Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Imazhe mashtruese të gjeneruara me inteligjencë artificiale lidhur me konfliktin Izrael-Iran

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Të dhënat nga monitorimi i javës së fundit tregojnë se mashtrimet kanë qenë forma mbizotëruese e çrregullimit informativ në hapësirën mediatike dhe digjitale.

Gjatë javës së kaluar, në mediat sociale janë qarkulluar një sërë përmbajtjesh mashtruese të krijuara apo të manipuluara me inteligjencë artificiale, me qëllim mashtrimi të publikut. Disa video dramatike që pretendojnë të tregojnë Aeroportin e Tel Avivit pas një sulmi iranian janë shpërndarë gjerësisht me mbishkrimin “Aeroporti i Tel Avivit”, por pas verifikimit është konstatuar se ato janë të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Po ashtu, më 14 dhe 17 qershor, në Facebook u publikuan dy imazhe të tjera me pretendime të rreme për bombardime në Tel Aviv, përkatësisht nga faqet “Investiguesi Shkrimor” dhe “KosovaLajm.net”, të cilat pas verifikimit rezultuan gjithashtu të krijuara me AI. Ndërkohë, më 16 qershor, faqja “Manager Al 99471” shpërndau fotografi që simulojnë një njoftim sigurie nga “Meta”, duke përdorur një gjuhë alarmuese për të nxitur përdoruesit të japin të dhënat personale – një formë klasike e phishing-ut. Një tjetër rast mashtrimi lidhet me faqen “Zenith Vip Club” në Facebook, e cila paraqitet si klub ekskluziv çiklistësh, por që në fakt promovon një faqe të dyshimtë investimesh me anë të një modeli të dyshimtë “VIP Membership”. Të gjitha këto raste dëshmojnë për rritjen e përhapjes së mashtrimeve vizuale dhe tekstuale të përpunuara për të mashtruar përdoruesit përmes platformave sociale.

Javën që shkoi janë publikuar disa raste dezinformimi që përhapin pretendime të pabazuara në media online dhe rrjete sociale. Portali serb Kossev ka publikuar më 12 dhe 14 qershor dy artikuj lidhur me arrestimin e Arbnor Spahiut, ku ai përshkruhet si ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Megjithatë, verifikimi i fakteve tregon se ky pretendim nuk mbështetet në asnjë të dhënë të konfirmuar dhe është i pasaktë. Një tjetër rast dezinformimi u shfaq më 16 qershor në platformën TikTok, ku një llogari me emrin “g.p..8” publikoi një imazh të shoqëruar me pretendimin se ish-presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020. Pas analizës, nuk është gjetur asnjë burim zyrtar apo mediatik që ta konfirmojë një bisedë të tillë mes dy liderëve, duke e bërë këtë përmbajtje të rreme dhe manipuluese.

Gabim u vlerësua publikimi në disa media artikuj online më 17 qershor që pretendojnë se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar për ndaljen e njësisë A4 të Termocentralit Kosova A në mesnatë. Këto lajme janë shpërndarë nga platforma të njohura si “Ekonomia Online”, “AlbanianPost”, “Insajderi.org”, “DtvMedia” dhe “GazetaDemos”. Megjithatë, verifikimi i bërë nga Hibrid.info tregon se njoftimi i KEK-ut i referohet një ngjarjeje të ndodhur më 10 maj 2025 dhe jo më 17 qershor, siç është raportuar. Ky gabim faktik ka çuar në një interpretim të pasaktë të informacionit dhe në shpërndarjen e një lajmi të vjetruar si të ishte zhvillim aktual.

Clickbait u vlerësua publikimi më 19 qershor, nga portali “Ntv.al” me titullin “Trump do të kërkojë ndarjen e Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia”. Tema lidhet me një parashikim analisti, i paraqitur në titull si fakt i sigurt, duke e bërë përmbajtjen tipike për clickbait.

Pwrmbajtja e paverifikuar u publikua më 18 qershor, nga mediat “Radio Star Gjilan” dhe “KosovaPress” që pretendojnë se paraqesin raketën balistike të përdorur nga Irani në një sulm ndaj Izraelit. Megjithatë, pamjet në fjalë i përkasin raketës Falcon 9 të kompanisë SpaceX, e cila përdoret për lëshimin e satelitëve Starlink, dhe nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë veprim ushtarak.

