Përgatiti: Festim Rizanaj
Nga monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale gjatë javës së kaluar është konstatuar dominimi i lajmeve të rreme dhe manipulimi i fakteve.
Gjatë javës së fundit janë publikuar disa lajme të rreme në rrjete sociale, me fokus në zhvillimet politike dhe lokale në Kosovë. Më 26 prill, disa faqe në Facebook si “Lajme Nga Bota”, “Fleta Press” dhe “Anamorava Zerogjashtë”, shpërndanë një pretendim të pavërtetë se ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka bërë thirrje për veprime serioze kundër Kosovës dhe ka kritikuar qeverinë e Albin Kurtit. Një tjetër lajm i rremë u shpërnda më 28 prill nga faqja “Informimi”, duke pretenduar se një hulumtim i supozuar nga “Instituti prestigjioz IDE” e rendiste Gazmend Muhaxherin, Bali Muharremajn dhe Agim Aliun si kryetarët më të mirë të komunave në Kosovë.
Rastet e manipulimit të fakteve këtë javë kanë përfshirë keqinterpretim të deklaratave dhe përdorim të pamjeve jashtë kontekstit. Më 29 prill, faqja “Fleta Press” publikoi në Facebook një imazh që pretendonte se deputeti i LDK-së, Arben Gashi, kishte deklaruar se partia e tij do ta përfshinte Listën Serbe në një koalicion qeveritar. Në fakt, deklarata ishte e vjetër dhe pa sqarimin e kontekstit kohor. Ndërkohë, më 3 maj, e njëjta faqe publikoi një fotografi që tregonte deputetin Elmi Reçica dhe një person tjetër që pretendohej të ishte Berat Buzhala, duke sugjeruar një takim të fshehtë para një seance të Kuvendit. Hulumtimet konfirmuan se fotografia ishte e vjetër dhe se nuk lidhet me zhvillimet aktuale.
Një tjetër rast manipulim i fakteve/dezinformatë është regjistruar më 29 prill në TikTok nga llogaria “kosovaripavdekshem2.0”, ku u publikua një imazh që pretendonte se Kosova ka një inteligjencë mesatare kombëtare (IQ) prej 99, duke iu referuar një studimi të kryer nga psikologu Richard Lynn dhe shkencëtari politik Tatu Vanhanen.
Një përmbajtje e paverifikuar/dezinformatë u shpërnda së fundmi në Facebook, ku përmes një videoje pretendohej se flamuri i komunitetit LGBTIQ+ ishte vendosur në qendër të Prishtinës dhe më pas ishte larguar nga policia. Hibrid.info verifikoi se ky pretendim është i pasaktë; në realitet, bëhej fjalë për një jelek pune që ishte pjesë e një instalacioni simbolik të vendosur nga Instituti Friedrich Ebert Stiftung në kuadër të Ditës Botërore të Përkujtimit të Punëtorëve.
Një rast mashtrimi u shënua më 1 maj nga faqja në Facebook “Kronika.com”, e cila publikoi një imazh që shfaqte një vend të përfshirë nga flakët, duke pretenduar se paraqiste Izraelin. Pas verifikimit nga Hibrid.info, u konstatua se fotografia ishte gjeneruar me Inteligjencë Artificiale (IA) dhe nuk përfaqësonte një ngjarje reale.
Një tjetër rast dezinformimi është regjistruar më 1 maj në platformën “X”, ku llogaria “VukFeNix” publikoi një video që tregonte dy persona të shtrirë në tokë, njëri duke mbajtur tjetrin për fyti. Pretendimi ishte se një shqiptar në Barcelonë kishte tentuar t’i vidhte kamerën një fotografi nga Kina, i cili më pas e ndali autorin me një teknikë të arteve marciale derisa mbërriti policia. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se bëhej fjalë për një person me prejardhje nga Afrika e Veriut.
