Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë periudhës 19–25 janar 2026, ekosistemi informativ në Kosovë u përball me një dominim të përmbajtjeve dezinformuese dhe lajmeve të rreme në media dhe media sociale.
Gjatë periudhës së monitoruar, dezinformatat u publikuan kryesisht në rrjetet sociale, me theks të veçantë në TikTok dhe Facebook, por edhe në disa media online. Këto përmbajtje trajtuan tema me interes të lartë publik dhe ndjeshmëri politike, si pretendime të pavërteta për rinumërimin e votave dhe manipulimin e rezultateve zgjedhore, keqinterpretim të premtimeve të qeverisë për shtesat për fëmijë, atribuim të rremë të deklaratave ndaj opinionistëve dhe figurave publike, si dhe pretendime të pasakta lidhur me funksionimin institucional të shtetit pas shpërndarjes së Kuvendit. Po ashtu, janë evidentuar edhe thirrje të pavërteta për protesta, të cilat u paraqitën në mënyrë të shtrembëruar në raport me qëllimin dhe kontekstin real të tyre.
Lajmet e rreme u shpërndanë kryesisht përmes Facebook-ut dhe TikTok-ut, duke u bazuar në imazhe dhe postime vizuale të manipuluara me mbishkrime mashtruese. Këto përmbajtje kishin në fokus pretendime të pavërtetuara për kandidatura presidenciale, ku figura politike si Sami Lushtaku dhe Lumir Abdixhiku u paraqitën në mënyrë të rreme si kandidatë ose pretendues për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, u publikuan deklarata të fabrikuara, të cilat iu atribuuan ish-presidentit amerikan George W. Bush në lidhje me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, pa asnjë burim apo konfirmim zyrtar. Në mesin e lajmeve të rreme u përfshinë edhe pretendime të pavërteta me natyrë personale dhe fetare, si rasti i konvertimit të supozuar të presidentes Vjosa Osmani, të cilat u ndërtuan mbi pamje të nxjerra jashtë kontekstit nga vizita zyrtare dhe pa asnjë dëshmi faktike.
Në këtë periudhë, u identifikuan edhe raste të manipulimit të fakteve dhe manipulimit përmes titujve clickbait, të shpërndara në TikTok, Facebook dhe në media online rajonale. Në rrjetet sociale u publikuan imazhe me mbishkrime që paraqisnin parashikime ose opinione të ekspertëve si fakte të konfirmuara, si në rastin e deklaratës së analistit Dushan Janjiq mbi një dokument të supozuar amerikan për njohjen Kosovë–Serbi, e cila u prezantua pa kontekst dhe pa sqaruar se bëhej fjalë për vlerësim personal. Ndërkohë, në media online u evidentua përdorimi i titujve sensacionalistë dhe keqinterpretues, si rasti i artikullit të publikuar nga “Mondo.rs”, ku u krijua përshtypja e rreme se basketbollisti Deni Avdija po përballej me urrejtje për shkak të prejardhjes nga Kosova, ndonëse në intervistën origjinale ai i referohej reagimeve negative të lidhura me kombësinë e tij izraelite.
Gjatë javës që shkoj, u evidentuan edhe raste të përmbajtjeve të paverifikuara dhe clickbait-it, të shpërndara në Facebook, media online dhe faqe të ndryshme digjitale. Në rrjetet sociale qarkulluan imazhe dhe video të rreme, të cilat pretendohej se paraqisnin pamje nga rajoni rus i Kamchatkës, me nivele ekstreme të borës deri në 10 metra, përfshirë edhe mbulimin e ndërtesave; megjithatë, verifikimi tregoi se këto përmbajtje nuk ishin reale dhe rezultuan të ishin të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Ndërkohë, në disa portale informative u përdorën tituj mashtrues, si në rastin e artikullit për futbollistin Fisnik Asllani, ku transferimi i tij te një klub i madh italian u paraqit si i përfunduar, ndonëse brenda tekstit bëhej e qartë se bëhej fjalë vetëm për interesim të Juventusit, duke krijuar kështu një mospërputhje mes titullit dhe përmbajtjes.
