Faqja në Facebook “Unioni i Shqiptarëve në Evropë – European Union of Albanians”, ka publikuar (6 gusht) një përmbajtje në të cilën shfaqet portreti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Mbi fotografinë është vendosur mbishkrimi: “Edi Rama: Shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia që do ta mbështesin protestën e Flamingove në Tiranë do të shpallen non grata. Mos ndërhyni në çështjet e brendshme të shtetit shqiptar”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Verifikimi i fakteve i kryer nga hibrid.info nuk gjeti asnjë dëshmi që Edi Rama ta ketë bërë një deklaratë të tillë.
FAKTET
Hapi i parë i verifikimit ishte kërkimi në Google i tekstit të deklaratës së pretenduar. Rezultatet nuk treguan se ajo është publikuar nga ndonjë medium apo burim kredibil (shih këtu).
Në imazhin e publikuar nga faqja në Facebook figuron edhe logoja e mediumit Euronews Albania, duke krijuar përshtypjen se deklarata është publikuar nga kjo media. Për këtë arsye, hibrid.info kërkoi në uebfaqen zyrtare të Euronews Albania për të verifikuar nëse deklarata ishte publikuar ndonjëherë.
Megjithatë, kërkimi nuk solli asnjë rezultat. Në seksionin “Search” (Kërko) të uebfaqes shfaqet mesazhi: “Nuk u gjetën rezultate për kërkimin tuaj”, çka tregon se një deklaratë e tillë nuk është publikuar nga ky medium(shih këtu).

Më 20 qershor, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Rama kishte deklaruar se ekziston një përzierje e hatashme ndërkombëtare në protestat kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se qeveria nuk mund të drejtohet nga zhurma apo presioni i rrjeteve sociale.
“Ka një përzierje të hatashme ndërkombëtare, vijnë njerëz nga Kosova, Maqedonia për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve, ndërkohë njerëzit që flasin me arsye e kuptojnë shumë mirë që këtu ka diçka që nuk shkon”, u shpreh Rama, transmeton “Euronews”.
Pra, në asnjë rast Rama nuk ka thënë se “Shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia që do ta mbështesin protestën e Flamingove në Tiranë do të shpallen non grata”, siç pretendohet në përmbajtjen e publikuar në Facebook.
Pak kontekst
Protestat kundër Qeverisë shqiptare kanë hyrë në muajin e tretë. Ato nisën si reagim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, në jug të Shqipërisë.
Gjatë kësaj periudhe, autoritetet shqiptare shpallën persona të padëshiruar dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Bekim Halimin dhe Valon Belën.
Për Belën u lëshua edhe urdhër dëbimi. Sipas Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, masa u mor në bazë të Ligjit për të Huajt, i cili parashikon shpalljen person i padëshiruar të një shtetasi të huaj që vepron ose propagandon kundër sovranitetit, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues apo rendit dhe sigurisë publike.
Në qershor, Bela publikoi në Facebook fotografi nga pjesëmarrja në protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Ndërkohë, Bekim Halimit iu ndalua hyrja në Shqipëri për 10 vjet. Ai është teolog shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i njohur për veprimtarinë e tij fetare dhe studimet e kryera në Jordani (shih artikullin e plotë të publikuar nga REL).
Më 25 qershor, Shqipëria i ndaloi hyrjen për 15 vjet edhe predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti, të cilën autoritetet e cilësuan kërcënim për sigurinë e vendit. Huduti kishte marrë pjesë në protestat kundër Qeverisë Rama (shih artikullin e publikuar nga REL).
Analiza
Një përmbajtje e publikuar në Facebook pretendon në mënyrë të rreme se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që mbështesin protestat në Tiranë do të shpallen persona të padëshiruar.
Në këtë përmbajtje është përdorur edhe logoja e Euroneës Albania, duke krijuar përshtypjen e rreme se deklarata është publikuar nga ky medium. Megjithatë, verifikimi i hibrid.info tregoi se nuk ka prova që Rama ta ketë bërë një deklaratë të tillë, ndërsa Euroneës Albania nuk ka publikuar një lajm apo qëndrim të tillë në uebfaqen e saj.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.