[email protected]
Pretendimi i pasaktë se në Shqipëri është mbyllur TikTok-u
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një video-material me mbishkrimin që pretendon se në Shqipëri është mbyllur TikTok-u, me urdhër të kryeministrit, Edi Rama.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (20 nëntor) në TikTok nga një llogari me emrin “blero_show”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Hibrid.info ka gjetur se ky pretendim është paraqitur me anë të një deklarate të shkëputur nga konferenca e kryeministrit shqiptar, ku ai ka përmendur masat që po shqyrtohen për të ndaluar dhunën e bullizimin në rrjete sociale, ku njëra nga to është edhe mbyllja platformave TikTok dhe Snapchat.


Në bazë të komenteve në publikim, hibrid.info vlerëson se audienca mund ta lexojë si të vërtetë këtë pretendim.

Deklarata e transkriptuar e Ramës në videon e trajtuar:

“Të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TokTokut, e pse jo edhe të Snapchatit, në territorin e Republikës së Shqipërisë”.


Hibrid.info ka hulumtuar me anë të kërkimit manual dhe ka gjetur videon e plotë të konferencës së djeshme (20 nëntor) të kryeministrit Rama, të publikuar në kanalin zyrtar të këtij të fundit në Youtube, ku kryeministri ka paraqitur vendimet e Qeverisë.

Duke folur për vrasjen e një 14 vjeçari nga një adoleshent tjetër në Shqipëri, kryeministri ka treguar për masat që po shqyrtohen nga qeveria që ai e drejton, pasi ka konstatuar se është rritur dhuna në rrjete sociale.

Pas kontrollit dhe verifikimit të përmbajtjes së videos, hibrid.info ka vërejtur se nga minuta 2:54 deri në minutën 5:10, Rama tregon për masat e shqyrtuara, ku në mesin e tyre përmendet edhe mundësia e mbylljes së TikTokut dhe Snapchatit.


Masat e shqyrtuara të paraqitura nga kryeministri Rama:

“Ne si qeveri jemi angazhuar prej kohësh në hulumtimin e kësaj problematike, duke ndjekur hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera, por edhe në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme për ta ulur këtë presion, gjithnjë e më të frikshëm. Faktikisht janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme, që nga Australia, ku aktualisht po tentohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç, deri tek Franca e cila po diskuton vendosjen si kusht të aprovimit të prindërve për hapjen e një llogarie online të fëmijëve nën 15 vjeç, apo Spanja, ku fillimisht u vendos që fëmijët deri në 14 vjeç të mos lejohen të hapin llogari online dhe së fundmi ky kufi është rritur deri në 16 vjeç. Por, përtej këtyre përpjekjeve dhe debateve lidhur me këto nisma, problemi ende i hapur, mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit tyre, si rezultat i vështirësisë në aspektin teknik, që lidhet me disa faktorë, të cilët nuk është vëndi t’i shtjellojmë këtu sot. Tani dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë dhe ne të ecim në drejtim të filtrave, kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Evropë apo përtej Evropës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizimit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të “TikTok” e pse jo edhe të “Snapchatit” në territorin e Republikës së Shqipërisë”.


Hibrid.info ka hulumtuar edhe më tutje, ku ka gjetur edhe artikuj të publikuar në mediat në gjuhën shqipe, më anë të cilave vërtetohet se Shqipëria po shqyrton propozime për të frenuar ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët.


Analiza:

Pretendimi se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar mbylljen e TikTokut në Shqipëri, është i pasaktë.

Rama ka paraqitur masat që po shqyrtohen nga qeveria shqiptare, pas rritjes së dhunës në rrjetet sociale, ku në mesin e tyre është edhe mundësia e mbylljes së disa nga platformat sociale (TikTok dhe Snapchat).

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »