[email protected]
Vuçeviq pretendon pa fakte se Kurti po planifikon t’i marrë me forcë katër komunat veriore
shape
shape
shape

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, me 14 maj në emisionin “Novo Jutro” (Mëngjesi i ri) ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përgatit aksione për t’i marrë fizikisht katër komunat veriore.

Ai ka pretenduar pa fakte se Kurti ka një plan që më 28 maj t’i marrë fizikisht ato komuna, t’i rrëzojë të gjitha simbolet serbe dhe të hyjë në një konfrontim me shumicën absolute të popullatës.

Të gjitha këto pretendime, Vuçeviq, i ka ngritur duke pretenduar se me datë 28 maj, katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore do ta pranojnë detyrën, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën më 23 prill.


Vegëza e intervistës së Vuçeviqit dhënë për emisionin “Novo Jutro” (Mëngjesi i ri):


Në minutën 14:10, Vuçeviq ngrit pretendimin se Kurti po përgatit aksione për t’i marrë fizikisht katër komunat veriore.

“Fatkeqësisht, shumë njerëz e shfrytëzojnë fatkeqësinë tonë për ta rritur presionin ndaj nesh apo për ta arritur qëllimin e tyre – që Kosova të jetë shtet i pavarur. Kurti vazhdon të përgatisë aksione për t’i marrë fizikisht këto katër komuna në veri të Kosovës dhe nuk është shumë i tronditur nga ngjarja jonë tragjike, sepse ai e sheh atë si një vrull që i jep njëfarë avantazhi, sepse këtu jemi përsëri të përçarë”, tha Vuçeviq në emisionin “Novo Jutro” (Mëngjesi i ri).

Ndërsa nga minuta 15:15, ministri serb i Mbrojtjes pretendon pa fakte se Kurti, më 28 maj, ka një plan që t’i marrë fizikisht ato komuna, t’i rrëzojë të gjitha simbolet serbe dhe të hyjë në një konfrontim me shumicën absolute të popullatës.

Të gjitha këto pretendime, Vuçeviq i ngrit duke mos i bazuar në asnjë fakt.


Duhet cekur se zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore, kishin kaluar pa ndonjë ekses edhe pse me pjesëmarrje të vogël të votuesve. (shih këtu)

Edhe reagimi i Ambasadës amerikane në Kosovë për zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, u konsiderua i rregullt, e që në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ato u mbajtën në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. (shih këtu)

Po ashtu, i dërguari special i BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, është shprehur se zgjedhjet ishin legale, por sipas tij, rezultati nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme politike. (shih këtu)

Pra, këto fakte shtesë e zbehin edhe më shumë pretendimin e Vuçeviqit, siç shprehet ai, për një plan të Kurtit për t’i marrë fizikisht katër komunat veriore.


Analiza:

Pretendimi i ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, se Kurti më po planifikon t’i marrë fizikisht katër komunat veriore, është tërësisht e pabazuar.

Gjithashtu, ai vazhdon të pretendojë se Kurti me datë 28 maj planifikon t’i rrëzojë të gjitha simbolet serbe dhe të hyjë në një konfrontim me shumicën absolute të popullatës, është i pa bazuar në asnjë fakt që dëshmon një gjë të tillë.

Për këtë arsye, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të Vuçeviqit  si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others