[email protected]
Pretendimi se Kurti do t’i dëbojë serbët nga Kosova me dhunë, i pabazë
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull sot (4 maj) me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konfirmuar që do t’i dëbojë serbët nga Kosova me dhunë.

Ky pretendim është ngritur duke u ndërlidhur me vendimin për lirimin nga detyra të ekipit menaxhues që ishte përgjegjës për krijimin dhe hartimin e draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Mirëpo, përpos vendimit për lirimit të bordit, ky interpretim që e paraqet atë si qëllim të Kurtit për çrrënjosje (asgjësim) të serbëve në Kosovës, nuk bazohet në asnjë fakt shtesë.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer.rs”:

https://informer.rs/vesti/politika/790677/aljbin-kurti-kosovo-srbi-proterivanje

Pjesë të artikullit të publikuar në “Informer.rs”:

I ashtuquajturi kryeministër i shtetit të rremë të Kosovës, Albin Kurti, shkarkoi Ekipin Menaxhues për hartimin e statutit të Bashkimit të Komunave Serbe (USO) dhe kështu zyrtarisht filloi të përmbushë qëllimin e tij përfundimtar – shfarosjen e të gjithë serbëve nga Kosova dhe Kosovë!!!


Pretendimin se Kurti kërkon dëbimin e serbëve nga Kosova, e ka bërë edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit në Bruksel. Sipas tij, Prishtina zyrtare ka mohuar draft statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues dhe se Kurti, sipas tij, nuk ishte i gatshëm të pajtohej me të dhe se nuk ishte i interesuar për formimin e  Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. (këtu)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit trelateral ka folur rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e bërë të ditur se drafti-statuti i prezantuar është thelbësisht i papajtueshëm me Kushtetutën.

“Në këtë takim të sotëm pas marrëveshjes për të pagjeturit, ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues i cili prezantoi një draft-statut në gjithsej 67 nene dhe më pastaj dhamë qëndrimin tonë se një draft-statut i tillë është fondamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën…” (këtu)

Po ashtu, Kurti deklaroi se “serbët duhet të jetojnë në shtetin tonë, të jenë anëtarë me të drejta dhe obligime në shoqërinë tonë dhe në këtë mënyrë bashkërisht të krijojmë shoqëri e cila është kohezive së brendshmi dhe që nuk e lë askënd prapa,” duke prezantuar kështu edhe draft-vizionin e tij përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur parasysh edhe nenin 10, çfarë do të duhej të ishte korniza e cila e rregullon çështjen e komunitetit serb në Kosovë. Kurti theksoi faktin se në përpilimin e këtij draft-vizioni  është frymëzuar nga marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve, Kroaci-Serbi, ku parashihen edhe të drejta, dispozita mbrojtëse për pakicën kombëtare serbe në Kroaci. (këtu)

Në draft-vizionin e tij, Kurti nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por thirret në Nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh një nivel të vetë-menaxhimit për komunitetin serb. Për ta arritur këtë, sipas Kurtit, një draft-statut duhet t’i plotësojë disa kushte – mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”. Pastaj, sipas Kurtit, duhet të parashihet mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Në këtë dokument të Kurtit thuhet, po ashtu, se pjesëtarët e komunitetit serb duhet të kenë kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë, por përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës. Aty, gjithashtu, theksohet se do të mund të themelohen asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe asociacione të natyrave të ndryshme për “shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb”, bazuar në ligjet aktuale për ushtrimin e shërbimeve jofitimprurëse. (këtu)

Ofrimi i një draft-vizioni për të rregulluar të drejtat dhe dispozitat e komunitetit serb në Kosovës tregon interesimin e Prishtinës zyrtare për rregullimin dhe integrimin të këtij komuniteti në Kosovë, e jo ndonjë qëllim për çrrënjosjen e tyre, siç pretendohet.

Vetë ofrimi i një draft-vizioni nga ana Kurtit, shfaq interesimin e tij për rregullimin e kësaj çështjeje dhe nuk parashihet ndonjë tendencë për mos krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Edhe pse nuk e quan në mënyrë specifike si Asociacion ai parasheh një nivel vetmenaxhimi për komunitetin serb duke u thirrur në nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit.


Analiza:

Faktet e ofruara tregojnë se kryeministri Kurti ka plan për rregullimin e të drejtave dhe dispozitave të komunitetit serb në Kosovës. Përkundër që u refuzua draft-statuti i përpiluar nga ekipi menaxhues Kurti ofroi draft-vizionin e tij, duke theksuar faktin se serbët duhet të jetojnë në shtetin e Kosovës me të drejtat dhe obligimet e tyre.

Prandaj, pretendimet se Kurti e ka konfirmuar që do t’i dëbojë serbët nga Kosova me dhunë dhe se nuk është i interesuar të formoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është i pabazë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendimin e cilëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others