info@hibrid.info
Agim Aliu nuk e realizoi premtimin për ndërtimin e “Tregut të Gjelbër”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Në vitin 2021, në fushatën e zgjedhjeve lokale, u premtua ndërtimi i “Tregut të Gjelbër” në Komunën e Ferizajt. Ky projekt ishte zotim i Agim Aliut, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili gjatë asaj periudhe po garonte për mandatin e dytë radhazi për kreun e komunës në fjalë.

Çka ndodhi me projektin?

Pavarësisht faktit se Agim Aliu mori shumicën e votave për të parin e Komunës së Ferizajt, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në vitin 2021, hibrid.info gjeti se nuk ka pasur punime në terren për realizimin projektit të “Tregut të Gjelbër”, siç ishte premtuar.


Analiza:

Agim Aliu, me anë të një video-materiali të publikuar më 1 tetor 2021, kishte prezantuar projektin për transformimin e “Tregut të Gjelbër”, që sipas tij do të shtrihej në një hapësirë prej 1.5 hektarësh. Projekti parashihte ndërtimin e katër blloqeve moderne me 385 shtande për shitje, hapësira rekreative e gjelbërim, kënde për restorante e kafiteri, si dhe 140 vende parkimi me mundësi zgjerimi nëntokësor (shih këtu).


Hibrid.info ka hulumtuar në llogarinë e Aliut në Facebook për përmbajtje që lidhen me projektin e ndërtimit të “Tregut të Gjelbër”, duke kërkuar me fjalët kyçe “tregu i gjelbër”, por nuk ka hasur në ndonjë publikim që do sqaronte se në çfarë është faze është projekti (shih këtu).

Në të njëjtën mënyrë është bërë hulumtimi përmes makinës së kërkimit “Google” (shih këtu). Nga rezultatet e këtij kërkimi është gjetur vetëm një artikull i publikuar më 2 tetor 2023 nga mediumi “ferizajpress.com”, ku ishte raportuar për mbajten e një konsultimi publik për projektin e “Tregut të Gjelbër” në Ferizaj (shih këtu).

Projekti mungon edhe në të arriturat të cilat i ka paraqitur Aliu në uebfaqen e tij (shih këtu).

Për të vërtetuar edhe më shumë se çfarë ka ndodhur me këtë premtim, hibrid.info kontrolloi raportin “Letërnjoftimi i Komunave” të publikuar më 11 shtator 2025 nga Instituti GAP (shih këtu). Aty, ndërtimi i “Tregut të Gjelbër” konsiderohet si projekt i filluar. Në sqarimin e raportit për këtë premtim thuhet: “Gjatë mandatit 2021–2025 është përfunduar konkursi i projektimit. Është përfunduar projekti detal për ndërtimin e Tregut të Gjelbër në qytet. Komuna është në fazën e kërkimit të donatorëve për bashkëfinancim. Si dhe Kuvendi Komunal ka ndarë lokacionin, por punime në terren nuk ka pasur.


Përfundimi:

Në fushatën zgjedhore të vitit 2021, kryetari Komunës së Ferizajt, Agim Aliu premtoi ndërtimin e “Tregut të Gjelbër” në Ferizaj.

Por, bazuar në postimet zyrtare të Agim Aliut, kërkimet online dhe raportin “Letërnjoftimi i Komunave”, rezulton se projekti për ndërtimin e tregut në fjalë nuk është përfunduar.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin e këtij proejkti si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Share With Others