[email protected]
Rishikimi i javës: Deklarata të rreme dhe të manipuluara në TikTok, teori konspirative dhe dezinformatë nga media në gjuhën serbe
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Lajmet e rreme janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Lajmet e rreme të identifikuara nga hibrid.info janë publikuar kryesisht në TikTok dhe përfshijnë pretendime të pabazuara mbi figura politike dhe ngjarje nga Kosova. Ndër to janë: deklarata e rreme e Milan Mojsiloviq për mbështetje zgjedhore, pretendimi se Donald Trump ka propozuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe një listë e sajuar e zyrtarëve kosovarë në “listën e zezë” të SHBA-së. Po ashtu, janë shtrembëruar deklarata të politikanëve si Agim Veliu dhe Ekrem Hyseni, ndërsa janë publikuar informacione të pavërteta mbi pozitat e Lumnije Gërxhaliu-Thaçit dhe deklaratë e falsifikuar me pretendimin se është nga opinionisti Dardan Gashi. Një tjetër pretendim i rremë përfshinte deklaratën e kryeministrit Albin Kurti mbi paqen me Serbinë. Të gjitha këto raste u verifikuan si të pasakta, duke u bazuar në burime të besueshme dhe fakte.

Në TikTok dhe media ruse (shërbimi në serbisht) janë publikuar dy raste dezinformimi lidhur me Kosovën. Një pretendim në TikTok thoshte se Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, kishte pranuar se themelimi i Gjykatës Speciale ishte një mashtrim, duke shpresuar që Hashim Thaçi nuk do të akuzohej. Në të vërtetë, Çitaku ka deklaruar se Thaçi ishte i vetëdijshëm për cakun e Gjykatës dhe se ata ndihen të zhgënjyer me zhvillimet në procesin gjyqësor. Ndërkohë, mediat ruse, si RT Balkans, kanë përhapur pretendime se ish-pjesëtarët e UÇK-së janë përfshirë në terrorizmin ndërkombëtar, duke vepruar në kuadër të grupeve terroriste si ISIS dhe Al Kaida. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet kosovare si të pabaza dhe të pambështetura me prova konkrete.

Teori konspirative/Deklaratë e paargumentuar u vlerësua pretendimi i Petar Petkoviq ndërlidhur me një postim në Instagram (13 dhjetor), ku Manastiri i Draganacit raportoi për dëmtimin e varrezave të komunitetit serb në Gjilan, pa përmendur autorët. Megjithatë, Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën, e quajti aktin vepër të “ekstremistëve shqiptarë”, pa ofruar prova. Policia e Kosovës sqaroi se rasti daton nga vite më parë dhe nuk është i ri.

Mashtrimet janë publikuar në Facebook dhe WhatsApp, duke përdorur metoda të ndryshme për të manipuluar qytetarët e Kosovës. Në Facebook, faqja “Time For Change” shpërndau më 9 dhjetor postime të sponsorizuara që pretendonin të ofronin mundësi për kredi, por vegëzat e bashkangjitura nuk përmbanin asnjë informacion të tillë. Ndërkohë, në WhatsApp, qytetarëve iu dërguan mesazhe të rreme në gjuhën shqipe që pretendonin të ishin nga Facebook/META, por në fakt përmbanin një vegëz të dyshimtë, me numrin e dërguesit nga Vietnami.

Manipulimi fakteve u vlerësua një publikim në Facebook duke pretenduar se ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi ka bërë një deklaratë mbi “ndarjen e Kosovës”. Në të vërtetë, pretendimi buron nga një opinion i publicistit Veton Surroi, i paraqitur si fakt nga Luan Gacaferi, anëtar i Partisë “Guxo”. Ky manipulim, i postuar fillimisht në korrik, u ripublikua nga faqja “Diaspora me Albinin” në Facebook.

