[email protected]
Publikohet imazh me të dhëna të pa verifikuara për rritje të pagave të mësimdhënësve
shape
shape
shape

Një fotografi me pretendim të pabazë për rritje të pagave në sektorin publik është shpërndarë në rrjetin social Facebook nga disa përdorues.

Kjo fotografi ka të dhënat e njëjta me publikimin e bërë nga Instituti për studime arsimore “Edguard” më 26 gusht, i cili kishte pretenduar se koeficienti 1-18, i përcaktuar në projekt-ligjin e ri për paga, i proceduar nga Qeveria e Kosovës ka vlerën 120 euro. (shih këtu)

Fotografia e publikuar gjatë dy ditëve të fundit (5 dhe 6 shtator) ka të njëjtat të dhëna me atë të “EdGuard”, por i është ndërruar dizajni si dhe nuk ofron informata shtesë.

Në këtë fotografi vetëm pretendohet se në të janë publikuar pagat me rritje për mësimdhënësit sipas ligjit të ri.

Këtë fotografi të ridizajnuar dhe pa informata shtesë e kanë publikuar shumë përdorues në Facebook bazuar në kërkimet e bëra nga hibrid.info. (shih disa këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Postimi i bërë nga “EdGuard” më 26 gusht, i cili është identik me këtë që aktualisht po shpërndahet në rrjete sociale, është verifikuar nga hibrid.info, e që është vlerësuar si “Përmbajtje e pa verifikuar”. (shih këtu)

“EdGuard” ka publikuar vetëm për rritjen e pagave për mësimdhënësit e arsimit para universitar. Ndonëse thuhet se pretendimin e ka të bazuar në të dhënat e projektligjit të ri për paga, nuk arrihet të argumentohet një gjë e tillë, duke pasur parasysh se dokumentit i draftit të projektligjit nuk është publik.


Për më tepër, sipas raportimit të mediave të cilat kanë arritur që, përmes burimeve,  të sigurojnë kopje e dokumentit të projektligjit të ri, e bëjnë të qartë se vlera monetare e koeficientit ende nuk është e përcaktuar dhe këto kalkulime për paga po krijojnë huti tek mësimdhënësit.

Kjo vlerë vazhdon të mbetet vetëm si pjesë e diskutimeve në kuadër të anëtarëve të grupeve punuese ndër-ministrore të këtij projektligji.

Hibrid.info ka kërkuar të gjejë dokumentin e projektligjin për paga, por nuk është gjetur i publikuar në faqet zyrtare Ministria e Punëve të Brendshme: Administrata Publike (MPBAP). (shih këtu, këtu dhe këtu)


Duke e ditur se ky draft i këtij projektligji është ende në kuadër të diskutimeve brenda autoriteteve qeveritare të parapara me procedura (shih këtu) është vështirë të dihet përmbajtja e tij.

Po ashtu, kjo vlerë monetare, sipas raportimit të mediave vazhdon të mbetet vetëm në kuadër të diskutimeve brenda grupeve punuese të projektligjit, por jo edhe pjesë e draftit të dokumentit, siç pretendohet në postimin e “EdGuard”. Sipas mediave që e kanë siguruar një kopje të draftit të projektligjit, një vlerë e tillë nuk ceket aty. (shih këtu)


Analiza:

Gjatë dy ditëve të fundit (5 dhe 6 shtator) është duke qarkulluar një fotografi me grafikë të kalkulimit për rritje të pagave për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar.

Kjo fotografi ka të dhënat e njëjta me atë paraprake të publikuar më 26 gusht nga Instituti për studime arsimore “Edguard”, por që është ridizajnuar dhe nuk ofron informata shtesë se nga kush është krijuar.

Ndryshe, Instituti “EdGuard” duke u thirrur në projektligjin e ri për paga ka pretenduar se koeficienti 1-18 kap vlerën 120 euro, përkundër që ende nuk ka ndonjë draft të këtij dokumenti të hapur për publik.

Kështu që, hibrid.info, ka vlerësuar se ky material i shpërndarë gjatë dy ditëve të fundit është “i pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others