Të fundit | Roli i hiperlinkut në gazetarinë digjitale dhe mungesa e tij si faktor i ke… Të fundit | Grafiti në Zubin Potok dhe pretendimet pa prova për kërcënim ndaj serbëve s… Të fundit | Sondazh i rremë për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë Të fundit | Imazhi i krijuar me IA paraqitet pasaktë si dëshmi për transportimin e qenv… Të fundit | Nuk ka vendim e as datë të caktuar për zgjedhje të reja Të fundit | Raporti i FMN-së flet për parashikim, jo për rritje ekonomike aktuale Të fundit | Nuk konfirmohet gjetja e varrit masiv në Drenas dhe lidhja me arrestimin e… Të fundit | Rishikimi i javës: Keqinterpretimi i deklaratës së Lutfi Hazirit për koalic… Të fundit | Haziri nuk ka folur për koalicion LDK-VV Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Keqinterpretimi i deklaratës së Lutfi Hazirit për koalicion politik, tituj të fabrikuar për ngjarje tragjike dhe atribuime të rreme deklaratash politike

FESTIM RIZANAJ

Gjatë periudhës 13–18 prill, monitorimi i mediave dhe platformave sociale evidenton dominimin e manipulimit të fakteve, të cilat janë shpërndarë kryesisht përmes mediave sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.

Manipulimet e fakteve gjatë kësaj periudhe janë publikuar kryesisht në media në gjuhën serbe dhe në platforma online përmes imazheve dhe postimeve të shpërndara në rrjete sociale. Temat kryesore kanë përfshirë keqinterpretimin e një aksidenti trafiku në Austri, ku është pretenduar rrejshëm se viktima ishte shtetas i Serbisë, si dhe shtrembërimin e një deklarate të kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, duke e paraqitur gabimisht si thirrje për të shmangur udhëtimet ajrore në Evropë.

Përmbajtjet e paverifikuara dhe ato të tipit clickbait janë shpërndarë kryesisht në rrjete sociale, veçanërisht në Facebook dhe në portale online të dyshimta. Një prej temave ka qenë pretendimi i pabazuar për rritjen e çmimeve të ujit të ambalazhuar deri në 40%, i publikuar pa burime të verifikueshme nga një portal online. Ndërkohë, përmbajtjet clickbait kanë përfshirë keqinterpretimin e deklaratave politike, si në rastin e një videoje ku i atribuohet gabimisht Lutfi Hazirit një deklaratë për koalicion mes LDK-së dhe VV-së, ndërsa në realitet ai kishte folur vetëm për konsultime lidhur me çështje institucionale.

Përmbajtjet me teori konspirative janë publikuar kryesisht në portale në gjuhën serbe dhe kanë trajtuar tema ndëretnike dhe të sigurisë në Kosovë. Një artikull ka pretenduar pa asnjë provë se Policia e Kosovës ka rrahur fëmijë serbë për shkak të përkatësisë së tyre etnike, duke mos ofruar fakte apo burime të verifikueshme. Në të kundërt, raportimet nga burime të tjera mediale tregojnë se rasti në Jarinjë lidhej me ndalimin e disa të rinjve tek të cilët janë gjetur materiale me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, çka tregon për një shtrembërim të qëllimshëm të ngjarjes.

Dezinformatat dhe lajmet e rreme janë shpërndarë kryesisht përmes faqeve në Facebook dhe kanë trajtuar tema sensacionale dhe politike. Një rast përfshin publikimin e titujve të rremë për një ngjarje tragjike me viktima nga shembja e një ndërtese, të cilat nuk përputhen me përmbajtjen reale të artikullit pas klikimit. Një tjetër rast lidhet me atribuimin e një deklarate të paqenë ndaj studiuesit James Ker-Lindsay, ku pretendohet për ekzistencën e një strukture të shërbimit sekret serb kundër diasporës kosovare, pa asnjë dëshmi apo burim të besueshëm që e mbështet këtë pretendim.

Përmbajtje e paverifikuar

Pretendimi se çmimet e ujit të ambalazhuar janë rritur deri në 40% gjatë muajit të fundit nuk mbështetet nga asnjë burim i verifikueshëm. Ky informacion është publikuar vetëm si postim në Facebook nga portali informativ “KosovaPost.net”, pa u shoqëruar me artikull apo referencë, ndërsa kërkimet online nuk ofrojnë asnjë raportim nga burime kredibile që e konfirmon atë. (këtu)

Teori konspirative

Nëpërmjet një artikulli, portali në gjuhën serbe “vaseljenska.net” ka pretenduar se Policia e Kosovës ka rrahur fëmijë serbë, vetëm sepse janë të këtij komuniteti. Artikulli nuk ofron fakte, fotografi apo reagime zyrtare. Ndërkaq, “Kosovapress.com” ka raportuar se disa të rinjve në Jarinjë u ishin gjetur materiale me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes. Sipas Policisë, janë ndaluar persona me materiale nacionaliste. (këtu)

Manipulim i fakteve

Mediat në serbisht kanë pretenduar rrejshëm se një shtetas i Serbisë ka vdekur në një aksident trafiku në Austri më 11 prill. Mirëpo, të dhënat zyrtare nga Policia austriake, siç njoftojnë mediat në Austri (ORF dhe OE24), bëjnë me dije se viktima është nga Kosova, kurse shoferi i kamionit, me të cilin u përplas 19-vjeçari, është serb, por nuk specifikohet se nga cili shtet. (këtu)

Publikohet një imazh me mbishkrimin “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë”. Mbishkrimi është bazuar në intervistën për Associated Press (AP), të kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, i cili ka folur për një situatë të mundshme të furnizimit me karburant për avionë në Evropë, duke vlerësuar se mund të ketë rreth gjashtë javë rezerva nëse vazhdojnë bllokimet e furnizimit. Por, ai nuk ka paralajmëruar publikun të mos planifikojnë udhëtime me aeroplanë në Evropë, ashtu siç pretendohet. (këtu)

Dezinformatë

Disa faqe në Facebook “GazetaPress 24”, “Shqiperia” dhe “Lajme” kanë publikuar më 13 prill postime me titullin “Ngjarje tragjike ne vend, Shembet ndertesa, raportohet se ka viktima”, të cilit i kanë bashkangjitur edhe vegëzën e artikullit. Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se titulli i postimit është i rremë. Pasi të klikohet vegëza e artikullit, shfaqet një ngjarje tjetër, që nuk lidhet me pretendimin në titull. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një postimi në Facebook u pretendua se James Ker-Lindsay ka deklaruar se shërbimi sekret serb ka një departament për diasporën kosovare dhe se urrejtja ndaj UÇK-së buron nga ky drejtim. Pas verifikimit të kryer online, nuk është gjetur asnjë deklaratë e tillë në media apo burime kredibile, as në kërkimet në gjuhën shqipe dhe as në atë angleze. (këtu)

Clickbait

Përmes një videoje të publikuar në Facebook pretendohet se Lutfi Haziri ka folur për një koalicion mes LDK-së dhe VV-së, duke ia atribuuar këtë deklaratë në përshkrim. Pas verifikimit të fakteve, rezulton se Haziri nuk ka përmendur fare koalicion, por vetëm konsultime mes LDK-së dhe VV-së lidhur me një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe funksionimin e institucioneve. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere