Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës së fundit (15–21 shtator 2025), monitorimi tregon se hapësira informative në media dhe rrjete sociale është dominuar nga lajme të rreme.
Lajmet e rreme gjatë kësaj jave janë shpërndarë kryesisht në Facebook dhe TikTok, duke trajtuar tema politike dhe zgjedhore. Në Facebook, faqja “Shqip Zone” publikoi më 15 shtator një fotografi të dy personave me uniforma policore serbe, duke pretenduar se njëri prej tyre ishte babai i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani – pretendim që doli i pavërtetë, pasi personi në fjalë ishte Milan Martiq, ish-politikan serb i dënuar për krime lufte. Në TikTok, më 17 shtator, llogaria “deqanisot” shpërndau një fotografi që paraqitej si sondazh për mbështetjen e kandidatëve në zgjedhjet lokale në Deçan, e cila rezultoi e pabazë. Po ashtu, më 7 shtator, llogaria “llapiktu” publikoi në TikTok fotografi të marra nga projektet e Komunës së Podujevës, duke pretenduar se bëhej fjalë për punime në shtëpinë e kryetarit Shpejtim Bulliqi – gjë që pas verifikimit u vërtetua si e rreme.
Përmbajtjet me tituj clickbait janë shfaqur në portale online, duke krijuar keqkuptime te publiku. Më 14 shtator, portali “mediafokus.info” publikoi një artikull me titullin “Gjilanin e fiton LDK-ja në balotazh”, i cili në fakt paraqet një opinion politik, por nuk e sqaron këtë në titull, duke i dhënë lexuesit përshtypjen e një lajmi të verifikuar. Ndërkohë, më 15 shtator u publikua një artikull tjetër me titull “IKSHPK kërkon të mos përdoret uji për pije”, ku titulli del i pasaktë, sepse nuk sqaron se paralajmërimi i IKSHPK-së i referohej vetëm zonës së Badocit dhe jo gjithë Kosovës, duke shkaktuar konfuzion te publiku.
Një tjetër rast lidhet me përmbajtje të paverifikuar. Më 14 shtator, gazetari Vudi Xhymshiti në llogarinë e tij në Facebook publikoi pretendimin se vendimi për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës, i shpallur nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, nuk ishte i plotfuqishëm pasi nuk ishte konfirmuar nga Departamenti i Shtetit apo nga Shtëpia e Bardhë. Megjithatë, verifikimi i Hibrid.info tregoi se mungesa e publikimit nga këto institucione nuk e bën vendimin jozyrtar apo pa autoritet.
Clickbait/dezinformatë u vlerësua përmbajtja e publikuar nga portali “Ntv.al” në Facebook, ku u shpërnda portreti i komandantit të KFOR-it, Gjenerallejtënant Enrico Barduani, me mbishkrimin alarmues: “Qetësia është iluzion. Komandanti i forcës së NATO-s alarmon për Kosovën: një hap larg eskalimit fatal, në prag të trazirave”. Megjithatë, pas hapjes së artikullit të vendosur në vegëz, rezulton se Barduani nuk kishte përdorur shprehje të tilla, çka tregon për një titull dhe mbishkrim manipulues, me elemente si të clickbait-it, ashtu edhe të dezinformimit.
Në TikTok është publikuar një përmbajtje manipuluese nga llogaria “reflektori_”, më 17 shtator, ku pretendohej se kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, kishte ndihmuar një grua të alivanosur në rrugë. Pas verifikimit përmes “Google Reverse Image Search”, Hibrid.info ka gjetur se fotografia e përdorur nuk është e re, por i përket një raportimi të para katër vjetëve në disa media në gjuhën shqipe.
