” dhe “Reuters.com” (shih këtu dhe këtu).
Në këto artikuj shkruan se nuk janë gjetur dëshmi se Nënë Tereza ishte akuzuar ose përfshirë në trafikimin e fëmijëve.
Në artikullin e “Reuters” sqarohet se organizata e themeluar nga Nënë Tereza u përfshi në një skandal të trafikimit të fëmijëve në vitin 2018, 20 vjet pas vdekjes së saj, kur një grua nga “Misionaret e Bamirësisë” ishte arrestuar për shitjen e një foshnje dy javëshe (shih këtu).
Një raport i “Reuters” thotë se, në të njëjtin vit, qeveria indiane kishte urdhëruar hetimet brenda kësaj organizate (shih këtu).
Ndërsa sipas një njoftimi zyrtar të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës (ShHA), Distrikti Jugor i Nju Jorkut, Jeffrey Epstein ishte arrestuar dhe akuzuar më 8 korrik 2019, për trafikimin seksual të të miturve. Akuzat pretendonin se ai kishte joshur dhe rekrutuar vajza të mitura gjatë viteve 2002-2005 për t’i përdorur seksualisht dhe për t’i paguar ato (shih këtu).
Lidhjet me figura kontraverse
Hibrid.info hulumtoi me anë të makinës së kërkimit për të gjetur burime që do të dëshmonin se Nënë Tereza kishte lidhje me diktatorin haitian Baby Doc Duvalier, me Charles Keating, i dënuar për rolin e tij në skandalin e kursimeve dhe kredive, si dhe me Robert Maxwell, babain e Ghislaine Maxwell, që ishte ndihmësja e Jeffrey Epstein.
Hibrid.info ka gjetur dy artikuj të publikuar nga “The Economist” dhe “VanityFair” ku dëshmohet se ajo kishte lidhje me personat e lartpërmendur.
Në “The Economist” përmendet se Nënë Tereza kishte pranuar “Legjionin e Nderit të Haitit” nga Baby Doc Duvalier (shih këtu).
Të dy artikujt përmendin se ajo kishte marrë para dhe një avion privat nga Charles Keating, të cilat ishin shfrytëzuar për fondacionin e saj (shih këtu dhe këtu ).
Ndërsa, edhe lidhjet e saj me Robert Maxwell konfirmohen në këto tekste (shih këtu dhe këtu).
Në “The Economist” shkruan se ajo nuk ishte shumë e kujdesshme në lidhje me burimet e parave të saj. Kjo për shkak se ajo shihte Krishtin tek secili dhe besonte se ata mund të shpëtoheshin.
Si shembull përmendet edhe vendosja e një kurore në varrin e Enver Hoxhës, ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë (shih këtu).
Nënë Tereza dhe Hillary Clinton
Hibrid.info me anë të “Chat GPT” gjeti një artikull të publikuar në vitin 1995, në “Los Angeles Time”, ku raportohet se Nënë Tereza me Hillary Clinton përuruan një strehë në Washington D.C për gratë dhe të porsalindurit e tyre, me qëllim parandalimin e aborteve (shih këtu).
Ndërkaq, sipas një artikulli të “Washington Examiner”, tregohet se qendra u mbyll dhe u shit në vitin 2002 në Chevy Chase, D.C. Nuk dihet nëse qendra realizoi shumë birësime gjatë ekzistencës së saj.
Hillary Clinton thuhet se mësoi për mbylljen e qendrës rreth vitit 2010, përmes pyetjeve të shtypit dhe korrespondencës me zëdhënësin e saj Philippe Reines. Ajo kishte shprehur shqetësim për imazhin publik përmes korrespodencës private me zëdhënësin e saj Philippe Reines, duke pyetur: “Pse na ndjekin gjëra të tilla? (shih këtu)”
Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka publikuar më shumë se tre milionë faqe me dosje që lidhen me Jeffrey Epstein. Këto dokumente përmbajnë referenca për presidentin amerikan Donald Trump dhe figura të tjera të fuqishme, duke përfshirë Elon Musk, Bill Clinton dhe një ish-këshilltar të ish-presidentit Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë (shih këtu).
Pas kërkimit më anë të makiëns së kërkimit “Google”, nuk janë gjetur raportime nga burime kredibile, që do të provonin se emri i Nënë Terezës përmendet në këto dokumente (shih këtu).
Analiza:
Pretendimet se Nënë Tereza ishte në të njëjtin “biznes” me Jeffrey Epstein, trafikonte fëmijë dhe gjeneronte miliona dollarë për Vatikanin janë përhapur nga disa faqe në Facebook.
Megjithatë, hulumtimet tregojnë se këto pretendime nuk mbështeten në prova të besueshme. Aktiviteti i Nënës Terezës ishte humanitar, nuk kishte asnjë lidhje me biznesin financiar të Epstein dhe akuzat për trafikim fëmijësh janë tërësisht të rreme. Lidhjet me figura kontraverse, si Baby Doc Duvalier, Charles Keating dhe Robert Maxwell, kanë qenë vetëm për qëllime bamirësie ose nderime formale, jo bashkëpunim kriminal.
Sa i përket pretendimit se Nënë Tereza ka bashkëpunuar me Hillary Clinton për një jetimore në Washington D.C., kjo qendër ekzistonte dhe kishte qëllim ndihmën e grave dhe foshnjeve, por nuk ka asnjë provë që lidhet me aktivitet kriminal ose trafikim.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i këto pretendime si “Teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



