Përgatiti: Festim Rizanaj
Lajmet e rreme, clickbait artikujt dhe teoritë konspirative janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.
Lajmet e rreme u publikuan në media sociale dhe media tradicionale. Në media sociale u publikua një sondazh i rreme për garën për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë dhe deklaratë e rreme se Ismail Kadare ka thënë “Albin Kurti u kthye në një vrasës të shpresës në Kosovë”. Në media tradicionale u publikua pretendimi i rremë se këtë muaj është realizuar një sondazh nga Insitituti Demokratik Kombëtar (NDI), ku pasqyron përkrahjen e qytetarëve për partitë politike në Kosovë.
Clickbait artikujt u publikuan në media reale. Përmbajtjet clickbait për ngjarje të tragjike të ndodhur në Greqi e që nuk bëhej e ditur në titull. Tituj çorientues se Kurti kërkon postin e presidentit, si rezultat i sherrit me presidenten Osmani; se Edi Rama po e përdor Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK-së, për ta goditur kryeministrin Kurti. Në këto artikuj nuk bëhet e ditur në titull se janë shkrime opinioniste.
Teoritë konspirative janë publikuar nga mediat në gjuhën serbe. Në këto media u publikuan pretendime pa fakte se “Kurti heq kujdesin shëndetësor për ta përmbyllur spastrimin etnik”; se kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij në përvjetorin e 146-të të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë, “jemi duke punuar për një shekull e gjysmë për të krijuar një Shqipëri të madhe”; se “Kurti po përgatit fëmijët në shkolla për një luftë të re me serbët në Kosovë!”.
Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në media sociale. U publikua një vegëz me pretendimin se qytetarët mund të shohin se sa para do të marrin nga një plan i pretenduar i subvencionimit të pensioneve; si dhe një imazh i manipuluar, që shfaq pamjet e një proteste, ku në pankartën e protestuesve, shihet portreti i ish-presidentit, Hashim Thaçi, me mbishkrimin “Kush është kundër gjykatës është kundër Kosovës”.
Manipulim i faktve/Dezinformatë është vlerësuar pretendimi i manipuluar në mediat në gjuhën serbe në lidhje me etninë e këngëtares me prejardhje nga Kosova e me famë botërore, Dua Lipa, për të cilën pretenduan se është e lindur në Serbi.
Dezinformata u publikuan në media sociale lidhur me pretendimin për rekrutimin e vajzave të reja ukrainase për të luftuar kundër Rusisë, si dhe pretendimi se Edi Rama në një tekst të botuar në vitin 1994, kishte shkruar se “Rugova është Presidenti kosovar i Sali Berishës, është i poshtër dhe ne det futet me shall”.
Lajm i rremë
Llogaria “albinkurti_kryeminister” ka publikuar një fotografi në TikTok për të cilën ka pretenduar se janë shifrat nga një sondazh i fundit për garën për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se për këto shifra s’ka pasur raportim kohëve të fundit dhe se fotografia e publikuar në prapavijë është marrë nga një publikim i mëhershëm prej “telegrafi.com”. (këtu)
Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare ka deklaruar se “Albin Kurti u kthye ne nje “vrasēs” tē shpresēs nē Kosovë”. Kjo fotografi që paraqet një artikull, është publikuar në datat 10 dhe 11 qershor, në TikTok nga disa llogari. Në bazë të deklarimeve publike të gjetura, shkrimtari asnjëherë nuk e ka komentuar në formë të drejtpërdrejtë rolin apo personalitetin e kryeministrit Kurti. (këtu)
Është publikuar një artikull me pretendimin se këtë muaj është realizuar një sondazh nga Insitituti Demokratik Kombëtar (NDI), ku pasqyron përkrahjen e qytetarëve për partitë politike në Kosovë. Lajmi është publikuar më 13 qershor nga portali në gjuhën shqipe “Paparaci.com” me titull “Sondazhi i fundit i NDI: Rënie e madhe e Vetëvendosjes, PDK-ja e dyta”. Të kontaktuar nga hibrid.info, në NDI kanë mohuar vërtetësinë e këtij lajmi duke e quajtur “lajm të rremë”. E gjithë përmbajtja e artikullit, të dhënat e pretenduara të paraqiten si të vërteta nga autori dhe redaksia, janë mohuar tërësisht nga pala e apostrofuar, në këtë rast NDI. (këtu)
Clickbait
Portali “ntv.al” ka publikuar një artikull me titullin “Kurti kërkon postin e presidentit, qëllimi i sherrit të stisur dhe synimi i Osmanit”. Si imazh për ta ilustruar artikullin është përdorur një fotografi në të cilin shihen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani. Titulli e paraqet si fakt se kryeministri Kurti e dëshiron postin e presidentit dhe se kjo është arsyeja e përplasjes me Osmanin. Në titull nuk sqarohet se ky është mendim i analistit Ognjen Karanoviq. (këtu)
Publikohet një artikull i titulluar “Gjendet një trup i pajetë, dyshohet se është i doktorit të njohur”. Lajmi është publikuar më 9 qershor nga portali me përmbajtje në gjuhën shqipe, “kosova-sot.info”. Në titull nuk bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Greqi. (këtu)
Nëpërmjet një titulli është pretenduar si fakt i kryer se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po e përdor si vegël kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për ta sulmuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Publikimi është bërë nga portali “ntv.al” të mërkurën (12 qershor). Në fotografi janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari i LDK-së, Abdixhiku. Titulli dhe fotografia lënë vend për keqinformim, pasi përmes tyre nuk tregohet se bëhet fjalë për një shkrim autorial të Faton Mehmetit. (këtu)