Clickbait
Publikohet një artikull i titulluar “Gjilanin e fiton LDK-ja në balotazh”. Kjo përmbajtje me këtë titull është publikuar të dielën (14 shtator) nga një portal online me emrin “mediafokus.info”. Hibrid.info gjeti se pretendimi për fitoren e LDK-së në Gjilan paraqet një opinion, gjë e cila nuk bëhet e qartë në titull. (këtu)
U publikua një artikull me titull “IKSHPK kërkon të mos përdoret uji për pije”, por që titulli është i pasaktë. Edhe pse IKSHPK më 15 shtator kishte njoftuar për këtë problem, titulli i portalit krijon keqkuptim, pasi nuk specifikon se paralajmërimi vlen vetëm për Badocin dhe jo për gjithë Kosovën, pasi që ky institut përgatit dhe zbaton strategjinë e shëndetit publik në tërë Kosovën. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Pretendohet se vendimi për pezullimin pa afat të Dialogut të planifikuar Strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës, i publikuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, nuk është i plotfuqishëm pasi nuk është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit dhe nga Shtëpia e Bardhë. Ky pretendim ka ardhur në një publikim (e diel, 14 shtator) i gazetarit Vudi Xhymshiti, në llogarinë e tij në Facebook, ku ai është deklaruar për një televizion. Hibrid.info gjeti se mos publikimi i këtij vendimi nga këto institucione të cilat përmend Xhymshiti, nuk e bën vendimin jozyrtar apo pa autoritet. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Portali informativ në gjuhën shqipe “Ntv.al” ka publikuar një postim në faqen zyrtare në Facebook, ku shfaqet portreti i komandantit të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjenerallejtënant Enrico Barduani. Këtij imazhi i është vendosur mbishkrimi “QETESIA ESHTE ILUZION. KOMANDANTI I FORCES SE NATO-S ALARMON PER KOSOVEN: NJE HAP LARG ESKALIMIT FATAL, NE PRAG TE TRAZIRAVE”. Pas klikimit në vegëzën e artikullit të vendosur në postim, në përmbajtje shihet se Barduani në deklaratën e tij nuk ka përmendur fjalitë si “një hap larg eskalimit fatal” e as “në prag të trazirave”. (këtu)
Lajm i rremë
Është publikuar një fotografi në Facebook, ku shihen dy persona të veshur me uniforma policore serbe, me mbishkrimin që pretendon se njëri nga prej tyre është babai i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (15 shtator) nga një faqe me emrin “Shqip Zone”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi nuk është i saktë dhe se personi në fotografi, në të vërtetë është Milan Martiq, ish-politikan serb dhe i dënuar për krime lufte. (këtu)
Publikohet një fotografi që pretendon se paraqet një sondazh për mbështetjen e kandidatëve për kryetar komune në Deçan, para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (17 shtator) në TikTok nga një llogari me emrin “deqanisot”. Hibrid.info ka gjetur se ky sondazh është i pabazë. (këtu)
Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar për fotografi që e paraqesin kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke përcjellë punimet te shtëpia e tij në Bardhosh. “Shpejtim Bulliqi duke percjellur punimet te shtëpia e tij ne Bardhosh. Projekt me vler 2.2 milion euro. E trashigofshit me familje kryetar”, është mbishkrimi që llogaria “llapiktu” ia ka vendosur postimit të 7 shtatorit. Pas verifikimit në Google, Hibrid.info ka gjetur se fotografitë e përdorura janë marrë nga postime të mëhershme të Bulliqit dhe Komunës së Podujevës, për projektet në këtë komunë. Pra nuk janë “te shtëpia e Bulliqit” siç u pretendua në publikimin në TikTok. (këtu)
Manipulim i fakteve
Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka ndihmuar së fundmi një grua të alivanosur në rrugë. Pretendimi u publikua nga llogaria “reflektori_”, më 17 shtator (e mërkurë). Hibrid.info ka përdorur makinën e kërkimit “Google” me fotografinë e publikuar dhe ka gjetur se bëhet fjalë për një raportim të para katër vjetëve në disa media në gjuhën shqipe. Pra fotografia është e vjetër. (këtu)
Dezinformatë
Një video 41-sekondëshe e publikuar në TikTok më 18 shtator, ku shihet Adem Demaçi, u shoqërua me mbishkrimin se ai kishte thënë: “VV s’është për pushtet, ka njerëz të dyshimtë”. Pas verifikimit doli se ky pretendim nuk është i saktë. Intervista origjinale e Demaçit, dhënë për “Radio Kosova e Lirë” më 2015, tregon se ai kishte shprehur dyshime se Vetëvendosje mund të vinte e të ushtronte pushtetin, duke përmendur si pengesë një pjesë të njerëzve që sipas tij nuk kishin marrë pjesë në luftë dhe që mund të bëheshin shërbëtorë të kujtdo vetëm për pushtet. Pra, mbishkrimi i videos në TikTok shtrembëron deklaratën e tij. (këtu)
Është publikuar një fotografi ku shihen kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, ish-drejtori komunal në Podujevë Hamdi Jaha dhe biznesmeni Ditar Hoti, me mbishkrimin që pretendon se Bulliqi është takuar me Jahën dhe ka deklaruar se, në rast të fitores në zgjedhje, Jaha do të jetë nënkryetari i komunës. Përmbajtja me këtë pretendim është publikuar më 5 shtator në TikTok, nga një llogari me emrin “llapiktu”. Hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë deklarim publik për këtë çështje nga Bulliqi, i cili garon për kryetar komune edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). (këtu)