info@hibrid.info
Rishikimi i javës: dezinformata dhe lajme të rreme në shqip për zgjedhjet, teori konspirative nga mediat serbe për konflikt
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë periudhës 17–23 nëntor 2025, në mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u vërejt një rritje e dukshme e përmbajtjeve keqinformuese, ku sidomos lajmet e rreme dukeshin se po merrnin pjesën më të madhe të vëmendjes publike.

Në kategorinë e lajmeve të rreme, përmbajtjet u përhapën kryesisht në Facebook dhe TikTok, duke prekur tema politike dhe sportive. Rasti i parë erdhi nga faqja “ABC News Kosova” në Facebook, e cila pretendoi se Prokuroria e Shtetit kishte hapur hetime urgjente për manipulime zgjedhore në Fushë Kosovë dhe Obiliq. Pretendimi u publikua pa asnjë njoftim zyrtar dhe rezultoi i pabazë. Po ashtu, faqja “Universal” publikoi një citim të rremë të Granit Xhakës për ndeshjen Kosovë–Zvicër, duke i atribuar lojtarit një deklaratë që nuk ekziston në asnjë burim kredibil. Një tjetër postim i rremë në TikTok, nga llogaria “kosova.shqiptarve”, i atribuoi presidentit serb Aleksandar Vuçiq një deklaratë të paqenë për rrëzimin e Qeverisë Kurti, e cila nuk gjendet askund në media. Ndërkohë, faqja “AlbLajm.ch” riktheu në qarkullim një pretendim të vjetër e të demantuar lidhur me një deklaratë të supozuar të Albin Kurtit në vitin 1998, e cila s’është botuar kurrë në gazetën FAZ. Në TikTok, llogaria “kosova.e.tradhetuar” publikoi një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të paraqitur një takim të supozuar mes Albin Kurtit dhe një deputeti të Listës Serbe, duke krijuar përshtypje të rreme për bashkëpunim politik.

Dezinformatë / Përmbajtje e paverifikuar u vlerësua publikimi nga transmetuesi publik serb RTS, së bashku me media të tjera në gjuhën serbe, të cilat publikuan një sërë raportimesh të paqarta mbi gjuajtje të supozuara me armë zjarri nga territori i Kosovës drejt ushtrisë serbe më 16 nëntor. Këto media pretendonin se një grup shqiptarësh të maskuar kishte shtënë dhe kishte qëlluar një qen, ndërkohë që vetë artikujt nuk jepnin asnjë provë konkrete, duke u mbështetur vetëm në formulimin “mësoi jozyrtarisht”. Policia e Kosovës i demantoi këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të pakonfirmuara nga ndonjë autoritet zyrtar.

Përmbajtja clickbait u shfaq kryesisht në Facebook, ku një imazh i shoqëruar me titullin “Moska bën paralajmërimin e fortë për Kosovën, ‘Nuk do të mbijetojnë’” u përhap me shpejtësi. Imazhi krijonte përshtypjen se Rusia po dërgonte kërcënime ndaj Kosovës, megjithatë deklarata i referohej ambasadorit rus në Beograd, Alleksandar Boçan Kharçenko, i cili realisht u ishte drejtuar politikanëve të Serbisë — jo Kosovës — duke paralajmëruar se ata “nuk do të mbijetojnë politikisht” nëse njohin pavarësinë e Kosovës apo vendosin sanksione ndaj Rusisë.

Në kategorinë e teorive konspirative, mediat serbe si “Alo” publikuan deklarata të drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, i cili pretendonte se Albin Kurti gjoja po përgatit hapur një konflikt me Serbinë, me idenë që më pas të përfshihet KFOR-i. Angjellkoviq u përpoq ta portretizojë Kurtin si dikë që dëshiron të bëhet “komandant lufte”, por pa paraqitur asnjë provë apo fakt që mbështet pretendimet e tij. Për më tepër, pretendimi i tij për “incidente të shpeshta në kufi” është i pabazuar, pasi institucionet e sigurisë në Kosovë dhe Serbi nuk raportojnë për incidente të tilla kohëve të fundit. Përjashtim mbetet rasti i 1 nëntorit, kur një qytetar kosovar u plagos dhe u rrëmbye nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës — një rast që shkon në drejtim të kundërt me narrativën e ngritur.

