[email protected]
Pretendimi se Gjokoviq është arrestuar në Australi është i pavërtetë
shape
shape
shape

Mediat serbe, duke cituar eksperten serbe në fushën e migracionit, politologia Nina Markoviq Kaze, kanë raportuar se tenisti serb, Novak Gjokoviq, do të arrestohet në Australi.

Përveç mediumeve serbe, artikull me pretendim të njëjtë ka bërë edhe mediumi britanik “Skynews”, duke cituar të njëjtin burim.

Mirëpo, këtë pretendim e kanë hedhur poshtë autoritetet australiane. Tenisti serb, të cilit aktualisht nuk po i lejohet kalimi për në Australi, si shkak i problemeve me viza (shih këtu), sipas autoriteteve të këtij shteti, nuk është arrestuar.

Sot, në orët e para të ditës (10 janar), Gjokoviq fitoi një betejë ligjore kundër vendimit të qeverisë australiane për të anuluar vizën e tij, pasi një gjykatës vendosi se zyrtarët e kufirit kishin qenë “të paarsyeshëm” në vendimin e tyre për t’i dhënë atij një njoftim dëbimi të enjten e kaluar.

Megjithatë, gjykatësi Anthony Kelly vuri në dukje se ministri australian i imigracionit, Alex Hawke, ka lënë të hapur mundësinë që ylli i tenisit të dëbohet dhe që t’i ndalohet potencialisht hyrja në Australi deri në tre vjet, pavarësisht nga vendimi i sotëm (shih këtu).

Në anën tjetër, media serbe por edhe disa ndërkombëtare, kanë rënë pre e deklaratës së politologes serbe. Nina Markoviq Kaze, në një intervistë për emisionin e mëngjesit në televizionin serb “Prva” të realizuar sot (10 janar) ka pretenduar se, nga burime të dorës së parë të autoriteteve në qytetin e Melbourne se do ta arrestojnë Gjokoviqin.

Pjesë nga intervista e Nina Markoviq Kaze, të përkthyera në gjuhën shqipe:

Para  dhjetë minutash kam dëgjuar nga dora e parë në Melbourne se zyrtarë të zyrës për Migracion po qëndrojnë para zyrës së avokatit të Gjokoviqit dhe po i kërkojnë atij që të shkoj me ta që ta arrestojnë dhe deportojnë.

Vegëza e këtij emisioni, të publikuar në B92:

https://www.b92.net/sport/tenis/vesti.php?yyyy=2022&mm=01&dd=10&nav_id=2085680

I njëjti pretendim është publikuar edhe nga mediumi britanik “Skynews” (shih këtu).

Mirëpo, autoritetet australiane i kanë mohuar këto raportime. Sipas “Sydney Morning Herald”, Qeveria në Australi, përkatësisht ministri për Migracion, Alex Hawke, ende nuk ka marr vendim për deportim të Gjokoviqit. Në raportimin e Herald gjithashtu thuhet se ministri i imigracionit nuk do të marrë një vendim nëse do t’i anulojë vizën Gjokoviqit deri nesër, dhe se tenisti është ‘i lirë të largohet’ pa u arrestuar. (shih këtu)


Analiza:

Mediumet e trajtuar në këtë analizë të hibrid.info, kanë publikuar artikuj duke u bazuar në një deklaratë të një përfaqësuese të një organizate për migracion në Serbi, Nina Markoviq Kaze, e cila ka bërë pretendim të bazuar në informacione në Australi. Për më tepër, ajo ka deklaruar se tenisti serb, Novak Gjokoviq, është arrestuar, ndërsa në anën tjetër thotë se ai po pritet nga disa policë, pra nuk është se ka ndodhur një veprim i tillë.

Gjithashtu, ky pretendim i kësaj politologe serbe, është demantuar nga institucionet australiane.

Bazuar në këto fakte, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e pa verifikuar”.



Arsyetimi:

Vlerësimi “e pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others