Narrativat paszgjedhore të artikuluara nga zyrtarë dhe media serbe lidhur me zgjedhjet e qershorit 2026 në Kosovë përqendrohen në tri boshtet kryesore: fitoren e Listës Serbe si shprehje e unitetit politik me Beogradin, pretendimet për “vjedhje mandatesh” përmes ndërhyrjes së institucioneve të Kosovës dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, si dhe paraqitjen e një krize të thellë institucionale në Prishtinë. Në këtë kornizë, rezultati zgjedhor interpretohet jo vetëm si zhvillim elektoral, por si dëshmi politike e raportit të forcave ndërmjet komunitetit serb në Kosovë dhe shtetit të Serbisë, duke u shoqëruar me një diskurs të fortë legitimues dhe delegjitimues njëkohësisht.
Fitorja e Listës Serbe si dëshmi e unitetit me Beogradin
Një nga narrativat qendrore është paraqitja e fitores së Listës Serbe si konfirmim i unitetit të plotë politik të serbëve të Kosovës me Beogradin dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Zyrtarë të lartë serbë e kornizojnë këtë rezultat si një akt politik besnikërie dhe rezistence ndaj presioneve të jashtme. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, deklaroi se “kjo fitore tregoi unitetin dhe forcën e palëkundur të popullit serb pavarësisht sulmeve ndaj Listës Serbe”.
Në të njëjtën linjë, drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, theksoi se qytetarët serbë kanë treguar se “i beson vetëm shtetit të tij Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”. Ndërkohë, sipas kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Elek, partia ka siguruar 42,761 vota dhe ka dominuar në të gjitha mjediset serbe, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Lista Serbe ka marrë rreth 14 herë më shumë vota se lista tjetër serbe, në kushte që ai i përshkruan si jashtëzakonisht të vështira. Në këtë mënyrë, rezultati zgjedhor ndërtohet si narrativë e unitetit etnik dhe politik, ku vota interpretohet si shprehje e besnikërisë ndaj Beogradit.
“Inxhinieria politike” dhe pretendimet për vjedhje mandatesh
Një narrativë tjetër qendrore lidhet me akuzat për ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe “vjedhje mandatesh” përmes asaj që zyrtarët serbë e quajnë inxhinieri politike nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Sipas kësaj narrative, ekziston një përpjekje për të devijuar mandatet e garantuara për komunitetin serb dhe për t’ia kaluar ato Nenad Rashiqit me ndihmën e votave shqiptare. Presidenti Vuçiq e ka artikuluar këtë qëndrim në mënyrë të ashpër, duke deklaruar: “Kjo nuk është as inxhinieri, është vjedhje e pastër. Është parashikuar që serbët të kenë dhjetë vende, e jo dikush tjetër që do të votojë për ta”.
Në këtë kontekst, media dhe zyrtarë serbë publikojnë të dhëna për votimin e Rashiqit në zona ku, sipas tyre, nuk jeton më popullatë serbe, si Prizreni me 440 vota, Deçani me 30 vota dhe disa komuna të tjera si Drenasi dhe Podujeva, të cilat përshkruhen si “zona etnikisht të pastruara nga serbët”. Këto të dhëna përdoren për të ndërtuar narrativën e manipulimit zgjedhor.
Në të njëjtën kohë, Nenad Rashiq paraqitet nga Petkoviq si “i preferuari” dhe “shërbëtori” i Kurtit, i cili, sipas kësaj narrative, shërben për të krijuar një imazh të rremë të një qeverie multietnike. Në këtë mënyrë, kundërshtimi politik brenda komunitetit serb delegjitimohet dhe kornizohet si produkt i ndërhyrjes së jashtme politike.
Kriza institucionale
Një tjetër narrativë e rëndësishme është ajo e krizës institucionale në Kosovë, ku zgjedhjet dhe procesi i formimit të qeverisë paraqiten si dëshmi e mosfunksionimit të shtetit. Deputetja Danijela Nikoliq ka deklaruar se “shohim kolapsin e institucioneve të ashtuquajturit shtet të tyre… ai [Kurti] nuk ka me kë të bëjë qeveri sepse askush nuk dëshiron me të”. Në të njëjtën linjë, Petkoviq ka theksuar se Kosova ndodhet në krizë të vazhdueshme që nga shkurti i vitit 2025, duke shtuar se “vetëm Zoti e di se çfarë do të ndodhë atje”. Kjo narrativë synon të përforcojë perceptimin e një shteti të paqëndrueshëm dhe të paaftë për të ndërtuar institucione funksionale, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë me procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij.
Kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare
Një element tjetër i rëndësishëm është kritika ndaj reagimit të aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimit Evropian. Zyrtarët serbë shprehin pakënaqësi ndaj mënyrës se si është interpretuar procesi zgjedhor nga përfaqësuesit evropianë. Petkoviq e ka konsideruar të “papërshtatshëm” urimin e eurokomisioneres Marta Kos për Albin Kurtin përpara përfundimit të numërimit të votave, duke pretenduar se procesi nuk ka qenë “i rregullt” siç është deklaruar. Në të njëjtën kohë, ai akuzon standarde të dyfishta në trajtimin e Kosovës krahasuar me Serbinë, duke deklaruar se në rast të kundërt “pesë herë do të na kishin gozhduar në kryq”, ndërsa sipas tij shkeljet e pretenduara (për vjedhje vote) në Kosovë injorohen. Kjo narrativë synon të delegjitimojë ndërmjetësimin dhe vlerësimet ndërkombëtare mbi procesin zgjedhor.
Atmosfera e “terrorit” dhe “represionit”
Një tjetër linjë narrative lidhet me përshkrimin e zgjedhjeve si të zhvilluara në një atmosferë frike dhe presioni ndaj komunitetit serb. Arrestimet e drejtorëve serbë të institucioneve paralele, si shkollat dhe spitalet, interpretohen si mjete të qëllimshme për frikësim dhe ndikim elektoral. Në këtë kontekst, përfaqësues si Igor Simiq i Listës Serbe theksojnë se mbi 95% e mbështetjes për Listën Serbe në zonat serbe është përgjigje ndaj këtij “represioni institucional”. Kështu, vota paraqitet jo vetëm si zgjedhje politike, por si reagim ndaj një situate të perceptuar si presion sistematik.
Në tërësi, narrativat paszgjedhore mbi zgjedhjet e qershorit 2026 në Kosovë ndërtojnë një kornizë interpretuese ku rezultati elektoral, procesi institucional dhe zhvillimet politike riinterpretohen përmes prizmit të konfliktit etnik dhe përballjes politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Këto narrativa funksionojnë njëkohësisht si mjete të legjitimimit të rezultatit të Listës Serbe dhe delegjitimimit të institucioneve të Kosovës, duke e vendosur diskursin zgjedhor brenda një strukture më të gjerë të polarizimit politik dhe identitar në rajon.
Më 7 qershor, Kosova organizoi zgjedhjet parlamentare. Nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, sipas rezultateve preliminare projektohen 9 ulëse të fituara nga Lista Serbe dhe një nga partia e Nenad Rashiqit (shih këtu).