Një tjetër rast dezinformimi u publikua në TikTok më 19 nëntor, ku u pretendua se kryetari i Listës Serbe kishte deklaruar mbështetje vetëm për PDK-në dhe LDK-në, e jo për Qeverinë Konjufca. Pas verifikimit u konstatua se personi në video nuk ishte kryetari i Listës Serbe, por deputeti Igor Simiq, i cili kishte bërë një deklaratë krejt tjetër. Simiq sqaroi se Lista Serbe nuk do ta mbështesë mandatarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën, sikurse nuk e kishte mbështetur as Albin Kurtin, por ai nuk kishte artikuluar fare ndonjë mbështetje për PDK-në apo LDK-në.

Lajm i rremë

Faqja në Facebook “ABC News Kosova” ka pretenduar më 12 nëntor se, duke u bazuar në burime të afërta me Prokurorinë e Shtetit, janë hapur hetime urgjente për keqpërdorime në procesin e votimit në komunat Fushë Kosovë dhe Obiliq, duke përfshirë manipulime të mundshme me vota dhe përfshirjen e personave me ndikim në administratën lokale. Në të njëjtin postim theksohej se Prokuroria ende nuk kishte dhënë njoftim zyrtar. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info rezulton se ky pretendim nuk është konfirmuar nga asnjë media kredibile. Prokuroria e Shtetit nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar në faqen e saj në Facebook lidhur me “hapjen e hetimeve”. (këtu)

Faqja “Universal” në Facebook publikoi një imazh të Granit Xhakës, duke pretenduar se ai ka thënë se “Fishëllimat i kisha kuptuar vetëm nga tifozët serb, por jo nga Dardanët”. Pas verifikimit nga hibrid.info vërtetohet se një deklaratë e tillë nuk ekziston. Kërkimet online me fjalët kyçe të citimit të pretenduar nuk japin asnjë burim kredibil që e mbështet atë. Pas ndeshjes Kosovë – Zvicër, Xhaka foli për mediumin zviceran SRF, ku tha se fishkëllimat e habitën dhe e prekën, por se ato janë pjesë e lojës dhe se gjithçka është në rregull. (këtu)

“Vuqiqi më Lista Serbe: Qellimi ynë është më opoziten ta rrezojmë Qeverinë Kurti.” shkruan mbi një imazh në të cilin shihen presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të subjektit politik serb në Kosovë, Lista Serbe, dhe kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Imazhi u publikua në TikTok nga llogaria “kosova.shqiptarve” më 19 nëntor. Pas kërkimit në “Google” me fjalët “Vuçiq: Qëllimi ynë me opozitën është që ta rrëzojmë Qeverinë Kurti”, hibrid.info nuk e ka hasur këtë deklaratë të pretenduar në asnjë burim kredibil të informacionit. (këtu)

Një postim në Facebook nga “AlbLajm.ch” ka rikthyer pretendimin e rremë se Albin Kurti ka thënë më 1998 se “kush i mbështet SHBA-të dhe Rugovën, është kundër Kosovës”. Faqja pretendon se kjo deklaratë është botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Ky artikull nuk ekziston në arkivin e FAZ-it dhe ky pretendim është demantuar qysh në vitin 2021 nga korrespondenti i gazetës, Michael Martens, i cili pati thënë se artikulli është i rremë dhe përdoret për fushatë. Pretendimi është rikthyer sërish në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. (këtu)

Llogaria “kosova.e.tradhetuar” në TikTok ka publikuar pretendimin se Albin Kurti ka pasur një takim me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, pas seancës së 19 nëntorit. Pretendimi bazohej në një fotografi ku shiheshin dy persona ulur në një kafene, e shoqëruar me mbishkrime që sugjeronin bashkëpunim mes Vetëvendosjes dhe Listës Serbe. Hibrid.info, përmes mjeteve të verifikimit të imazheve, ka konstatuar se fotografia është gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Përveç kësaj, kërkimet në Google nuk gjetën asnjë burim të besueshëm që konfirmon një takim të tillë. (këtu)

