[email protected]
Pretendimi për një koalicion Kurti, Plenkoviq dhe Izetbegoviq me mbështetje perëndimore kundër Serbisë, interpretim tendencioz
shape
shape
shape

Në disa medium në gjuhën serbe është hedhur një pretendim për një koalicion ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq dhe liderit të boshnjakëve të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Bakir Izetbegoviq.

Në këto mediume, janë publikuar artikuj me pretendimin ekzistimin e planeve për likuidimin e serbëve që, siç thuhet, vijnë pikërisht në momentin kur ndaj Serbisë po bëhet një sulm i njëkohshëm nga, siç e quajnë, “koalicioni i bashkuar anti-serb i përbërë nga Albin Kurti, Andrej Plenkoviq dhe Bakir Izetbegoviq”.

Pretendimet nuk mbesin me kaq duke shtuar se, ky koalicion i tre liderëve ballkanik, është i mbështetur nga perëndimorët.

Mediumi serb “24sedam.rs” dje (11 gusht) ka publikuar një artikull në të cilin pretendon se ka një koalicion i përbërë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Presidentit kroat Andrej Plenkoviq dhe përfaqësuesit politik të boshnjakëve të Bosnje e Hercegovinës (BeH), kryetarit të Partisë Veprimi Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq, për të sulmuar Serbinë. Narracioni i artikullit është i ndërtuar në bazë të deklaratave të bëra të këtyre liderëve ballkanike ditëve të fundit.

Mediumi në fjalë e quan “sulmin” ndaj Serbisë të koordinuar.

Narrativa e sajuar i këtij mediumi fillon me deklaratën e Kurtit dhënë gazetës “La Republicca” ku thotë se “rreziku i një konflikti të ri me Serbinë është i lartë”. Ndërsa, vazhdon me pretendimin tjetër se kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka nis një fushatë brutale mediatike kundër Serbisë dhe presidentit serb. Dhe, së fundmi, sipas mediumit serb, edhe lideri politik i boshnjakëve të BeH, Bakir Izetbegoiviq, i është bashkangjitur këtij koordinimi sulmues ndaj Serbisë i cili e akuzon Rusinë dhe Serbinë për shkaktimin e trazirave.

Argumentimin e këtij pretendimi të bërë përmes titullit, ky medium mundohet ta bëjë përmes ngritjes së kësaj hipoteze, por të cilën nuk e mbështetë. Të vetmin argument që e përdorë është aludimi se “plani” i këtyre liderëve është i koordinuar dhe se, siç thuhet, “këtë mund të mos e besojnë vetëm naivët”.

Tutje në këtë artikull thuhet se “Kurti, Plenkoviq dhe Izetbegoviq nuk zgjodhën rastësisht të njëjtin moment kur Serbia po vuan një presion të madh nga perëndimi për shkak të politikave neutrale dhe sovrane”.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin informativ “24sedam.rs”:

https://24sedam.rs/politika/vesti/153585/balkanska-antisrpska-koalicija-napadaju-srbiju-po-nalogu-zapada/vest


Artikulli që i paraprinë pretendimeve të tilla është ai i publikuar në portalin informativ “24sedam.rs” me datë 9 gusht në të cilin pretendohet për një fushatë të përbashkët të kroatëve dhe shqiptarëve kundër Serbisë.

Artikulli interpreton deklaratat e kryeministrit të Kroacisë se Serbia nuk donë të pranojnë përgjegjësinë e tyre gjatë regjimit të Millosheviqit (shih këtu) dhe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili paralajmëron për “rrezik të lartë konflikti”. (“La Republicca”, “Radio Evropa e Lirë” dhe “Reuters”)

Në kuadër te pretendimeve të njëjta, portali informativ serb “Informer.rs” dje (11 gusht) ka publikuar një artikull me titull “BAKIR DHE KURTI I TUNDIN ARMËT! Ata bëjnë thirrje për luftë, dhe për çdo gjë mundohen të fajësojnë Serbinë!”. Në artikullin e publikuar hidhen pretendimet se kryetari i partisë boshnjake SDA, Bakir Izetbegoviq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëri tundin armët dhe i shpallin luftë Serbisë.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin informativ “Informer.rs”:

https://informer.rs/vesti/politika/726557/bakir-izetbegovic-aljbin-kurti-rat


Po ashtu, sot (12 gusht) mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull në përmbajtjen e së cilit pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe lideri i Boshnjakëve të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Bekir Izetbegoviq “duan luftë kundër Serbisë”.

Ky pretendim i këtij mediumi serb është ndërtuar nga keqinterpretimi i deklaratave të kryeministrit Kurti dhe liderit politik boshnjakëve në BeH, Izetbegoviq.

Në fakt, deklaratat e këtyre dy liderëve rajonalë, përmbajnë shqetësimin për nxitje të një konflikti nga ana e Serbisë, dhe jo koordinim për luftë, siç pretendohet në artikull.


Vegëza e artikullit të publikuar në gazetën serbe “Alo.rs”:

https://www.alo.rs/vesti/politika/660387/planirane-likvidacije-srba-na-severu-kim/vest?fbclid=IwAR2_cxIzQx7-adsSp_NkXCuxTc9wgy3HTvGCg_-TdUim-TIE5slmyVoPkD0


Analiza:

I gjithë pretendimi i mediumit serb niset nga interpretimi i shtrembëruar i deklaratave të liderëve të Ballkanit (Kurti, Plenkoviq, Izetbegoviq). Artikujt e publikuar në mediumet serbe “Alo.rs”, “24sedam.rs” dhe “Informer.rs” bëjnë interpretim tendencioz të deklaratave të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe liderit politik të boshnjakëve të BeH, Bekir Izetbegoviq, duke synuar t’i paraqes ato si pjesë e një koordinimi të këtyre tre liderëve për një luftë të përbashkët ndaj Serbisë e mbështetur dhe përkrahur nga Perëndimi.

Kryeministri kroat, Andrej Petkoviq, në Ditën e Veteranëve Kroatë dhe 27 vjetorin e operacionit të policisë ushtarake “Stuhia” (Oluja) deklarojë se fatkeqësisht, Serbia nuk bashkëpunon as në ndjekjen penale të kriminelëve të luftës.

Izetbegoviq në një deklaratë të dhënë me rastin e 32 vjetorit të themelimit të Komitetit Komunal të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), thotë se Serbia po armatoset dhe se po e promovon “botën serbe” (srpski svet), dhe thekson se Serbia është shkaktar i tensioneve duke mos lënë hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan.

Nga ana tjetër Albin Kurti në intervistat e dhëna për “La Republicca”, “Radio Evropa e Lirë” dhe “Reuters” e potencon faktin se ekziston mundësia e ngritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja.

Në fakt, deklaratat e këtyre tre liderëve rajonalë, përmbajnë shqetësimin për nxitje të një konflikti nga ana e Serbisë dhe mos bashkëpunimi për stabilitet në rajon, dhe jo koordinim për luftë, siç pretendohet në artikull.

Ky pretendim për një koalicion ndërmjet Kurtit, Plenkoviqit dh Izetbegoviqit i përkrahur nga perëndimi për t’i luftuar serbët që bëhet nga autorët e artikujve të publikuara në mediumet përkatëse, janë të  pabazuara në të dhëna argumentuese.

Bazuar në metodologjinë e punës, pretendimin i mediumeve serbe për një koalicion ndërmjet tre liderëve për t’i luftuar serbët hibrid.info e vlerëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others