info@hibrid.info
Reklama mashtruese në rrjete sociale për kremra kundër lipomës
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Në rrjete sociale janë shfaqur disa reklama të sponsorizuara që promovojnë kremra për “heqjen e lipomave” .

Përmbajtjet e tilla me anë të video-materialeve, janë publikuar në Facebook dhe Instagram, nga faqet me emrat: “Detroit Shop”, “DEA Online Store” dhe “Dua Online” (përmbajtja e së cilës nuk është gjetur).

Çka nuk shkon me këto reklama?

Hibrid.info gjeti se nuk ka asnjë bazë, që kremi i promovuar për të cilin pretendohet se heq lipomat, mund të shërbejë si trajtim mjekësor për këtë gjendje.


Çka është Lipoma?

Lipoma është një grumbullim yndyror me rritje të ngadaltë, e cila më së shpeshti ndodhet midis lëkurës dhe shtresës së muskujve. Lipoma ndihet e fortë në prekje dhe e lëvizsshme me pak presion të lehtë të gishtit.

Lipoma nuk është kancer dhe zakonisht është e padëmshme. Trajtimi në përgjithësi nuk është i nevojshëm, por nëse lipoma ju shqetëson estetikisht, është e dhembshme apo po rritet, nxitet heqja e saj (shih këtu).


Në reklamat e lartpërmendura u sugjerohet ndjekësve se trajtimi për Lipomën është natyral, pa dhimbje dhe efektiv.

Ato promovojnë një zgjidhje të thjeshtë, duke ofruar çmime nga 11.99€ – 14.99€ dhe thirrje të menjëhershme për blerje (“Porosit tani!”).

Megjithatë, në reklama nuk ofrohen të dhëna për përbërësit, testimet klinike, efektet anësore apo prodhuesin zyrtar të produktit të promovuar.


Në hulumtimin për trajtimin e kësaj gjendjeje të zakonshme beninje, hibrid.info gjeti se trajtimi i saj përfshin: heqjen kirurgjikale dhe liposuksionin, trajtim që përdor një shiringë të madhe për të hequr materialin yndyror (shih këtu).

Çka do të thotë se çdo pretendim për trajtim të Lipomës me anë të ndonjë kremi, nuk qëndron.

Analiza:

Pretendimi se kremrat e reklamuar nga disa faqe në Facebook, mund të heqin lipomat në mënyrë natyrale dhe në mënyrë efektive, nuk është i vërtetë.

LIpoma trajtohet vetëm me ndërhyrje mjekësore (heqje kirurgjikale ose liposuksion), jo me krem.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e pretendimin nga këto përmbajtje si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others