Mashtrim

Disa video që shfaqin një aeroport të dëmtuar, me rrënoja të shumta dhe pamje dramatike, po qarkullon gjerësisht në media sociale. Sipas pretendimeve që e shoqërojnë, ajo paraqet Aeroportin në Tel Aviv, pas një sulmi të dyshuar iranian. Kjo po shpërndahet me mbishkrimin: “Aeroporti i Tel Avivit”. Pas verifikimit të fakteve është gjetur së këto video janë gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)

Janë publikuar disa fotografi me mbishkrimin e njëjtë që pretendon se është zbuluar aktivitet i pazakontë në lidhje me aksesin në një llogari dhe kërkon që përdoruesi të përfundojë menjëherë procesin e verifikimit të identitetit për të mbrojtur llogarinë dhe për të vazhduar funksionimin normal. Këto përmbajtje janë publikuar sot (16 qershor) nga një faqe me emrin “Manager Al 99471” në Facebook dhe secila nga to përmban një numër të madh të faqeve dhe të llogarive të disa organizatave, institucioneve, bizneseve dhe personaliteteve të ndryshme që janë përmendur (mentioned). Mesazhi i paraqitur është një phishing që synon të vjedhë të dhëna personale dhe nuk është një njoftim zyrtar nga “Meta”. (këtu)

Më 14 qershor, llogaria “Investiguesi Shkrimor” në Facebook publikoi një imazh që paraqet gjurmë shpërthimi dhe zjarri mes ndërtesave të larta, duke pretenduar se bëhet fjalë për pamje nga nata e kaluar në Tel Aviv. Megjithatë, pas një procesi të verifikimit të fakteve, hibrid.info arriti në përfundimin se imazhi nuk është i vërtetë, por është krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. (këtu)

Një faqe në Facebook pretendon se është një klub ekskluziv për çiklistë. Faqja quhet “Zenith Vip Club” dhe ka të bashkangjitur një vegëz të uebfaqes “zenith-vip-club.xyz” (shih këtu). Hibrid.info ka gjetur se ndonëse kjo faqe pretendon se është “qira e biçikletave”, ajo ofron “VIP Membership” që tingëllon më shumë si skemë investimi. (këtu)

Është publikuar një fotografi që shfaq pamje të një bombardim masiv me pretendimin se bëhet fjalë për qytetin e Tel Avivit në Izrael. Ky imazh me këtë pretendim është publikuar (17 qershor) nga një faqe në Facebook me emrin “KosovaLajm.net”. Hibrid.info ka gjetur se kjo fotografi në fakt është gjenerua nga Inteligjenca Artificiale (IA). (këtu)

Dezinformatë

Në dy artikuj të publikuar më 12 dhe 14 qershor nga portali informativ serb Kossev, lidhur me arrestimin e Arbnor Spahiut, ai përshkruhet si ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Megjithatë, pas verifikimit të fakteve, rezulton se ai nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së – një pretendim i pabazë dhe i pasaktë që nuk mbështetet në asnjë të dhënë të verifikuar. (këtu)

Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), gjatë një bisede me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar këtij të fundit që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia. Kjo fotografi është publikuar (16 qershor) në TikTok nga një llogari me emrin “g.p..8”. Hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë raportim që konfirmon bisedën e pretenduar në mes presidentit Trump dhe presidenti Vuçiq. (këtu)

Gabim

Janë publikuar disa artikuj në të cilat pretendohet se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar për ndaljen e njësinë A4 të Termocentralit Kosova A në mesnatë. Tekstet me këtë pretendim janë publikuar (17 qershor) nga mediat si: “Ekonomia Online”, “AlbanianPost”, “Insajderi.org”, “DtvMedia”, “GazetaDemos” etj. Hibrid.info ka gjetur se njoftimi i publikuar dje nga KEK-u, daton nga 10 maji i këtij viti. Ndërsa mediat në fjalë e kanë publikuar si ngjarje të ndodhur dje. (këtu)

Clickbait

Publikohet një artikull i titulluar “Trump do të kërkojë ndarjen e Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia”. Kjo përmbajtje është publikuar sot (19 qershor) nga mediumi në gjuhën shqipe “Ntv.al”. Titulli paraqet një parashikim të një analist si fakt të konfirmuar. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Janë publikuar video-materialet ku shfaqen pamje të një rakete, me pretendimin se paraqet raketën balistike të përdorur nga Irani në sulmet ndaj Izraelit. Këto përmbajtje janë publikuar të enjten (18 qershor) nga media në gjuhën shqipe si “Radio Star Gjilan” dhe “KosovaPress”. Pamjet e shfaqura janë të raketës Falcon 9 të SpaceX, të cilat lëshohen për vendosjen e satelitëve Starlink, dhe nuk kanë lidhje me ndonjë sulm ushtarak. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere