Njoftimi i KFOR-it për një “optimizim” gradual të forcave, që përfshin dorëzimin e disa përgjegjësive të sigurisë te Policia e Kosovës në pika nevralgjike, si ura mbi lumin Ibër dhe Manastiri i Deçanit, është shndërruar në pikënisje për një fushatë intensive narrativash nga Beogradi zyrtar, Lista Serbe dhe mediat serbe. Për KFOR-in, ky proces lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe me përshtatjen graduale të pranisë së tij me rrethanat në terren. Në diskursin serb, megjithatë, ai është kornizuar si “braktisje” e serbëve, krijim i një vakumi sigurie dhe rrezik i ri për popullatën serbe në Kosovë.
Narrativa është ndërtuar në disa nivele të ndërlidhura: fillimisht përmes krijimit të një ndjenje alarmi, më pas përmes delegjitimimit të vlerësimit të KFOR-it dhe vetë misionit ndërkombëtar, ndërsa në vijim përmes portretizimit të Policisë së Kosovës si burim i pasigurisë. Për ta konkretizuar këtë pretendim, raste dhe incidente të ndryshme janë vendosur në të njëjtën kornizë dhe janë paraqitur si dëshmi të një “terrori” sistematik ndaj serbëve.
“Alarmi” dhe narrativa e pasigurisë
Narrativa nisi me një gjuhë dramatike të krizës. Tabloidi Informer publikoi titullin “Upaljen alarm u Beogradu! Opasna igra na severu KiM” (“Ndizet alarmi në Beograd! Lojë e rrezikshme në veri”), duke e paraqitur ndryshimin e pranisë së KFOR-it jo si një proces teknik, por si një zhvillim që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e serbëve.
Në këtë fazë, një rol të rëndësishëm morën përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët kontestuan vlerësimin ndërkombëtar se situata e sigurisë është përmirësuar. Igor Simiq ngriti pikëpyetje mbi bazën e këtij vlerësimi, duke deklaruar: “Shtrohet pyetja se në bazë të cilave analiza KFOR-i erdhi në përfundimin se situata në terren është e qëndrueshme…”
Kjo deklaratë është e rëndësishme për ndërtimin e narrativës sepse nuk konteston vetëm vendimin e KFOR-it, por edhe premisën mbi të cilën është marrë vendimi. Duke vënë në dyshim vlerësimin se situata është stabile, krijohet perceptimi se tërheqja e KFOR-it po bëhet në një moment kur, sipas pretendimit serb, rreziku ende ekziston.
Kjo krijon bazën për narrativën e “braktisjes” dhe për argumentin se komuniteti serb po lihet pa mbrojtje.
Çështja e KFOR-it: nga “optimizimi” te narrativa e mosbesimit
Një shtyllë kryesore e narrativës u ndërtua përmes takimit zyrtar të delegacionit të Listës Serbe, të udhëhequr nga kryetari Zlatan Elek, me komandantin e KFOR-it, gjeneralin turk Özkan Ulutaş. Takimi u përdor nga pala serbe për të artikuluar kundërshtimin ndaj reduktimit të pranisë ndërkombëtare dhe për të vënë në pikëpyetje vlerësimet e KFOR-it mbi situatën e sigurisë.
Elek shprehu “kundërshtim të fuqishëm” ndaj çdo reduktimi të pranisë ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, qëndrimi i Listës Serbe nuk u kufizua vetëm në kritikën e një vendimi operacional, por u paraqit si kundërshtim ndaj vetë procesit të transferimit gradual të përgjegjësive të sigurisë te institucionet lokale.
Në të njëjtin kontekst, Millan Radojeviq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, e kornizoi takimin si përpjekje për t’i treguar KFOR-it se vlerësimet e tij nuk përputhen me realitetin në terren. Ai deklaroi: “Realiteti në terren nuk u përgjigjet raporteve dhe vlerësimeve që vijnë edhe nga KFOR-i.”
Kjo deklaratë forcon një element të rëndësishëm të narrativës: raportet institucionale të KFOR-it paraqiten si të pasakta ose të pamjaftueshme, ndërsa aktorët politikë serbë pozicionohen si burim alternativ i “realitetit në terren”.