Teori konspirative
E përditshmja në gjuhën serbe “Politika.rs” ka publikuar në faqen e saj online një artikull (10 qershor) përmes të cilit pretendon se “Kurti heq kujdesin shëndetësor për ta përmbyllur spastrimin etnik”. Artikulli i referohet aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Kosovës ndaj dy të pandehurave të cilat kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore në aneksin e objektit të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga Hibrid.info, u vërtetua se e përditshmja në gjuhën serbe “politika.rs”, ka publikuar përmbajtje të paverifikueshme informative në artikullin me titull “Kurti heq kujdesin shëndetësor për të përmbyllur spastrimin etnik”. (këtu)
Në median “Alo.rs” në gjuhën serbe u pretendua se kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij në përvjetorin e 146 të Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt me 10 qershor, ka thënë, “jemi duke punuar për një shekull e gjysmë për të krijuar një Shqipëri të madhe”, e që sipas këtij mediumi, ai ka shprehur kështu aspiratat për “Shqipërinë e madhe”. Pas verifikimit të fakteve, Kurti në fjalimin e mbajtur në Prizren në asnjë rast nuk e ka përmendur termin “Shqipëri e madhe”. (këtu)
Në mediumin në gjuhën serbe “Informer.rs” është publikuar një artikull me pretendimin në titull se kryeministri “Kurti po përgatit fëmijët në shkolla për një luftë të re me serbët në Kosovë!”. Ky pretendim i referohet një deklarate të kryeministrit të Kosovës të bërë gjatë takimit me mërgatën në Stamboll, gjatë vizitës së tij më 2 qershor. Pas verifikimit të deklaratës së Kurtit, është gjetur se ai nuk është deklaruar se është duke i përgatitur fëmijët për një luftë të re me serbët. (këtu)
Mashtrim
Është publikuar në rrjetin social “Facebook” një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon se qytetarët mund të shohin se sa para do të marrin nga një plan i pretenduar i subvencionimit të pensioneve. Kjo vegëz është publikuar (5 qershor) nga një faqe në Facebook me emrin “Life Help”. Nga kontrollimi që Hibrid.info i ka bërë kësaj faqeje, del se e njëjta nuk ofron mundësinë e pretenduar. (këtu)
Është gjetur i publikuar një imazh, që shfaq pamjet e një proteste, ku në pankartën e protestuesve, shihet portreti i ish-presidentit, Hashim Thaçi, me mbishkrimin “Kush eshte kunder gjykates eshte kunder Kosoves”. Kjo fotografi është publikuar në TikTok, më 6 janar nga llogaria me emrin “albinkurti.official”. Mbishkrimi në pankartën e fotografisë së paraqitur, është i manipuluar. Imazhi autentik tregon se protestuesit në fakt mbanin pankartë me mbishkrimin, “Jo në emrin tim”. (këtu)
Manipulim i fakteve/Dezinformatë
Mediat në gjuhën serbe kanë filluar të manipulojnë në lidhje me etninë e këngëtares me prejardhje nga Kosova e me famë botërore, Dua Lipa. Të dielën e kësaj fundjave që lamë pas (9 qershor), Lipa mbajti një koncert në qytetin Pula të Kroacisë. E derisa po e interpretonte hitin e saj “Be the one”, Lipa në “Pula Arena” publikut iu drejtua me fjalët “ajmo ljudi” (“hajdeni njerëz”). Veç kësaj, mediat raportojnë se Lipa përshëndeti që në hyrje publikun me fjalët “Dobro veče, Pula” (“Mirëmbrëma, Pula”). Mediat serbe kanë pretenduar pa fakte se Dua Lipa, bazuar në komentet që ajo i bëri gjatë koncertit të saj më 9 qershor në Pula të Kroacisë, ka lindur në Serbi. (këtu)
Dezinformatë
Është publikuar një imazh që paraqet një shkrim të botuar në një gazetë, me autor kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe e titulluar “Vota kundër projektit është votë proteste kundër Sali Berishës”. Kjo fotografi është publikuar me 11 qershor, në faqen e gazetarit Çim Peka në Facebook, me mbishkrimin që pretendon se Rama nëpërmjet këtij teksti, në vitin 1994, kishte shkruar se “Rugova eshte Presidenti kosovar i Sali Berishes, eshte i poshter dhe ne det futet me shall”. Pas verifikimit të këtij artikulli, është gjetur se kryeministri Rama, nuk ka dhënë disa nga cilësimet e pretenduara për ish-presidentin Ibrahim Rugova. (këtu)
Nëpërmjet publikimit të një fotografie është pretenduar për rekrutimin e vajzave të reja ukrainase për të luftuar kundër Rusisë. Postimi është bërë nga llogaria “Investiguesi Shkrimor” në Facebook të premten (15 qershor). Pas verifikimit nga hibrid.info, del se fotografia s’ka të bëjë me rekrutim të vajzave të reja ukrainase, por me homazhet e kryera nga një institut ushtarak ukrainas në nderim të të rënëve. (këtu)
Gabim
Nëpërmjet një artikulli është pretenduar për vrasjen e një 21-vjeçareje nga babai i saj në Prizren. “Krim i rëndë në Prizren, babai i dehur vret vajzën me thikë” është titulli i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “a2news.com” të premten (14 qershor). Artikulli është shpërndarë edhe në disa mediume të tjera me tituj të ngjashëm. Portali në fjalë ka raportuar gabimisht se viktima ka vdekur. Të dhënat zyrtare nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës i të shtunës dhe deklarata e zyrtarëve policorë të premten, tregojnë se viktima është therur me thikë dhe është dërguar për trajtim mjekësor. I dyshuari është arrestuar. (këtu)