Dezinformatë/Përmbajtje e paverifikuar

Transmetuesi publik serb, RTS, sikurse edhe media tjera në gjuhën serbe, siç përmenden më sipër, kanë pretenduar të dielën (16 nëntor) se ka pasur të shtëna me armë zjarri nga ana e territorit të Kosovës në drejtim të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë në pjesën e Serbisë. Sipas këtyre pretendimeve, “një grup shqiptarësh të maskuar” kanë shtënë me armë zjarri dhe kanë qëlluar një qen. Mirëpo, ndonëse në titujt e këtyre artikujve konstatohej se ka pasur të shtëna, në brendësi asnjë artikull nuk e fakton një gjë të tillë, por të gjithë i referohen fjalisë “mësoi jozyrtarisht”. Policia e Kosovës, ndërkaq, të hënën ka mohuar të ketë pasur të shtëna në vijën kufitare gjatë të dielës së 16 nëntorit, duke i konsideruar pretendimet e mediave në serbisht si “dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës”. (këtu)

Clickbait

Fotografia me mbishkrimin “Moska bën paralajmërimin e fortë për Kosovën, ‘Nuk do të mbijetojnë’” krijon përshtypjen se Rusia ka dhënë mesazh drejtuar Kosovës. Megjithatë, bëhet fjalë për një deklaratë të ambasadorit rus në Beograd, Alleksandar Boçan Kharçenko, i cili iu ishte drejtuar politikanëve në Serbi që nëse i vendosin sanksione Rusisë ose e njohin Kosovën, nuk do të mund të mbijetojnë në drejtimin e shtetit – pra nuk bëhet fjalë për mesazh drejtuar Kosovës. Edhe lexuesit e kanë keqkuptuar si një porosi të drejtpërdrejtë ndaj vendit tonë. (këtu)

Teori konspirative

Media “Alo” në Serbi ka publikuar një deklaratë të drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, i cili ka konspiruar se Kurti po dëshiron konflikt me Serbinë, konflikt në të cilin, sipas tij, më pas do të përfshihej edhe KFOR-i. Krejt këtë, Angjellkoviq thotë se Kurti po e bën sepse “dëshiron të bëhet njëfarë komandanti i luftës”. Këto pretendime, Angjellkoviq nuk i ka bazuar në asnjë fakt, ndonëse citohet të ketë thënë se ka konflikte të shpeshta në kufirin Kosovë-Serbi. Megjithatë, as kjo deklaratë nuk është e bazuar në fakte, pasi nga institucionet e sigurisë të Kosovës, por as nga ato të Serbisë, nuk raportohet për ndonjë incident ndërkufitar kohëve të fundit. Rasti më i freskët është ai i 1 nëntorit të këtij viti, kur sipas Policisë së Kosovës, por edhe institucioneve tjera shtetërore, një shtetas kosovar u plagos nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës dhe më pas i njëjti u rrëmbye e u dërgua në territorin e Serbisë. (këtu)

Dezinformatë

Përmes një videoje të publikuar më 19 nëntor në TikTok u pretendua se kryetari i Listës Serbe kishte deklaruar se partia e tij do të votonte vetëm për PDK-në dhe LDK-në, por jo për Qeverinë Konjufca. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i pavërtetë, si dhe personi në video nuk është kryetari i Listës Serbe, por deputeti Igor Simiq. Në fjalën e tij, Simiq tha se Lista Serbe nuk do ta mbështesë mandatarin e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën, ashtu siç nuk e mbështeti as kandidatin e parë, Albin Kurtin. Gjatë fjalimit të tij, deputeti nga Lista Serbe nuk e përmendi fare PDK-në apo LDK-në. (këtu)

Share With Others