Nga ana tjetër, komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş, theksoi se procesi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë. Megjithatë, pala serbe e shfrytëzoi edhe deklarimin se procesi “mund të kthehet mbrapsht” në rast të përkeqësimit të situatës. Ky element u përdor për ta mbajtur gjallë narrativën e krizës së mundshme: edhe nëse KFOR-i po redukton praninë për shkak të stabilizimit, vetë mundësia e kthimit të procesit interpretohet si dëshmi se rreziku mbetet real.
Narrativa e mosbesimit u zgjerua edhe në akuza të drejtpërdrejta për anshmëri të KFOR-it. Milovan Drecun deklaroi se vendimet e KFOR-it po “përputhen plotësisht me kërkesat e Albin Kurtit”, duke e paraqitur misionin ndërkombëtar si një aktor që nuk po ruan neutralitetin e tij. Drecun e vuri në shënjestër veçanërisht komandantin turk Özkan Ulutaş, duke deklaruar: “Është e qartë se që kur gjenerali turk është në krye të KFOR-it, KFOR sillet në mënyrë shumë të anshme…”
Kjo narrativë u lidh edhe me Rezolutën 1244, e cila përdoret për të argumentuar se KFOR-i duhet të mbetet garantuesi kryesor i sigurisë dhe se rritja e rolit të Policisë së Kosovës nuk është e pranueshme.
Në të njëjtën linjë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e kornizoi takimin ndërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsilloviq, dhe komandantit të KFOR-it si “takimin më të keq deri tani”, duke shtuar: “Vetëm mos u shtirni sikur jeni për dialog, sepse nuk jeni.”
Përmes këtyre deklaratave, kritika zhvendoset nga çështja konkrete e optimizimit të forcave te një narrativë më e gjerë mosbesimi ndaj NATO-s dhe aktorëve ndërkombëtarë.
Delegjitimimi i Policisë së Kosovës
Një tjetër shtyllë qendrore e narrativës është portretizimi i Policisë së Kosovës jo si institucion përgjegjës për rendin dhe sigurinë, por si burim i kërcënimit dhe presionit ndaj komunitetit serb.
Ky element është veçanërisht i rëndësishëm sepse transferimi gradual i përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës e bën këtë të fundit aktorin që, sipas narrativës serbe, do të fitojë më shumë kontroll në pikat e ndjeshme. Për rrjedhojë, delegjitimimi i policisë shërben edhe për të delegjitimuar vetë procesin e optimizimit të KFOR-it.
Në këtë kornizë, Policia e Kosovës paraqitet si “strukturë torturuese”, ndërsa veprimet e saj individuale interpretohen si pjesë e një politike më të gjerë të presionit ndaj serbëve. Krijohet kështu një formulë e thjeshtë narrative: sa më shumë përgjegjësi i kalojnë Policisë së Kosovës, aq më i madh paraqitet rreziku për serbët.

Incidentet si “prova” të narrativës
Për ta mbështetur këtë pretendim, raste të ndryshme janë përfshirë në të njëjtën kornizë narrative. Ato nuk trajtohen thjesht si incidente të veçanta, por përdoren për të krijuar një pamje të përgjithshme të pasigurisë dhe presionit ndaj komunitetit serb.
Rasti i Nenad Rashkoviqit: Rasti i Nenad Rashkoviqit, nga fshati Dren komuna e Zubin Potoku, u përdor me intensitet nga Beogradi për të ndërtuar narrativën e “brutalitetit” të Policisë së Kosovës. Sipas versionit të publikuar nga pala serbe, Rashkoviqi ishte arrestuar, dërguar në një zonë pyjore, lidhur për një pemë dhe rrahur me gyp gome. Gjatë konferencës për media të Listës Serbe, Zllatan Elek dha një përshkrim kronologjik të incidentit, i cili dallonte në disa detaje nga versioni i paraqitur në komunikatën e Listës Serbe më 11 gusht.
Sipas versionit që Elek tha se ia kishte rrëfyer Rashkoviq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kishin rrahur gjatë kontrollit të shtëpisë së tij dhe i kishin kërkuar të dorëzonte armë. Më pas, sipas tij, policët ishin larguar dhe ishin kthyer disa orë më vonë, kur dyshohet se e kishin dërguar në një pyll, e kishin lidhur për një pemë dhe e kishin rrahur sërish me një zorrë uji.
