Përmbajtjet dezinformuese kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi.
Dezinformatat kishin të bënin me pretendime për shtëpi milionëshe të kryeministrit Albin Kurti, video-material i montuar ku pretendohet të paraqitet Kurti me Vojisllav Koshtunica, ish-kryeministrin serb. Dezinformatë me pretendimin se Avdullah Hoti, është shprehur se vendi lulëzonte kur ai ishte kryeministër i Kosovës. Përmbajtje dezinformuese me pretendimin e rremë se këngëtari Naim Abazi është shprehur kundër ezanit. Dezinformatë nga mediat në gjuhën serbe me pretendimin se Albin Kurti po vazhdon t’i terrorizoj serbët në Kosovë ku Policia e Kosovës rregullon trafikun me armë të gjata.
Përmbajtje të rreme të publikuara në Facebook me pretendimet se Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) do t’u shtohen edhe gjashtë pajisje ushtarake kundër-ajrore “Aselsan 35mm”, dhe se qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje 60 milionë euro me qeverinë turke për furnizimin me gjashtë pajisje ushtarake kundër-ajrore “Hisar A+”.
Përmbajtje mashtruese në Facebook lidhur me kërkesën për ndihmë në operimin e një fëmije për shkak të vuajtjes nga një sëmundje. Mashtrim më një fotografit të shpërndarë nga një episod i serialit “The Simpsons” nga e cila po pretendohet se është marrë logoja e re e Twitter.
Përmbajtje clickbait rreth pretendimit se SHBA-të kanë paralajmëruar për bandat kriminale në Ballkan dhe se kjo përbënë lajm të frikshëm për politikanët kosovarë të lidhur me krimin.
Përmbajtje e paverifikuar lidhur me mbishkrimin në pllakën e Qendrën e Njësisë Speciale në Mitrovicë në aktin e riemërimit të saj nga “Belvedere” në emër të policit të vrarë “Enver Zymeri”.
Dezinformatë
Një portal i dyshimtë me emrin “viraln32.com” ka publikuar një artikull me titull “Përhajr na qoftë / Ja shtëpia mi.lionshe e re e kryeministrit Albin Kurti”. Artikulli është i shoqëruar edhe me një fotografi në të cilën pretendohet se është shtëpia e kryeministrit Kurti. Por që hibrid.info ka vërtetuar se në përmbajtjen e artikullit janë paraqitur të dhëna nga deklarimi i pasurisë së Kurtit gjatë vitit 2020, si dhe mungojnë të dhënat që tregojnë vlerën e pretenduar milionëshe për shtëpinë e re të pretenduar po ashtu në titullin e artikullit, për kryeministrin Kurti. (këtu)
Llogaria në TikTok me emrin “SHALA’DRENICA🇽🇰🇦🇱🇮🇹🇸🇪” ka publikuar një video-material me imazhin ku paraqitet Albin Kurti, kryeministër i Kosovës bashkë me Vojislav Koshtunicën, ish-kryeministrin serb. Në mbishkrimin e fotografisë duke u bazuar edhe nga imazhi i shfaqur, pretendohet se kryeministri Kurti është agjent serb. Por që pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë imazhin origjinal duke vërtetuar se fotografia e shfaqur në video-material është e montuar. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” në faqen e tij zyrtare në Facebook ka publikuar një postim, duke pretenduar se deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, është shprehur se vendi lulëzonte kur ai ishte kryeministër i Kosovës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, për këtë postim, portali i lartcekur i është referuar një shkrimi të Hotit në llogarinë e tij në Facebook, i cili kishte kritikuar Qeverinë aktuale. Mirëpo, në këtë postim të tijin, përveç kritikave ndaj Qeverisë, ai nuk është shprehur se vendi lulëzonte në kohën kur ai ishte kryeministër. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” në faqen e tij zyrtare në Facebook ka publikuar një postim (25 korrik), me titull “Isa Mustafa: A po e shikoni se Albin Kurti po e tensionon situatën në veri, me mua do të ishte ndryshe?”. I njëjti titull është vënë edhe si mbishkrim në fotografinë shoqëruar postimit në fjalë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, për këtë postim, është kuptuar se portali në fjalë është bazuar nga një intervistë e Mustafës, dhënë për agjencinë e lajmeve “KosovaPress”. Mirëpo, në asnjërën nga deklarimet e ish-kryeministrit Mustafa nuk është gjetur deklaratë e ngjashme, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në formë të nënkuptuar. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” në faqen e tij zyrtare në Facebook ka publikuar një postim me datë 26 korrik me titull “Vdes papritmas në një motel një i moshuar nga Kosova”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se kjo ngjarje ka ndodhur në muajin mars të këtij viti, të cilën portali i lartcekur është munduar ta paraqesë si aktuale. (këtu)
