Janë publikuar përmbajtje me mbishkrimin ku pretendohet se 5 mijë qytetarë të komunitet serb marrin çdo ditë shtetësinë e Kosovës.
Pretendimi është paraqitur me anë të një video-materiali, ku shihet e dëgjohet një opinionist teksa bën deklaratën me këtë pretendim në një intervistë të publikuar më 20 korrik në televizionin “A2 CNN” në gjuhën shqipe.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Opinionisti Lulzim Veliu nuk ka paraqitur të dhëna apo dëshmi që e konfirmojnë këtë pretendim, ndërsa publikuesi i përmbajtjes nuk ka sqaruar se bëhet fjalë për një deklaratë të opinionistit, duke e paraqitur atë si një fakt të konfirmuar.

E njëjta deklaratë e shkëputur nga kjo intervistë dhe me të njëjtin pretendim, është publikuar edhe në Facebook (23 korrik) nga një faqe me emrin “InfoPost” (shih këtu).
Videoja në fjalë përmban një intervistë 28 minutëshe të opinionistit Lulzim Veliu. Veliu u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me disa zhvillime në Kosovës, të cilat i ka ngritur si çështje moderatori Pandi Gjata.
Në videon e publikuar në kanalin në Youtube, as në titullin e as në hapësirat përshkruese, nuk qartësohet identiteti i personit i cili po e jipte intervistën.

Hibrid.info gjeti videon e plotë të emisionit, të transmetuar më 20 korrik, nga i cili ishte shkëputur intervista. Aty u konstatua se personi që ka bërë pretendimin në fjalë është Lulzim Veliu (shih këtu).

Më pas u kontrollua përmbajtja për të konfirmuar pretendimin e paraqitur në mbishkrimin e videos e shkëputur të intervistës. Pas kontrollit u vërtetua se pretendimi i paraqitur në titull, erdhi nga deklarata e opinionistit Veliu (shih këtu).
Deklarata e transkriptuar nga intervista:
“Lulzim Veliu: Pra, unë mendoj se ata qytetarë të Kosovës, të cilët të shtyer në shumë raste nga faktorë të ndryshëm, më mirë do të ishte që të tuboheshin dhe të protestonin në rrugët e Prishtinës kundër ligjit për shtetësinë e serbëve, të cilët sipas disa informacioneve që kemi, brenda ditës regjistrohen dhe marrin shtetësinë e Kosovës, afërsisht 5 mijë serb. Është duke u bërë një ndryshim i strukturës nacionale në Kosovë, pikërisht me ligjin që është miratuar pak kohë para se të shpërndahej Kuvendi i Kosovës.
Pyetja: Po më thoni 5 mijë shtetas serb në ditë marrin shtetësinë e Kosovës?
Lulzim Veliu: Po po, pikërisht është ashtu, 5 mijë shtetas serb marrin shtetësinë e Kosovës, jo vetëm në komunat veriore, që kanë shkuar në vazhdimësi, mirpo një gjë e tillë është duke ndodhur edhe nëpër selitë e ambasadave dhe konsullatave të Kosovës gjithandej në Evropë”
Meqë Lulzim Veliu nuk prezantoi ndonjë burim konkret për informacionet mbi të cilat e bazoi këtë pretendim, verifikimi i mëtejshëm u orientua drejt institucioneve përkatëse, për të kontrolluar nëse ekzistojnë të dhëna zyrtare që e mbështesin një shifër të tillë.
Duke qenë se opinionisti iu referua Ligjit të ri për Shtetësinë, i cili ka hyrë në fuqi më 22 maj të këtij viti, Hibrid.info ka kontrolluar të dhënat zyrtare për numrin e personave që kanë fituar shtetësinë e Kosovës gjatë periudhës prill–korrik, në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Përderisa të dhënat për muajin korrik nuk janë publikuar, statistikat e disponueshme tregojnë një rritje të numrit të qytetarëve me etni serbe që kanë fituar shtetësinë e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Shtetësinë. Në muajin prill, para hyrjes në fuqi të ligjit, shtetësinë e Kosovës e kishin fituar 40 qytetarë serbë, ndërsa 51 kërkesa ishin refuzuar. Në muajin maj, numri i rasteve të miratuara ishte rritur në 55, ndërsa ishin refuzuar 41 kërkesa. Në muajin qershor, shtetësinë e Kosovës e kishin fituar 78 qytetarë serbë, ndërsa 59 kërkesa ishin refuzuar (shih këtu, këtu dhe këtu).
Këto të dhëna tregojnë një rritje të numrit të rasteve të miratuara, por nuk mbështesin pretendimin se mijëra qytetarë serbë marrin çdo ditë shtetësinë e Kosovës.
Hibrid.info për të gjetur më shumë informacione, hulumtoi edhe me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “numri i serbëve që kanë marrë shtetësinë” (shih këtu). Rezultatet nga kërkimi nuk shfaqën artikuj ku do të mund të konfirmohej numri i qytetarëve serb që kanë marrë shtetësinë e Kosovës në muajin korrik.
Por, gjatë kërkimit u has në përmbajtje ku pretendohej të jetë rritur numri i aplikimeve të qytetarëve serb në Kosovë, të cilët donin ta fitonin shtetësinë e Kosovës (shih këtu).
Një video me të njëjtin pretendim por të pa konfirmuar, u publikuar të mërkurën (29 korrik) në llogarinë në Facebook, të Qëndrim Kryeziut, kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) (shih këtu).
Ky pretendim i përsëritur e çoi fokusin e hulumtimit në gjetjen e të dhënave rreth numrit të aplikimeve (shih këtu). Përveç nje deklarate të Xhelal Sveçlës, ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, i cili kishte thënë se kanë deklaruar qindra persona për shtetësi, pas hyrjes në fuqi të ligjit, nuk ka burime që do të jepnin shifra zyrtare dhe të konfirmuara për këtë çështje (shih këtu).
Analiza:
Një medium publikoi një video të shkëputur nga një intervistë, me mbishkrimin ku pretendohej se 5 mijë qytetarë të komunitetit serb marrin çdo ditë shtetësinë e Kosovës.
Pretendimi buronte nga një deklaratë e opinionistit Lulzim Veliu, e dhënë gjatë një interviste për këtë medium.
Në momentin e dhënies së deklaratës, Veliu nuk e mbështeti atë me burime konkrete apo të dhëna zyrtare.
Ndërkaq, mediumi nuk sqaroi në mbishkrim se bëhej fjalë për një deklaratë të opinionistit, por e paraqiti pretendimin si një fakt të konfirmuar.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “të paverifikuar”.
Arsyetimi
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.