Lajm i rremë
Publikohet një përmbajtje që pretendon se Sergei Lavrov, ministri i Punëve të Jashtme ka reaguar për situatën në Kosovë duke thënë se Rusia si mike e Serbisë nuk duhet të lejojë një qeverisje agresive të udhëhequr nga Albin Kurti. Sipas tij pretendimi i kryeministrit Albin Kurti, për 1 miliard euro për armatim, do të lëkundte themelet e Serbisë në Ballkan. Tutje, Lavrov thuhet të ketë bërë thirrje për veprime serioze kundër Kosovës për të mbrojtur “pastërtinë” e Serbisë. Një pretendim i tillë është publikuar më 26 prill nga disa faqe në Facebook, si “Lajme Nga Bota”, “Fleta Press” dhe “Anamorava Zerogjashtë”. Hibrid.info gjeti se deklarata e pretenduar nuk figuron e publikuar në burimet zyrtare dhe ato kredibile. (këtu)
Është publikuar një përmbajtje që pretendon se sipas hulumtimit të fundit të realizuar nga “Instituti prestigjioz IDE”, tre kryetarët më të mirë të komunave në Kosovë janë Gazmend Muhaxheri (Pejë), Bali Muharremaj (Suharekë) dhe Agim Aliu (Ferizaj). Pretendimi është publikuar (28 prill) në faqen e portalit, “informim.net” në Facebook. Hibrid.info vërtetoti se nuk ka asnjë raport të tillë të publikuar në mënyrë zyrtare nga ndonjë institut të njohur në fushën e matjes së performancës komunale. (këtu)
Manipulim i fakteve
Është publikuar një imazh që pretendon se Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), ka deklaruar se ky subjekt do të përfshijë Listën Serbe si pjesë të koalicionit qeveritar. Fotografia me këtë pretendim është shkëputur nga një artikull i publikuar në mediumin, “kallxo.com” dhe e njëjta është postuar (29 prill) në Facebook, nga një llogari me emrin, “Fleta Press”. Hibrid.info ka gjetur se deklarata e Gashit është e vjetër dhe i mungon sqarimi i kontekstit kohor. (këtu)
Publikohet një imazh ku shihen Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe një person tjetër nga mbrapa, për të cilin pretendohet se është Berat Buzhala, drejtues i mediumit, “Nacionale.com”. Imazhi është publikuar (3 maj) në Facebook nga llogaria me emrin “Fleta Press”, me pretendimin se këta dy janë takuar fshehurazi para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës. Hulumtimi ka gjetur se kjo fotografi është publikuar më herët dhe nuk ka lidhje me kontekstin aktual të ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës. (këtu)
Manipulim i fakteve/Dezinformatë
Përmes një imazhi pretendohet se Kosova ka inteligjencën mesatare kombëtare (IQ) 99. Në këtë imazh paraqitet se këto të dhëna janë marrë nga një studim i kryer nga psikologu Richard Lynn dhe shkencëtari politik Tatu Vanhanen. Postimi u publikua (29 prill) në TikTok nga llogaria me emër “kosovaripavdekshem2.0”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi është i rremë. Në këtë studim nuk është përfshirë Kosova. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë
Përmes një videoje të publikuar në Facebook u pretendua se flamuri i komunitetit LGBTIQ+ ishte vendosur në qendër të Prishtinës dhe më pas ishte larguar nga policia. Pas verifikimit nga Hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i pasaktë. Në fakt, bëhej fjalë për një jelek pune i vendosur si instalacion simbolik nga Instituti Friedrich Ebert Stiftung, në nderim të punëtorëve për Ditën Botërore të Përkujtimit të Punëtorëve. (këtu)
Mashtrim
Publikohet një imazh që shfaq një vend të përfshirë nga flakët, për të cilin pretendohet se paraqet Izraelin. Fotografia me këtë pretendim është publikuar (1 maj) nga një faqe në Facebook, me emrin “Kronika.com”. Hibrid.info ka gjetur se kjo fotografi është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale (IA). (këtu)
Dezinformatë
Është publikuar një video që tregon momentin kur dy persona ndodhen të shtrirë në tokë, ndërsa njëri prej tyre e ka mbërthyer tjetrin për fyti. Ky video-material me pretendimin se një person i kombësisë shqiptare në Barcelonë, Spanjë, u përpoq t’i vjedhë kamerën një fotografi nga Kina, i cili më pas përdori një teknikë të arteve marciale për ta ndaluar autorin derisa mbërriti policia, është publikuar (1 maj) në platformën “X”, nga një llogari me emrin, “VukFeNix”. Hibrid.info ka gjetur se nuk bëhet fjalë person të kombësisë shqiptare, të përfshirë në incidentin në fjalë. (këtu)