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “viraln32.com” ka publikuar një artikull me pretendimin e rremë se këngëtari Naim Abazi është shprehur kundër ezanit. Pas verifikimit të fakteve, në përmbajtje të këtij artikulli paraqitet një deklaratë krejtësisht ndryshe nga ajo që pretendohet përmes titullit. Pra, Abazi në asnjë rast nuk është deklaruar në lidhje me këtë çështje. Hibrid.info ka vlerësuar se një lajm i tillë nuk është me potencial të krijimit të ndonjë impakti të lartë shoqëror, megjithatë, arsyeja e trajtimit të tij është bërë për shkak të nivelit të lartë të interaksionit në median sociale Facebook për këtë postim. (këtu)
Mediumi në gjuhën serbe “srbijadanas.rs” ka publikuar sot një artikull me pretendimin në titull se Albin Kurti po vazhdon t’i terrorizoj serbët në Kosovë ku Policia e Kosovës rregullon trafikun me armë të gjata. Ky pretendim mbështetet në një postim informues në Facebook nga portali informativ “Jepi zë” ku bënë të ditur se gjatë rregullimit të komunikacionit tek ura e hekurit që ndodhet afër tunelit në Mitrovicë, njëri nga policët ka dal me armë të gjatë. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është gjetur se nuk bëhet fjalë për keqtrajtim të komunitetit serb, siç pretendohet. (këtu)
Llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” ka publikuar me datë 28 korrik një video-material të shkurtër (13 sekonda), në të cilën shihen disa pjesëtarë të veshur me uniforma ushtarake duke gjuajtur me armë. Llogaria e lartcekur, pretendon rrejshëm se video paraqet pjesëtarët e Njëjsisë Speciale të Policisë së Kosovës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërejtur se në helmetën e njërit prej tyre vërehet qartë flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). (këtu)
Lajm i rremë
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një postim me pretendimin se Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) do t’u shtohen edhe gjashtë pajisje ushtarake kundër-ajrore “Aselsan 35mm”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në mediume kredibile dhe faqe zyrtare që ndërlidhet me furnizimin e FSK-së me këto pajisje ushtarake. (këtu)
Faqja në Facebook “Diaspora me Albinin” ka publikuar një postim me pretendimin se qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje 60 milionë euro me qeverinë turke për furnizimin me gjashtë pajisje ushtarake kundër-ajrore “Hisar A+”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar në mediume kredibile dhe faqe zyrtare si në gjuhën shqipe po ashtu edhe në atë turke, që ndërlidhet me furnizimin e FSK-së me këto pajisje ushtarake. (këtu)
Mashtrim
Një llogari me emrin “Rena Capo” ka postuar një shkrim në hapësirën e vet në Facebook, ku pretendohet se autori/ja e publikimit është nëna e një foshnje 5 muajshe të sëmurë, e cila ka nevojë për operim. Në të njëjtin shkrim që është publikuar edhe në grupin publik në Facebook me emër “DIASPORA KOMBËTARE E SHQIPTARISË”, në postimin e shoqëruar edhe me fotografi të foshnjës, kërkohet ndihmë financiare në realizimin e operacionit. Duke u nisur nga dyshimi se në postim nuk shfaqet xhirollogari bankare për ndihmën financiare, e as informata tjera, hibrid.info ka hulumtuar dhe ka arritur të gjejë identitetin real të foshnjave të shfaqura në dy nga fotografitë e publikuara, me anë të cilave pretendohet të paraqitet foshnja në fjalë. (këtu)
Një fotografi e marrë nga një episod i serialit “The Simpsons” nga e cila po pretendohet se është marrë logoja e re e Twitter, ka qarkulluar në rrjetet sociale. Në këtë fotografi shihet një celular dhe logoja e re “X” e medias sociale Twitter. Por që pas verifikimit është vërtetuar se fotografia është e manipuluar. Verifikimi i kësaj fotografie është bërë nga kontrolluesit e fakteve nga Spanja “Maldita.es”. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Amerika paralajmëron goditje serioze të bandave kriminale në gadishullin ballkanik, lajm i frikshëm për politikanët kosovar të lidhur me krimin”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen. Në përmbajtje bëhet e ditur se artikulli është i bazuar në një opinion të analistit Reshat Badallaj. Pra, në titull nuk sqarohet se kush e ka dhënë këtë deklaratë, duke lënë atë të kuptohet si paralajmërim zyrtar nga ana Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Pretendimet se mbishkrimi në pllakën e Qendrën e Njësisë Speciale në Mitrovicë në aktin e riemërimit të saj nga “Belvedere” në emër të policit të vrarë “Enver Zymeri” është bërë gabimisht, nuk qëndrojnë. Artikujt pretendojnë se gabimi apo siç i referohen (huqja) është bërë tek mbiemri i të ndjerit, duke pretenduar se është bërë Zymeri dhe jo Zymberi. Megjithatë, nga faktet e kontrolluara dhe verifikuara, rezulton se në fakt mbiemri i policit ishte Zymeri ashtu siç e konfirmojnë edhe familjarët e të ndjerit dhe jo Zymberi siç pretendohet nga mediat e trajtuara. (këtu)