“Mediat Austriake deklarojnë se Kryeministri Kosovës Albin Kurti për momentin është me Rejtingun më të lartë në Ballkan dhe një pjesë të Evropës, për shkak qëndrimeve të tij të palëkundura, i pa shantazhuar dhe lideri i parë në Ballkan i pa korruptuar, i cili edhe pas gjithë trazirave me serbinë dhe Bashkimin Evropjan ai arriti ta shtrojë sovranitetin në pjesën veriore të Kosovës, duke ja kthyer shtetit 17% të territorit.”
Ky është mbishkrimi i një përmbajtjeje që është publikuar të enjten (18 shtator) në Facebook nga dy faqe me emrat “Lajme Nga Bota”, “Insajderi” dhe “Lagjeja Hasanbeg Shkup”.
I njëjti pretendim më pas u publikua në faqen në Facebook të mediumit “Kosova Post” dhe në faqen “Kosova Channel”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Përmbajtjes i mungojnë burimet konkrete që do të mundësonin verifikimin e pretendimeve, pasi nuk specifikohet se në cilat media austriake janë bërë këto raportime.

Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja e publikuar në “Lagjeja Hasanbeg Shkup” ka marrë mbi 7 mijë e 800 pëlqime dhe mbi 400 komente. Ndërsa ajo që u publikua në “Lajme Nga Bota” ka mbi 3 mijë e 300 pëlqime dhe mbi 150 komente.
Shpërndarja në disa publikues dhe numri i konsiderueshëm i reagimeve në këto postime, e bën pretendimin relevant për trajtim.
Sipas Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), gazetarët dhe redaktorët duhet, në parim, të mbështeten në burime të identifikueshme të informacionit, ndërsa mediat duhet të kenë praktika të qarta për identifikimin e burimeve dhe verifikimin e fakteve, me fokus të veçantë në burimin e parë të informacionit (II.2 dhe II.9).
Në këtë rast, përmbajtja nuk identifikon asnjë nga mediat austriake të cilave ua atribuon këto raportime, nuk jep artikullin apo burimin origjinal dhe nuk specifikon datën e publikimit, duke e vështirësuar verifikimin e pretendimeve.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google” me fjalët kyçe “mediat austriake albin kurti” (shih këtu dhe këtu).
Rezultatet nga kërkimi kanë shfaqur një pasqyrë të gjerë të mbulimit medial, analizave dhe raporteve lidhur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe marrëdhëniet ose përmendjet e tij në mediat austriake, si Der Standard dhe Die Presse.
Ato përfshijnë artikuj nga portale të ndryshme informative që trajtojnë vizitat, deklaratat dhe intervistat e tij në Vjenë, si dhe diskutime rreth zhvillimeve politike, qeverisjes, marrëdhënieve me mediat lokale dhe çështjeve rajonale e ndërkombëtare.
Përveç kësaj, faqja e kërkimit shfaq një përmbledhje të inteligjencës artificiale (AI Overview) që liston ndërveprimet kyçe, video nga platforma të ndryshme, si dhe postime në rrjete sociale dhe imazhe nga takimet zyrtare.
Megjithatë, gjatë këtij kërkimi nuk është gjetur asnjë rezultat, artikull apo raportim nga mediat austriake që të mbështesë ose konfirmojë pretendimet se Albin Kurti ka “rejtingun më të lartë në Ballkan dhe një pjesë të Evropës”, se është “lideri i parë në Ballkan i pakorruptuar” apo se i ka “kthyer shtetit 17% të territorit”.
Përveç kërkimit të përgjithshëm, hibrid.info ka hulumtuar në mënyrë të veçantë edhe secilin prej pretendimeve kryesore të përmbajtjes, duke përdorur fjalë kyçe përkatëse në gjuhën austriake, në motorin e kërkimit Google.
Kërkimet janë përqendruar në pretendimin për “rejtingun më të lartë” të Albin Kurtit, pretendimin se ai është “lideri i parë në Ballkan i pakorruptuar” dhe pretendimin se ka “kthyer shtetit 17% të territorit” të Kosovës.
Gjatë verifikimit të këtyre pretendimeve, kërkimet e bëra në Google nuk kanë shfaqur asnjë raportim apo matje nga mediat austriake që ta shpallin Albin Kurtin si liderin me “rejtingun më të lartë në Ballkan dhe një pjesë të Evropës”, pasi rezultatet shfaqin vetëm artikuj të zakonshëm mbi rezultatet zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe analiza mbi situatën e tij politike e jo pretendimet e ekzagjeruara të rrjeteve sociale.
Edhe pse disa artikuj të vjetër apo analiza tregojnë se ai shpesh perceptohet personalisht si i pakorruptuar nga vëzhguesit apo mbështetësit, mediat austriake nuk kanë botuar asnjë deklaratë zyrtare ku ai cilësohet si “lideri i parë në Ballkan i pakorruptuar” apo ku bëhen krahasime të tilla absolute (shih këtu).
Për më tepër, sa i përket çështjes së “17% të territorit”, kërkimi specifik dëshmon se kjo shifër nuk vjen nga ndonjë media austriake apo ndërkombëtare, por është një narrativë e përdorur në realitet në Kosovë, siç janë deklaratat e politikanëve të tillë si Fatmir Limaj, për të pretenduar se veriu i vendit ka qenë jashtë kontrollit institucional (shih këtu).
Në bazë të këtyre kërkimeve, nuk është gjetur ndonjë raportim apo burim nga mediat austriake që mbështet pretendimet e paraqitura në këtë përmbajtje.
Analiza
Një postim i publikuar në Facebook më 18 shtator pretendon se “mediat austriake” e kanë cilësuar Albin Kurtin si liderin me “rejtingun më të lartë në Ballkan dhe një pjesë të Evropës”, s“liderin e parë në Ballkan të pakorruptuar” dhe se ai ka arritur t’ia “kthejë shtetit 17% të territorit”.
Postimi nuk identifikon asnjë media konkrete apo burim nga i cili janë marrë këto vlerësime.
Në ndërkohë, verifikimi nuk ka gjetur ndonjë artikull apo raportim nga mediat austriake që ka raportuar këto pretendime.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.