[email protected]
Pretendohet rrejshëm se pamjet paraqesin shërbimin ushtarak në Kiev, duke rekrutuar me forcë një qytetar ukrainas
shape
shape
shape

Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis” ka publikuar një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin shërbimin ushtarak në Kiev (Ukrainë) duke rekrutuar me forcë një qytetar.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur video-materiali i njëjtë i publikuar në mediat online në Ukrainë, ku thuhet se nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje dhe se policia e patrulluese në qytetin Chernitvsi ka nisur një hetim zyrtar.

Gjithashtu, në mediumin online ukrainas “molbuk.ua”, thuhet se video është xhiruar në qytetin Chernivstsi, e jo në Kiev, siç pretendohet nga faqja “The Reis” në Facebook.


Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “The Reis”:

https://www.facebook.com/61556592554058/videos/2451742605009198/


Përshkrimi i video-materialit i publikuar në Facebook nga faqja “The Reis”:

Ukrainasit rekrutohen me forcë në shërbimin ushtarak në Kiev.

Zelensky vazhdon të hedhë njerëzit e tij përballë bombardimeve të tmerrshme ruse për hir të interesave të SHBA-së dhe Britanisë.


Hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar në mediumin ukrainas “promin.cv.ua”, ku thuhet se në Chernivtsi, persona të panjohur rrëmbyen një burrë në mes të ditës dhe e hodhën në një minibus. (këtu)

Mirëpo, mediumi ukrainas “molbuk.ua”, duke iu referuar përgjigjes së policisë patrulluese në qytetin Chernitvsi, thotë “Policia patrulluese e Chernivtsi ka nisur një hetim zyrtar për veprimet e oficerëve të zbatimit të ligjit, në prani të të cilëve ushtarakët e çuan burrin në makinë”. (këtu)

Pjesë nga artikulli i publikuar në mediumin ukrainas “molbuk.ua”, i përkthyer në shqip:

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse planifikohet të bëhet një rishikim zyrtar i veprimeve të policëve patrullues, në prani të të cilëve forca ushtarake futi me forcë një person në mikrobus, policia ka dhënë këtë përgjigje: “Menaxhmenti i policisë patrulluese ka marrë vendim për të caktuar hetim zyrtar”.

Më herët në mediat lokale është shpërndarë një video në të cilën me sa duket njerëz me uniformë ushtarake tërheqin një burrë në një minibus. Dy punëtorë me uniforma policie qëndrojnë aty pranë. Publiku e komentoi videon si “rrëmbim”. Policia patrulluese e Chernivtsi e mohoi informacionin, duke e cilësuar atë jo të besueshëm.


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se nuk ka fakte që e mbështesin pretendimin e faqes “The Reis”, se pamjet paraqesin ushtrinë ukrainase duke e rekrutuar me forcë një qytetar.

Po ashtu, pretendimi se ngjarja ka ndodhur në Kiev, nuk qëndron. Kjo për faktin se bazuar në mediat online në Ukrainë, sqarohet se videoja është xhiruar në qytetin Chernitvsi.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të faqes “The Reis” si “Përmbajtje e pa verifikuar” dhe “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others