Manipulim i fakteve
Publikohet një imazh me mbishkrimin “Amerika paraqet dokument për njohje Kosovë – Serbi në mars ose prill”. Imazhi me këtë mbishkrimin është gjetur i publikuar (18 janar) në TikTok nga llogaritë me emrat “gazeta_minuti” dhe “linkesti4” si dhe në Facebook në grupin “#QeveriaKurti3”, nga një llogari me emrin “Javer Karagjyzi”. Hibrid.info gjeti se pretendimi i paraqitur në këtë imazh është deklaratë e ekspertit të politikave në Ballkanin Perëndimor, Dushan Janjiq. Në këto imazhe, parashikimi i Janjiq është paraqitur si pohim faktik, pa e sqaruar se bëhet fjalë për një deklaratë të tij. (këtu)
Dezinformatë
Pretendimi i llogarisë “interlajm” në TikTok se pas rinumërimit të pjesshëm të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 Enver Hoxhajt i janë hequr 4520 vota, Bedri Hamzës 3870 dhe Uran Ismailit 2960 është i pavërtetë. Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e KQZ-së nga numërimi i deritashëm, Hoxhajt i janë hequr 1016 vota, ndërsa dy kandidatëve të tjerë për deputetë nga radhët e PDK-së u janë shtuar vota. Hibrid.info ka verifikuar edhe vetëm votat e hequra në secilën komunë veç e veç dhe rezulton se asnjëri nuk i është afruar shifrës së pretenduar në TikTok. (këtu)
Në median sociale TikTok janë gjetur të publikuara disa postime lidhur me premtimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me rritjen e shtesave për fëmijë. Në këto postime pretendohet se kush ka 1 fëmijë, do të përfitojë nga 90 euro në muaj, kush ka 2 fëmijë do përfitojë gjithsej 180 euro. Postimet u gjetën të publikuara në TikTok nga llogaritë “bajrush.kurti0” dhe “halitdardania”. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i pasaktë. (këtu)
Është publikuar një imazh në të cilin shihet opinionisti Halil Matoshi, me mbishkrimin që pretendon se ai ka deklaruar se “Takimi i Vjosa Osmanit me Trump nuk është asgjë veçse një takim i thjeshtë”. Kjo përmbajtje është publikuar të enjten (22 janar) në Facebook, nga një faqe me emrin “Shqip-AI”. Hibrid.info gjeti se Matoshi nuk ka bërë deklaratë të tillë. (këtu)
Artikujt e publikuar nga “Nacionale.com” dhe “Demokracia.com” pretendojnë se Kosova ka mbetur pa “zot shtëpie” institucional, pasi presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ndodheshin njëkohësisht jashtë vendit dhe se, për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, nuk ka kryetar të Kuvendit që ta ushtronte këtë rol. Megjithatë, verifikimi i fakteve nga hibrid.info tregon se ky pretendim nuk është i saktë. Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë ushtrimin e detyrave edhe pas shpërndarjes së Kuvendit, deri në seancën konstituive të përbërjes së re, për të garantuar vazhdimësinë administrative. Rrjedhimisht, Kosova nuk ka mbetur pa kryetar të Kuvendit dhe pretendimi i publikuar në këta artikuj nuk është i saktë. (këtu)
Pretendimi i llogarisë “Lule Gjeli” në Facebook se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë thirrje për protestë kundër Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt është i pavërtetë. Ai ka ftuar për pjesëmarrje në protestën “Drejtësi, jo politikë!”, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. As Hamza e as organizatorët nuk kanë thirrur protestë kundër Pavarësisë. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Në median sociale Facebook, media online e faqe janë publikuar imazhe e video, përmes të cilave pretendohet se paraqesin pamje të qytetin rus Kamchatka, ku shihet se bora ka shkuar në nivel deri 10 metra, e në disa raste ka mbuluar edhe ndërtesat. Pas verifikimit të këtyre përmbajtjeve, u vërtetua se ato nuk janë reale. Duke u bazuar në verifikimin e platformës “Hive Moderation”, del që këto përmbajtje janë gjeneruar 99% me inteligjencë artificiale. (këtu)
