[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformata për deklarata politike, lajm i rremë se Abdixhiku ka prezantuar Isa Mustafën si kandidat për kryeministër, teori konspirative përmendja e Kosovës nga Zaharova ndërlidhur me sulmin e armatosur në Moskë
shape
shape
shape
EDU

Dezinformatat dhe lajmet e rreme janë dy kategoritë që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara.

Dezinformatat u publikuan në mediat sociale dhe portale informative ndërlidhur me pretendime të rreme se është vrarë një gjeneral i lartë i NATO-s në Ukrainë; së i është ndaluar hyrja në Kosovë, drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq; se Shkelzen Maliqi ka deklaruar se 007 janë futur në veri të Kosovës; se Kurti e refuzoi Asociacionin edhe pse insistuam, deklaratë e vjetër e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me pretendimin të paraqitet si aktuale.

Lajmet e rreme u publikuan në mediat sociale (TikTok dhe Facebook) me pretendime të rreme se ka pasur probleme ndërmjet Njësisë Speciale të Kosovës me atë të Serbisë; u publikua një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin emigrantë që pritet t’i sjellin në Shqipëri; një video-material tjetër u publikua me pretendimin se paraqet pamje të gjuajtjeve me armë në veri; se Lumir Abdixhiku ka prezantuar Isa Mustafën si kandidat të LDK-së për kryeministër.

Clickbait artikulli është publikuar në portal informativ kur një deklaratë për nevojën e një takimit është paraqitur si takim i kryer ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq; si dhe në një artikull për bunkerët e Prishtinës është ilustruar më fotografi të bunkerit në SHBA.

Teori konspirative nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, e cila, përkundër faktit se përgjegjësinë e sulmit të armatosur në një sallë koncertesh në afërsi të Moskës më 22 mars 2024, e mori grupi militant, shteti islamik (ISIS), ajo e fajësojë Ukrainën për ndërlidhje me këtë grup, duke shtuar se ky shtet po ia kalon edhe Kosovës sa i përket terrorizmit.

Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në mediat sociale të cilat kishin të bënin me pretendime të rreme për dhënie kredish dhe për shitjen e një produkti të rremë mjekësor për rikthimin e shikimit.

Clickbait

Portali informativ me emrin “ntv.al” ka publikuar më 21 mars një artikull të titulluar “Kurti takohet me Vuçiç, BE-ja tregon për çfarë dhe jep detaje”. Ndërsa në përmbajtje,  më saktësisht në krye, tregohet për një deklarim të zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), i cili ka shprehur nevojën për një takim të nivelit të lartë, ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes Bazë, pa treguar se kur mund të ndodhë ky takim. Pretendimi i paraqitur në titull të këtij artikulli, i cili informon për takim të kryeministrit Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, nuk është i saktë dhe nuk pasqyrohet edhe në përmbajtje të po këtij artikulli. (këtu)

Disa portale informative kanë publikuar një artikulli sot lidhur me bunkerët e Prishtinës me titull “Brenda bunkerëve të Prishtinës, që janë të destinuar në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo të ndonjë rreziku tjetër”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia ilustruese e përdorur në artikull nuk paraqet hyrjen e ndonjë bunkeri të Prishtinës. (këtu)

Lajm i rremë

Një llogari në TikTok që mban emrin “mtrks25” ka publikuar (24 mars) një video-material në të cilin shfaqet një ushtar pranë një makine ushtarake të rrokullisur. Këtij video-materialit, llogaria e lartcekur i ka vënë një mbishkrim, duke pretenduar se pamjet janë xhiruar afër kufirit me Serbinë dhe se ka pasur siç thuhet “probleme” ndërmjet Njësisë Speciale të Kosovës me atë të Serbisë. Pas verifikimit të fakteve përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim është i rremë dhe se pamjet shfaqin përmbysjen e një automjeti ushtarak në autostradën 401 në Oshawa të Ontarios në Kanada. (këtu)

Llogaria në Facebook me emrin “Lule Gjeli” ka publikuar (25 mars) një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin emigrantë që pritet t’i sjellin në Shqipëri. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë nga llogaria “Lule Gjeli”, është i rremë. Duke përdorur programin e automatizuar “InVid”, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se videoja është e vjetër, e publikuar në shtator të vitit 2023 dhe se pamjet paraqesin emigrantët nga Tunizia që kishin ardhur në Lampedusa të Italisë. (këtu)

Një llogari në TikTok me emrin “mtrks25” ka publikuar (25 mars) një video-material, i cili shfaq pamje të gjuajtjeve me armë. Autori i këtij publikimi i ka vendosur mbishkrimin “Dhezen Alarmat pas gjuajtjeve me arme ne kufi” duke i bashkangjitur po ashtu edhe etiketa të cilat pretendojnë se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Kosovë. Pas verifikimit nga hibrid.info, të njëjtat pamje janë gjetur të publikuara më herët nga burime tjera, të cilat tregojnë se pamjet shfaqin dyluftimet në Ukrainë, si dhe pretendimi për gjuajte armësh në kufi, në vendin tonë, nuk është konfirmuar nga autoritetet zyrtare. (këtu)

Një llogari në Facebook me emrin “Fleta Press” ka publikuar (28 mars) një imazh që paraqet kryetarin aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun pranë ish-kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa. Derisa publikimi përmban mbishkrimin “Lajmi i fundit”, imazhit i është vendosur teksti që pretendon se Lumir Abdixhiku ka prezantuar Isa Mustafën si kandidat të LDK-së për kryeministër. Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. (këtu)

