Shkroi: Etrit Rexhepi
Përparim Rama, në zgjedhjet lokale për kryetar të Prishtinës në vitin 2021, në programin e tij kishte paraparë planin për ridefinimin e qendrës së kryeqytetit.
“Nën menaxhimin tim, qendra e Prishtinës do të jetë i gjithë ‘Rrethi Qendror’ i qytetit. ‘Rrethin Qendror’ do ta tangjentojnë gjashtë pika kyçe me parkingje nëntokësore. Prej secilës pikë, qasja në qendër do të jetë brenda distancës prej 500 metrave, ose maksimum 7 minuta ecje. Gjithashtu, qytetarët do të kenë mundësi të përdorin transportit publik, i cili do të qarkullojë çdo 7 minuta”, kishte premtuar Rama (shih këtu).
E në një video të publikuar më 23 shtator 2021, Rama e pati paraqitur ridefnimin e qendrës si projekt dyvjeçar.
A u realizua projekti?
Gjatë katër vjetëve të mandatit të Ramës si kryetar i kryeqytetit, hibrid.info ka vërejtur se asnjë nga punët e nisura në disa pjesë të projektit nuk kanë përfunduar, pavarësisht se të njëjtat ishin paraparë të realizoheshin gjatë periudhës në fjalë.

Analiza:
Përparim Rama, në zgjedhjet lokale për kryetar të Prishtinës në vitin 2021, në programin e tij kishte paraparë planin për ridefinimin e qendrës së kryeqytetit. Ai pretendonte se deri në atë kohë, qytetarët e shihnin qendrën vetëm si sheshin “Nënë Tereza”, por se me të në krye, hapësira në fjalë do të zgjerohej dukshëm.
“Nën menaxhimin tim, qendra e Prishtinës do të jetë i gjithë ‘Rrethi Qendror’ i qytetit. ‘Rrethin Qendror’ do ta tangjentojnë gjashtë pika kyçe me parkingje nëntokësore. Prej secilës pikë, qasja në qendër do të jetë brenda distancës prej 500 metrave, ose maksimum 7 minuta ecje. Gjithashtu, qytetarët do të kenë mundësi të përdorin transportit publik, i cili do të qarkullojë çdo 7 minuta”, kishte premtuar ai.
Madje, ai e kishte shpjeguar edhe se si do të dukej zona e qendrës.
“Për momentin e kemi këtë pjesën e sheshit ‘Nëna Terezë’, d.m.th. që sheshi ‘Nëna Terezë’ është i vetmi vend sot ku qytetari e nin veten plotësisht të lirë me i pas fëmijët, me i lanë me nga, d.m.th pleqtë me mujt me u ulë dhe me ecë lirshëm. Unë mendoj që qyteti i Prishtinës ose ‘Zona qendër’ nuk duhet me kanë vetëm kjo pjesa e vogël e sheshit ‘Nëna Terezë’, mirëpo duhet me kanë e gjithë kjo që e shihni me të kuqe. Cila është kjo? Rruga ‘Agim Ramadani’ që shkon kah ‘Qyteti i vjetër’, te tylltorja te ‘Xhamia e Llapit’, mandej pas Pallatit të Rinisë, vjen këtu te rrethi i cili lidhet me Mitrovicë e shkon për Fushë Kosovë, te stacioni i autobusëve aty deri te vendi këtu i flamurit, e sillet përreth të rrokaqiejt e fontanës, aty e Ulpianës edhe ndërlidhet prapë. Do të thotë, kjo duhet të jetë ajo ‘Zona qendër’ ku qytetari është i pari, ku transporti publik është i dyti bashkë me transportin alternativ, ndërsa kerret janë të tretat. Dhe si mund ta bëjmë këta? Para se me bo këtë hierarki, duhet t’i kemi parkingjet të cilat tangjentohen përreth, që i mundësojnë kerreve për shembull me ardhë me u parku edhe përbrenda kësaj zone, prej secilës pikë. Asnjë pikë përbrenda nuk do të jetë më larg se 500 metra, ose 5 -6 minuta, 7 minuta me ecë në këmbë”, kishe thënë Rama (shih këtu).
Ndër të tjera, idetë kyçe të projektit ishin:
- Krijimi i “Sheshit historik të Prishtinës”, lidhje e cila do të vazhdonte deri tek “Rrethi i Flamurit”;
- Ndërlidhja e “Qendrës” me lagjet përreth, përmes platformave të gjelbërta dhe shtigjeve të transportit alternativ;
- Krijimi i gjashtë pikave strategjike që tangjentojnë “Qendrën”, të cilat do të funksiononin si vendparkingje, si dhe do të mundësonin qasje në qendër në distancë jo më larg se 5 minuta ecje në këmbë.

