[email protected]
Publikohen artikuj me tituj që nuk qartësojnë vendin e ngjarjes
shape
shape
shape

Gjatë hulumtimit ditor (24 orë) të kryer nga hibrid.info, janë gjetur disa artikuj me tituj përgjithësues (Clickbait), që nuk tregojnë vendndodhjen e ngjarjeve.

Këta artikuj janë publikuar nga portali informativ “Kosova-sot.info”, me të cilët synohet tërheqja e lexuesve që të klikojnë në ta, ndërsa ngjarjet qartësohen vetëm në përmbajtje.

Duke ditur se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarjet kanë të bëjnë me dhe rreth vendit.


Artikulli me titull “Shpërthim i fuqishëm në një xhami, raportohet për viktima”, ka të bëjë me një ngjarje që ka ndodhur në një xhami në Kabul, ndërsa kjo nuk bëhet e ditur as në titull e as në fotografi. (shih këtu)


Në artikullin tjetër me titull “Shteti trajnon rekrutët për luftë”, bëhet fjalë për ushtrinë britanike, e cila është zotuar që për 120 ditë do të trajnojë 10.000 rekrutë ukrainas në gjuajtje, dhënien e ndihmës së parë luftarake dhe për beteja në qytete, në përpjekje për të çliruar territorin e mbajtur nga pushtuesit rusë. (shih këtu)

As në titullin e këtij artikulli nuk qartësohet se cili shtet ka marrë një vendim të tillë.


I njëjti veprim gjendet edhe në artikullin me titull “Gjykata kërkon kufizim të shpejtësisë prej 200 kilometra në orë nëpër autostrada”, që lë të kuptohet se kërkesa për një vendim të tillë është marrë nga ndonjë Gjykatë në Kosovë, ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se lajmi ka të bëjë me shtetin e Gjermanisë. (shih këtu)


Analiza:

Portali “kosova-sot.info” në publikimin e artikujve të lartcekur duket se qëllimshëm i ka vënë tituj dhe fotografi përgjithësuese, duke mos e bërë të qartë se ngjarjet kanë të bëjnë me shtete të tjera, kështu duke lënë vend për keqinformim te lexuesit. Gjithçka qartësohet vetëm pasi lexuesit të hyjnë në përmbajtje.

Pas analizës së kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, këta artikujt vlerësohen si “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others