Një postim në TikTok pretendonte se deputetja Doarsa Kica-Xhelili kishte thënë se e kapi paniku kur pa turmën në tubimin e 18 dhjetorit të VV-së. Hibrid.info vërtetoi se kjo deklaratë nuk ishte bërë nga Kica-Xhelili, por e njëjta u gjet e publikuar nga një faqe satirike “Specbuk” në Facebook.

Lajm i rremë

Përmes një postimi pretendohet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, Milan Mojsiloviq ka deklaruar në llogarinë e tij në X (ish-Twitter) se ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci ka kërkuar mbështetje nga ai për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë. Ky pretendim rezultoi të jetë i rremë. Mojsiloviq nuk posedon llogari në X, si dhe një deklaratë e tillë nuk është gjetur e publikuar në media kredibile në shqip apo serbisht. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në median sociale, TikTok, është pretenduar se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pas një takimi që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se publikimi në TikTok nga llogaria “ballistet.39” nuk është i mbështetur në asnjë fakt. Pretendimi nuk mbështetet në asnjë prej postimeve të Osmanit dhe njoftimeve të Presidencës, por as në ndonjë medium kredibil. (këtu)

Është publikuar një fotografi me listë emrash të zyrtarëve qeveritarë nga Kosova, për të cilët pretendohet se janë ne listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Imazhi është publikuar (15 dhjetor) në TikTok, nga një llogari me emrin “dardanianewsstation_”. Pretendimi për një listë me qeveritarë të cilët janë futur në listën e zezë të ShBA-së, është i pasaktë. Hibrid.info ka gjetur se për të njëjtën listë është pretenduar se paraqet emra e zyrtarëve institucionalë, të cilëve i është ndaluar hyrja në veri të Kosovës. Këto raportime janë mohuar nga KFOR-i. (këtu)

Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se Agim Veliu, deputet i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e ka asnjë mundësi ta mund Albin Kurtin. Përmbajtja është publikuar me 15 dhjetor, në TikTok nga një llogari me emrin “kingalbinkurti”. E vërteta është se Veliu nuk pret që LDK të dalë fituese nga zgjedhjet e 9 shkurtit, por arsyen e gjen te mosangazhimi i mjaftueshëm i lidershipit aktual të këtij subjekti politik. (këtu)

Është publikuar një video-material shkëputur nga një intervistë e Ekrem Hyseni, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega Podujevë, me mbishkrimin që pretendon se i njëjti është shprehur pro shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është në favor që veriu i vendit t’i jipet Serbisë, si zgjidhje e vetme. Kjo përmbajtje është publikuar (17 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “llapinews”. Hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë burim kredibil që konfirmon se Hyseni është shprehur ndonjëherë në favor të shkëmbimit të territoreve. (këtu)

Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se Lumnije Gërxhaliu-Thaçi, bashkëshortja e Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës është rektore në Universitetin “Isa Boletini”, në Mitrovicë. Përmbajtja është publikuar (18 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “me.qeverine.kurti3”. Hibrid.info ka gjetur Gërxhaliu-Thaçi nuk e mban dhe nuk ka qenë asnjëherë në detyrën e rektores në këtë universitet. Gërxhaliu-Thaçi kishte ushtruar detyren e prodekanes, në të kaluarën, në njërin nga fakultetet në këtë universitet dhe aktualisht është vetëm si staf akademik. (këtu)

Përmes një postimi në TikTok pretendohet se opinionisti Dardan Gashi ka folur për kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai është i vetmi që nuk është dorëzuar kurrë. Ky postim u gjet i publikuar (20 dhjetor) në TikTok nga llogaria “kingalbinkurti”. Në mbishkrimin e këtij postimi shkruan “Dardan Gashi ‘Albin Kurti është i vetmi i cili nuk është dorëzuar kurr’”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Gashi dhe se ka ndërhyrje në imazh duke ia ndërruar edhe mbishkrimin. (këtu)

Publikohet një imazh ku shfaqet fotografia e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, me mbishkrimin se i njëjti në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se duhet harruar e kaluara me serbët dhe se ka ardhur koha për paqe me shtetin serb. Kjo përmbajtje është publikuar (20 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “fokusi.dites”. Hibrid.info ka gjetur se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Kurti, në Kuvendin e Kosovës. (këtu)

