Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës (27 tetor – 2 nëntor 2025), mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u karakterizuan nga një prani e theksuar e keqinformimeve, ku mbizotëruan gabimet dhe përmbajtjet e paverifikuara.
Në media dhe rrjete sociale në Kosovë u bënë burim i përhapjes së gabimeve faktike dhe interpretimeve të pasakta. Portali “kosovapress.com” publikoi një lajm të pavërtetë duke pretenduar se mandatari për kryeministër, Albin Kurti, kishte tentuar ta shkarkonte Dimal Bashën nga posti i kryetarit të Kuvendit, ndërsa në fakt bëhej fjalë për një propozim për ta emëruar atë ministër – çka nuk përbën shkarkim sipas procedurës kushtetuese. Në anën tjetër, në Facebook u shpërndanë imazhe keqinformuese për një “ligj të ri amerikan” që ndalonte ndarjen e Kosovës, megjithëse bëhej fjalë vetëm për një projektligj të prezantuar në Kongresin amerikan (H.R.5274), i cili ende nuk është miratuar nga asnjë nga dhomat e Kongresit. Këto raste tregojnë për mungesë verifikimi dhe përhapje të informacionit të pasaktë në hapësirën publike digjitale.
Gjatë të njëjtës periudhë janë shpërndarë edhe disa përmbajtje të paverifikuara që krijuan perceptim të gabuar për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend. Më 28 tetor, portalet “mitropol.net” dhe “indeksonline.net” publikuan artikuj me tituj që pretendonin se Lëvizja Vetëvendosje kishte siguruar votat për formimin e qeverisë së re dhe kishte nisur mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme parlamentare, pretendime që nuk u mbështetën me fakte konkrete dhe u paraqitën si të konfirmuara. Po ashtu, më 30 tetor në disa faqe në Facebook, përfshirë “Istogu Channel”, “Gazeta Imazhi”, “RTI”, “albinfo.ch”, “Tetova Sot” dhe “Gazeta Fol Drejt”, u publikuan përmbajtje që pohonin se paga minimale në Kosovë do të bëhej 500 euro nga janari 2026. Në realitet, vendimi i Qeverisë parashihte rritjen në dy faza – fillimisht në 425 euro nga janari dhe në 500 euro nga korriku – gjë që tregon se raportimet ishin bërë pa verifikim të burimeve zyrtare.
Manipulim i fakteve / Dezinformatë u publikuan në faqen “Fushë Kosova Lajm” u publikua një video ku pretendohej se kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, nuk përfaqëson këtë subjekt politik. Pretendimi u arsyetua gabimisht me faktin se ai ishte zgjedhur Auditor i Përgjithshëm nga Xhavit Haliti i PDK-së. Verifikimi i fakteve tregoi se në të vërtetë, Osmani ishte propozuar për këtë post nga ish-presidentja Atifete Jahjaga më 3 mars 2016 dhe ishte zgjedhur nga Kuvendi më 30 mars të po atij viti.
Teoria konspirative u publikua në gazetën serbe “Večernje Novosti” më 27 tetor me titull “Kurti se sprema za rat jer mu izmiče vlast?”, ku pretendohej se kryeministri në detyrë Albin Kurti po përgatitet për luftë për shkak të humbjes së pushtetit. Artikulli përhapte narrativa konspirative, duke lidhur procesin e armatosjes së Kosovës me “projektin për Shqipërinë e Madhe” dhe “dëbimin e serbëve nga Kosova”.
Deklarata e pavërtetë u publikua në profilin zyrtar të ushtruesit të detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, më 27 tetor një njoftim ku pretendohej se Kosova është shteti me përqindjen më të lartë të territorit të mbrojtur në Ballkan (12.4%). Sipas verifikimit të Hibrid.info, raportet ndërkombëtare nuk e mbështesin këtë pretendim, duke e bërë deklaratën të pavërtetë.
Dezinformata u publikua në portalin “albaniannews.net” u publikua një artikull që pretendonte se votuesit e PDK-së në Fushë-Kosovë janë të pakënaqur me marrëveshjen me LDK-në për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Artikulli u bazua në një “sondazh” të postuar nga faqja “Fushë Kosova Portal” në Facebook, por ky publikim nuk plotësonte asnjë standard metodologjik për matjen e opinionit publik.
Lajm i rremë u publikua në Facebook, nga llogaria “Halil Geci” pretendimi i rremë se grupi i akuzuar për sulmin në Banjskë kishte vepruar me porosi të opozitës kosovare. Asnjë burim i verifikuar nuk e mbështet këtë deklarim, i cili është shpërndarë edhe nga llogari të tjera në Facebook dhe TikTok.