Në fund, sipas dëshmisë së Rashkoviqit të përcjellë nga Elek, ai ishte kthyer pranë rrugës magjistrale, ndërsa dyshohet se ishte kërcënuar se policët do të ktheheshin përsëri.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, deklaroi se policia, deri në atë moment, nuk kishte informacione se pjesëtarët e saj kishin rrahur ndonjë person gjatë aksioneve policore në zonën e Zubin Potokut.
Po ashtu bëhet e ditur se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një hetim preliminar sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet e Nenad Rashkoviqit, nga fshati Dren i komunës së Zubin Potokut, se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë përdorur forcë të tepruar ndaj tij.
Rasti mori peshë politike përmes deklaratave të Millosh Vuçeviqit, kryetar i SNS-së dhe këshilltar i presidentit serb. Ai e cilësoi incidentin si “vepër e duarve të xhelatëve”, duke deklaruar: “Populli ynë po vuan një terror rrëqethës në Kosovë e Metohi. Pres reagim urgjent për këto krime.”
Përfshirja e Vuçeviqit e zhvendos rastin nga niveli individual në atë politik dhe ndërkombëtar, duke e përdorur si argument për kërkimin e një reagimi të jashtëm ndaj institucioneve të Kosovës.
Këtë narrativë e amplifikoi shefi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili publikoi fotografi të lëndimeve të Rashkoviqit dhe deklaroi: “Këto janë pamjet e ‘demokracisë’ së Kurtit – mavijosje, hematoma dhe abuzim shtazor.”
Edhe kryetarja e Komisionit për Kosovën dhe Metohinë të Kuvendit të Serbisë, Danijela Nikoliq, e përdori rastin për ta zgjeruar përgjegjësinë nga institucionet e Kosovës te prania ndërkombëtare. Në një deklaratë të saj, ajo i cilësoi plagët e Rashkoviqit si “turp i KFOR-it, EULEX-it dhe BE-së”, duke kërkuar nga këto institucione të tregojnë se çfarë masash konkrete do të ndërmerren dhe kush do të mbajë përgjegjësi.
Incidenti në Lipjan: Një tjetër incident i përdorur për të forcuar narrativën ishte vendosja e flamujve të UÇK-së dhe Shqipërisë në rrethojën e një kishe ortodokse në Lipjan. Pala serbe e kornizoi atë si “sulm i ri mbi serbizimin” dhe si dëshmi të rrezikut ndaj objekteve fetare serbe.
Kancelaria për Kosovën e cilësoi incidentin si akt të “frikësimit të popullit besimtar”, duke e lidhur me pretendimet për presion dhe dëbim të serbëve.
Edhe pse Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarit (njëri nën ndikim të alkoolit), narrativa serbe e paraqiti si dëshmi se kishat janë në rrezik pa KFOR-in.
Ujmani/Gazivoda: Në të njëjtën kornizë janë përfshirë edhe aksionet në zonën e Gazivodës (Ujmanit), përfshirë rrënimin e objekteve pa leje. Veprimet e institucioneve të Kosovës u paraqitën në disa burime serbe si “vazhdim i terrorit” dhe si përpjekje për të ushtruar presion ndaj serbëve.
Këtu shfaqet qartë mekanizmi i përzgjedhjes dhe lidhjes së incidenteve: veprime policore, çështje administrative, incidente në objekte fetare dhe pretendime për keqtrajtim bashkohen në një tregim të vetëm, sipas të cilit institucionet e Kosovës po ndjekin një politikë të koordinuar presioni ndaj serbëve.
Në tërësi, narrativat serbe pas njoftimit për optimizimin e KFOR-it janë ndërtuar përmes një zinxhiri të qartë interpretues. Fillimisht krijohet alarmi, duke paraqitur reduktimin e trupave si “lojë të rrezikshme”; më pas delegjitimohet vlerësimi i KFOR-it, duke pretenduar se raportet e tij nuk përputhen me realitetin në terren; më tej delegjitimohet Policia e Kosovës, e cila paraqitet si burim i kërcënimit; ndërsa në fund, incidentet individuale përdoren si prova të pretenduara për të mbështetur këtë kornizë.