Dezinformatë

Publikohet një fotografi me mbishkrimin që pretendon se Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) është deklaruar në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale, duke u shprehur se janë mashtruar pasi që kanë shpresuar se Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, nuk do të akuzohet. Kjo përmbajtje është publikuar (17 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “me.qeverine.kurti3”. Hibrid.info ka gjetur se në fakt, Çitaku ka thënë se Thaçi e ka ditur se do të jetë cak i Gjykatës Speciale, pas themelimit të saj dhe se ndjehen të mashtruar më atë që po ndodh në proces sepse qëllimi i themelimit të saj, ishte i mirë. (këtu)

Mediat ruse, si Russia Today (RT) Balkans, kanë publikuar pretendime se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë përfshirë në terrorizmin ndërkombëtar, duke u angazhuar në konflikte si në Ukrainë, Siri dhe Gaza, dhe se ata veprojnë në kuadër të grupeve terroriste si ISIS dhe Al Kaida. Këto pretendime, megjithatë, nuk janë mbështetur me prova konkrete dhe janë hedhur poshtë nga autoritetet kosovare, të cilat kanë theksuar se akuzat për përfshirje të UÇK-së në këto aktivitete janë të pabaza dhe pa mbështetje faktike. (këtu)

Teori konspirative/Deklaratë e paargumentuar

Nëpërmjet disa fotografive të publikuara në Instagram (13 dhjetor), Manastiri i Draganacit pretendon se janë dëmtuar varrezat e komunitet serb në Gjilan. Përkundër faktit se ky manastir nuk aludon në përkatësinë etnike të kryesit apo kryerësve të veprës, Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka pretenduar se akti është kryer nga “ekstremistët shqiptarë”. Petkoviq nuk ofron fakte për këtë pretendim, ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kemi të bëjmë me rast të evidentuar nga vite më herët. (këtu)

Mashtrim

Publikohen përmbajtje me pretendime se ofrohen mundësi për kredi. Pretendimi është publikuar më 9 dhjetor me anë të dy postimeve të sponsorizuara në Facebook, nga një faqe me emrin “Time For Change” duke përdorur imazhe të cilat kanë të integruar një vegëz, ku edhe mund të klikohet. Hibrid.info ka gjetur se as në faqen që e ka publikuar postimin e as në vegëzën e bashkangjitur postimeve, nuk ofrohet mundësia e pretenduar. (këtu)

Një mesazh elektronik (SMS) iu është dërguar qytetarëve të Kosovës në WhatsApp, në gjuhën shqipe me  pretendimin se autor të mesazhit të janë nga Facebook/META. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se i njëjti nuk është dërguar nga Facebook dhe përmban një vegëz (link) të dyshimtë. Gjithashtu, numri që ka dërguar këtë SMS ka prefiksin e Vietnamit. (këtu)

Manipulim i fakteve

Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar për një deklaratë të ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, lidhur me “ndarjen e Kosovës”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi paraqet opinion të publicistit Veton Surroit, që është paraqitur si fakt nga anëtari i Partisë “Guxo”, Luan Gacaferi, e tani ky postim i korrikut është publikuar edhe nga faqja “Diaspora me Albinin” në Facebook. (këtu)

Satirë

Përmes një postimi pretendohet se deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka komentuar lidhur me tubimin e 18 dhjetorit të Lëvizjes Vetëvendosje, ku u prezantua lista e kandidatëve për deputetë. Në mbishkrimin e këtij postimi thuhet “Kica-Xhelili KUR E PASH TURMËN NË SALLËN 1 TETORI SONTE, ME KAPI PANIKU”. Ky postim u publikua (19 dhjetor) në TikTok nga llogaria “folejadardanis”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Kica-Xhelili. Postimi i njëjtë është gjetur i publikuar në Facebook nga një faqe satirike “Specbuk”. (këtu)

Share With Others

Translate »