Gabim
Është pretenduar se mandatari për kryeministër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka tentuar shkarkimin e Dimal Bashës nga posti i kryetarit të Kuvendit. Pretendimi u publikua nga agjencia e lajmeve “kosovapress.com” të dielën (26 tetor). Pretendimi në titull dhe në krye të lajmit u bë me arsyetimin se Kurti e ka propozuar emrin e Bashës për ministër të Infrastrukturës dhe Transportit, gjatë prezantimit të kabinetit me të cilin synonte të siguronte edhe një mandat si kryeministër. Emërimi potencial i Bashës në post ministror do të nënkuptonte se mandati i tij si deputet do të bëhej i pavlefshëm. Por kjo nuk do të thotë shkarkim, që është akt formal dhe që kërkon procedurë të bazuar në Kushtetutë. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2020 me Glauk Konjufcën, që nga posti i kryeparlamentarit kaloi si ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës. (këtu)
Është pretenduar gabimisht nëpërmjet imazheve në Facebook për një ligj të ri në SHBA e që nuk lejon ndarjen e Kosovës e se parasheh vetëm marrëveshje për njohje me Serbinë. Por, në SHBA vetëm është prezantuar një projektligj (H.R.5274, “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”) që parashikon mbështetjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë–Serbi të bazuar në njohje dhe kundërshtimin e ndarjes territoriale. Ky projektligj nuk është votuar nga Dhoma e Përfaqësuesve ose Senati, pra ende nuk është miratuar. (këtu)
Manipulim i fakteve/Dezinformatë
Faqja “Fushë Kosova Lajm” publikoi një video ku pretendohej se kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, nuk përfaqëson këtë parti, me arsyetimin se ishte zgjedhur Auditor i Përgjithshëm nga Xhavit Haliti i PDK-së. Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se ish-presidentja Atifete Jahjaga ishte ajo që e propozoi Besnik Osmanin për postin e Auditorit të Përgjithshëm më 3 mars 2016. Më pas, më 30 mars 2016, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi atë me 76 vota për, 3 kundër dhe 1 abstenim, siç e konfirmon edhe videoja autentike e publikuar nga “Kallxo.com”. (këtu)
Teori konspirative
Gazeta serbe “Večernje Novosti”, në një artikull të publikuar më 27 tetor, me titullin “Kurti se sprema za rat jer mu izmiče vlast? (A po përgatitet Kurti për luftë sepse po i ikën pushteti? – Lideri i Vetëvendosjes pa shumicë për qeverinë e re, prandaj po armatoset)”, ka pretenduar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po përgatitet për luftë pasi po humb pushtetin. Artikulli, i cili përmend edhe faktin se propozimi i Kurtit për formimin e qeverisë së re nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve, e lidh situatën politike me “strategjinë e armatosjes” së Kosovës. Sipas “Novosti” dhe deklaratave të drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po përdoret si mjet për “realizimin e misionit ideologjik të Kurtit – krijimin e ‘Shqipërisë së madhe’ dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”.
Deklaratë e pavërtetë
Hysen Durmishi u.d i ministrit në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna” dhe “Liqenit të Ujmanit”. Në njoftimin të cilin e ka publikuar të hënën (27 tetor) ai ka pretenduar se me këtë vendim, Kosova bëhet shteti me përqindjen më të lartë (12.4%) të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor. Hibrid.info ka gjetur raporte të institucioneve ndërkombëtare që hedhin poshtë pretendimin e Durmishit. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Të martën (28 tetor) Janë publikuar artikuj të titulluar “EKSKLUZIVE: VV siguron votat, pritet formimi i Qeverisë së re” dhe “Ekskluzive: Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve, “Kurti 3” do të ketë edhe një shans”. Përmbajtja me titullin e parë është publikuar nga mediumi “mitropol.net”, ndërsa teksti me titullin tjetër është publikuar nga “indeksonline.net”. Në të dy këta tituj pretendohet se Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar votat dhe ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën pritet të shqyrtohet formimi i qeverisë së re. Në titujt e të dy artikujve, pretendimi është paraqitur si një fakt. (këtu)
Janë publikuar përmbajtje me mbishkrimin që pretendojnë se nga janari paga minimale do të jetë 500 euro në Kosovë. Këto përmbajtje janë publikuar të enjten (30 tetor) në faqet në Facebook të mediave si “Istogu CHannel”, “Gazeta Imazhi”, “RTI”, “albinfo.ch” dhe në faqet e publikuesve si “Tetova Sot”, “Gazeta Fol Drejt” dhe “InfoShqip.com”. Të premten nga Qeveria në detyrë u vendos që paga minimale do të rritet nga 350 euro në 500 euro, por rritja do të bëhet në dy faza: nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale do të jetë 425 euro, kurse nga 1 korriku ajo do rritet në 500 euro. Pra raportimi i një dite më parë qe bërë pa verifikim me palën e cila ka marrë vendimin. (këtu)
Dezinformatë
Nëpërmjet një artikulli të publikuar nga “albaniannews.net” është pretenduar pa fakte se te votuesit e PDK-së në Fushë-Kosovë ka pakënaqësi për marrëveshjen me LDK-në për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë. Pretendimi mori për bazë një “sondazh” nga faqja “Fushë Kosova Portal” në Facebook. Por ky “sondazh” nuk përmbush kriteret për t’u cilësuar si i tillë. Aty nuk janë përdorur metoda statistikore për të konstatuar se bëhet fjalë që vetëm votuesit e PDK-së në Fushë-Kosovë kanë marrë pjesë në matjen e pretenduar të opinionit. (këtu)
Lajm i rremë
Nëpërmjet një publikimi në Facebook, llogaria “Halil Geci” ka pretenduar rrejshëm se grupi i cili akuzohet se ka kryer sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ka dalë me një deklaratë në të cilën ka thënë se ka vepruar me porosi të opozitës kosovare. Publikimi nuk bazohet në asnjë fakt. Hibrid.info ka verifikuar përmes makinave online të kërkimit dhe nuk ka hasur ndonjë deklaratë të tillë të publikuar në ndonjë burim kredibil. Publikimi i ngjashëm si i llogarisë “Halil Geci” është hasur në disa llogari të tjera në Facebook e TikTok më herët. (këtu)



