[email protected]
Ramadani nuk ka folur specifikisht për ndonjë “mafi”
shape
shape
shape

Disa faqe në Facebook kanë postuar sot (16 shkurt) një artikull me titull “Hetem Ramadani: AIbinin, kam frikë se mos po e v.rasin mafia. Ja kush janë kjo mafi!”, artikull ky i publikuar në tetor nga portali i dyshimtë “Specialja.com”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i sajuar, dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes.

Në përmbajtje gjendet pjesë nga intervista e ndërmarrësit Hetem Ramadanit, e realizuar më 2 tetor në emisionin “Kojshia Show”.

Në këtë intervistë, Ramadani ka folur rreth mundësisë për vrasjen e Albin Kurtit nga persona që kanë interes material, të cilët i ka quajtur si “mafi”, por pa specifikuar në detaje se kush mund të jenë ata, apo nga cili grup mafioz vijnë.

Pra, Ramadani këtë fenomen e ka përmendur në formë të gjeneralizuar, pa përmendur se kush është kjo mafi, siç pretendohet rrejshëm në titull.


Vegëza e artikullit të publikuar në Facebook nga faqet “Specialja” dhe “Speciale.com”:

https://www.facebook.com/revistaspecialja/posts/pfbid02PnKoNaVsy8vsKgjLuPuzQRXok6eRJU6j6BwsV4F417DC5fqJiSK4T3TMHuyjaeg4l

https://www.facebook.com/specieale/posts/pfbid033xzmGUmYNe2Hg1JX9G2fFgQBdVfHztGQ9h1ThFUz6yAyjuxxxG5hox5n6W3rmXebl


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur vegëzen e emisionit autentik “Kojshia Show” të publikuar në Youtube me datë 2 tetor 2022. (shih këtu nga minuta 126-të)


Me sistemit mafioz, Ramadani i referohet një grup njerëzish që pasurohen pa djersë e pa punë, dhe këta janë shkatërruesit e shtetit. Sipas tij, Albin Kurti është i rrezikuar të vritet nga këta shkatërrues.

“Me që merrna me fenomene, unë Albinin e kam pa, u kam thënë njerëzve se duke e pa që perspektiva, ai do të vjen një ditë kryeministër, kam thënë ‘kam frikë që mos ta vrajnë mafia’. Njerëzit që kanë interesa materiale dhe kur të shohin se iu rrezikohet, e Albini po i rrezikon. Nuk ka lidhje se deri nesër, ishalla kurrë nuk ndodh, do të thonë që Serbia e vrau”, ishte shprehur ndër të tjerash Ramadani.


Analiza:

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër (tetor 2022) në lidhje me deklaratën e Hetem Ramadanit, i cili atëkohë në emisionin “Kojshia Shoë” kishte thënë se Albin Kurti është i rrezikuar të vritet nga mafia.

Por, faqet e lartcekura, përmes titullit pretendojnë se “dihet mafia që do ta vras Kurtin”.

Në përmbajtje bëhet e qartë se Ramadani nuk ka folur specifikisht për ndonjë emër të grupit mafioz, por vetëm është shprehur se ai rrezikon të vritet nga persona që kanë interes material.

Pra, me anë të titullit, lë të kuptohet se Ramadani ka përmendur ndonjë emër të përveçëm të individëve apo grupeve mafioze, që sipas tij mund ta vrasin Kurtin.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others