Teori konspirative

Në mediat ruse shërbimet në gjuhën serbe është publikuar një deklaratë e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, lidhur me sulmin e armatosur në një sallë koncertesh në afërsi të Moskës më 22 mars 2024. Përkundër faktit se përgjegjësinë e këtij sulmi e mori grupi militant, shteti islamik (ISIS), Zaharova e fajësojë Ukrainën për ndërlidhje me këtë grup, duke shtuar se ky shtet po ia kalon edhe Kosovës sa i përket terrorizmit. Kosova ka strategjinë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit si dhe është pjesë e organizimeve ndërkombëtare kundër grupit militant, shteti islamik (ISIS). (këtu)

Dezinformatë

Një faqe në Facebook me emrin “Mbeshtetesit e Albin Kurtit”  ka publikuar (24 mars) një imazh të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq me mbishkrimin që paraqet deklaratën e tij, “Albin Kurti edhe sot ma ndaloi hyrjen në Kosovë”. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se kjo deklaratë e Pektoviq, ishte bërë në korrik të vitit 2022, kur ky i fundit nuk ishte lejuar të hynte në Kosovë (këtu), gjë e cila nuk sqarohet në përmbajtjen e publikuar nga faqja në fjalë. Bazuar edhe nga komentet në publikim, hibrid.info vlerëson se mos qartësimi i kontekstit kohor i ngjarjes së ndodhur, mund t’i bëjë lexuesit të mendojnë se ngjarja është aktuale. (këtu)

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar (26 mars) një artikull të titulluar “007 janë futur në veri të Kosovës, Kurti majtist i modës së vjetër”. Pas hulumtimit brenda përmbajtjes, hibrid.info ka gjetur se artikulli bën fjalë për një intervistë të publicistit, Shkelzen Maliqi, dhënë për gazetën në gjuhën serbe, “danas.rs”. Por, hibrid.info ka gjetur se në përmbajtje të artikullit, nuk figuron pretendimi i paraqitur në titull, se Maliqi është deklaruar që në veri të Kosovës, janë futur 007 – personazh fiktiv nga bota e filmit. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “The Reis” ka publikuar (27 mars) një status ku shkruhet “Burimet lokale raportojnë se një gjeneral i lartë i NATO-s është vrarë në Ukrainë.”. Pas verifikimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë burim kredibil, i cili konfirmon pretendimin në këtë status. Faktin që ky pretendim fillimisht është publikuar në mediat në gjuhën ruse, hibrid.info e ka vlerësuar si bazë të mjaftueshme për trajtim të këtij pretendimi. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar (29 mars) një imazh të cilit i kanë vendosur mbishkrimin “E rëndë, ρrindërit rrahin për υdekje foshnjën 10 muajshe / shiko videon e plote ne komentin e pare”. Imazhit i është bashkangjitur në koment, vegëza e artikullit që ka raportuar ngjarjen, i publikuar nga një portal i dyshimtë me emrin “new.focuslajme.mk”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli në fjalë nuk përmban video, ashtu siç paralajmërohet në mbishkrimin e fotografisë së publikuar nga faqet në Facebook, të cilat kanë raportuar ngjarjen. (këtu)

Një llogari në Facebook me emrin “Fleta Press” ka publikuar (29 mars) një imazh, ku paraqitet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, me mbishkrimin vendosur fotografisë, që paraqet deklaratën e tij, “Kurti e refuzoi Asociacionin edhe pse insistuam”. Llogaria në fjalë i ka vendosur këtij publikimi mbishkrimin që pretendon se përmbajtja në fjalë është “Lajmi i fundit!”. Por, pas verifikimit të fakteve është gjetur se kjo deklaratë e paraqitur e presidentit serb Vuçiq, është bërë më 27 shkurt të vitit 2023 nga ky i fundit. Ripostimi i një lajmi të vjetër duke e paraqitur si lajm të fundit, duke u bazuar edhe nga numri i ndjekësve (7 mijë) të kësaj llogarie, mund të lexohet nga audienca si ngjarje aktuale. (këtu)

Mashtrim

Një ueb-faqe e dyshimtë me emrin “xk3.ndconsen.com” promovon një produkt mjekësor që mban emrin “O CAPS”, me pretendimin se i njëjti është në shitje dhe se ndihmon në rikthimin e shikimit, e që ndikon tek secila moshë. Brenda përmbajtjes promovuese përmendet edhe emri i një personi “Jakup Cani” bashkangjitur me një portret të një burri, që pretendohet se është shqiptar dhe se i njëjti ka zbuluar këtë produkt mjekësor. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia e përdorur e këtij burri gjendet në platforma online për fotografi dhe se nuk ka asnjë fakt që ai është shqiptar, ose se i njëjti quhet Jakup Cani. Gjithashtu, produkti “O CAPS” që pretendon se ndihmon në rikthimin e shikimit, është produkt i rremë. (këtu)

Faqja “Kredi personale” në Facebook ka publikuar me datë 21 mars një postim me pretendimin që ofron mundësi për kredi biznesi deri në 25 mijë euro me mundësi për të nisur pagesën pas tre muajve. Hibrid.info ka verifikuar faktet rreth kësaj kampanje, ku është vërtetuar se kjo faqe ka publikuar postimin që paraqet njoftim të rremë. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të vërtetoi se faqja “Kredi personale” postimin e ka marrë nga njoftimi i institucionit mikrofinanciar “FINCA” në Kosovë, të cilit më pas i ka larguar logon identifikuese. (këtu)

Share With Others

Translate »