Zgjerimi i “Sheshit historik të Prishtinës” deri tek “Rrethi i Flamurit” nuk është përfunduar. Edhe pse në raportin “Letërnjoftimi i Komunave” të Institutit GAP, shkruan se ky projekt ende nuk ka filluar (shih këtu), hibrid.info ka gjetur se punët për zgjerimin e këtij sheshi në drejtim të “Rrethit të Flamurit” kanë nisur në rrugën “Xhorxh Bush” (shih këtu).
Vazhdimi i sheshit po premtohet nga Rama edhe në fushatën e zgjedhjeve lokale për të parin e kryeqytetit, që do të mbahen më 12 tetor 2025 (shih këtu dhe këtu). Një gjë e tillë konfirmon se projekti në fjalë nuk ka përfunduar gjatë këtij mandati.
Sa i përket ndërlidhjes së lagjeve me qendrën e qytetit, gjatë këtij mandati parashihej lidhja e “Arbërisë”, dhe “Prishtinës së Vjetër” me qendrën e zgjeruar. Gjithashtu, lidhja e sheshit “Nëna Tereza” me zonën e “Qytetit të vjetër” të Prishtinës që parashihej nëpërmjet ndërtimit të nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani” nuk është realizuar.
Në raportin e Institutit GAP, “Letërnjoftimi i Komunave”, shkruan se në vitin e fundit të mandatit është lidhur një kontratë me një operator për hapjen e tunelit në rrugën “Agim Ramadani”. “Disa punë fillestare janë hasur në terren, por me pas ka ndërhyrë Agjencia për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë dhe ka ndaluar punimet, me arsyetimin se komuna nuk është pajisur me lejen përkatëse për të ekzekutuar punime në një zonë të mbrojtur”, thuhet në raport (shih këtu).

Mospërfundimi i këtij projekti konfirmohet edhe në uebfaqen e lansuar që u dedikohet projekteve dhe punëve të realizuara nga kryetari Rama gjatë këtij mandati (shih këtu).

Për ndërlidhjen e lagjes “Arbëria” me “Qendrën”, programi e parashihte këtë nëpërmjet platformës së gjelbër në vazhdimësi të Pallatit të Rinisë, përmbi rrugën e rrethit të brendshëm.
Në raportin “Letërnjoftimi i Komunave” theksohet se puna ka nisur në ndërtimin e platosë që e lidh qendrën e qytetit me lagjen “Arbëria”.

Punimet në këtë projekt po vazhdojnë edhe sipas kryetarit Rama.

Ndërsa, sa u përket parkingjeve nëntokësore, i vetmi në të cilin janë evidentuar se kanë nisur punimet është ai te Xhamia e Re, të cilin raporti “Letërnjoftimi i Komunave” e konsideron të pafilluar. Mirëpo, nga platforma “prishtina.work”, pretendohet se projekti është duke u realizuar.

Përfundimi:
Përparim Rama, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, premtoi ridefinimin e qendrës së Prishtinës me zgjerimin e sheshit “Nëna Terezë”, lidhjen e lagjeve përreth dhe krijimin e gjashtë parkingjeve strategjike.
Por, punët kyçe të parashikuara për mandatin e parë në realizimin e këtij projekti nuk janë përfunduar.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson zotimin si “premtim jo të mbajtur”.
Arsyetimi:
Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.
Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).