Lajm i rremë
Është publikuar një imazh ku shihet Sami Lushtaku, kryetari i Komunës së Skënderajt me mbishkrimin që pretendon se ai është propozuar si kandidat për president të Republikës së Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (19 janar) në Facebook, nga një llogari me emrin “Ndryshimi Filloi”. Hibrid.info nuk ka gjetur se ka një propozim zyrtar të konfirmuar, se PDK ka propozuar Lushtakun kandidat për pozitën e presidentit. (këtu)
Është publikuar një imazh ku shihet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me mbishkrimin “Gjatë mbledhjes se keshillit të LDK-së Lumir Abdixhiku pretendon postin e PRESIDENTIT te Kosovës”. Po ashtu, në brendësi të fotos është shkruar: “Lumir Abdixhiku Pretendon postin e PRESIDENTIT te Kosovës !”. Kjo përmbajtje vizuale është publikuar të martën (20 janar) në Facebook, nga një llogari me emrin “Ndryshimi Filloi”. Hibrid.info nuk ka gjetur se ka një propozim zyrtar të konfirmuar, se Lumir Abdixhiku ka pretenduar postin e Presidentit gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, e cila u mbajt më 19 janar. Gjatë mbledhjes thuhet se është diskutuar çështja e kryetarit të partisë. (këtu)
Përmes një postimi në Facebok nga llogaria “Moisi Golemi” pretendohet se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), George Bush, ka dhënë një deklaratë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Në këtë postim shkruan “THAÇI E PËRFAQËSON UÇK-NË NË HAGË. UDHËHEQËSI I LUFTËS DHE I PAVARËSISË NUK ËSHTË INDIVID. UNË BESOJ NË PAFAJËSINË E TIJ. AI DHE POPULLI I KOSOVËS LUFTUAN KUNDËS SHTYPJES”. Këtë deklaratë, Bush pretendohet ta ketë dhënë për televizionin “ABC NEWS”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Bush nuk ka dhënë asnjëherë deklaratë të tillë për Thaçin. (këtu)
Pretendimi se presidentja Vjosa Osmani është konvertuar në fenë katolike është i rremë. Pamjet e publikuara në TikTok e shfaqin atë gjatë një vizite zyrtare në kishën e Letnicës më 15 gusht 2024. Përpos që besimi fetar është çështje personale dhe është e vështirë të gjenden edhe të dhëna publike mbi këtë çështje, nuk ka asnjë dokument apo deklaratë publike që dëshmon se Osmani ka ndërruar fe. Hibrid.info pati trajtuar pretendim të ngjashëm edhe në atë periudhë. (këtu)
Manipulim i fakteve/Clickbait
Mediumi në gjuhën serbe “Mondo.rs” ka publikuar një artikull me titull që lë të kuptohet se basketbollisti i NBA, Deni Avdija, po përballet me urrejtje për shkak të prejardhjes së tij nga Kosova. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve, rezulton se ky pretendim nuk qëndron. Në intervistën e dhënë për NBA.com, Avdija flet për urrejtjen dhe komentet negative që has në rrjete sociale për shkak të kombësisë së tij izraelite, dhe jo për Kosovën. Ai në asnjë rast nuk e përmend Kosovën si burim të këtyre reagimeve, ndonëse ka prejardhje familjare nga Kosova. (këtu)
Clickbait
Portalet informative “orainfo.net” dhe “futboll.al” publikuan të shtunën, më 24 janar, artikullin me titull: “Lajm bombastik: Fisnik Asllani transferohet te gjiganti italian”. Pas klikimi në artikull, në tekst theksohet se bëhet fjalë për interesimin e klubit italian Juventus, pas largimit të futbollistit Dushan Vlahoviq. Titulli e paraqet si një punë të kryer transferimin e Fisnik Asllanit te Juventusi, dhe jo si një interesim të klubit. (këtu)