[email protected]
Rishikimi i javës: Teori konspirative lidhur me atentatin ndaj Trumpit, dezinformata për vrasjen e policit në Serbi
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, dezinformatat janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Dezinformatat u publikuan në median sociale Facebook nga faqe në gjuhën shqipe dhe media në gjuhën serbe. Në facebook u publikuan një tentim manipulimi me një fotografi që shfaq një rrugë me gropa e të cilat janë mbushur me tulla të kuqe e kubëza betoni, që pretendohet se fotografia është shkrepur në rrugën Gjilan – Kllokot.; si dhe faqja “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë” në Facebook, aluduan se Komuna e Prishtinës ka publikuar listën e fëmijëve të pranuar në institucionet parashkollore, pa e publikuar paraprakisht konkursin. Ndërsa, në përmbajtjen në gjuhën serbe, është publikuar pretendimi i rremë se Faton Hajrizin, të dyshuarin për vrasjen e një polici, e ka dërguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të krijuar kaos në Serbi; si dhe pretendimi i pabazë i Petar Petkoviq nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë,  se Kurti e Prishtina zyrtare kanë anuluar ngjarje zyrtare në shenjë zie dhe nderim të qytetarit nga Kosova, që u vra (19 korrik) në Serbi nga policia e këtij shteti.

Artikujt clickbait u publikuan në media në gjuhën shqipe, ndërlidhur me raste tragjike për të cilat nuk bëhet e ditur në titull vendndodhja e ngjarjes; pretendimin në titull se Trump ka folur për Kosovën; si dhe pretendimin në titull se gjysmë milioni turistë britanikë mbërrijnë në Shqipëri.

Teoritë konspirative janë publikuar në media në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe faqe në media sociale. Në media në gjuhën shqipe u publikua pretendimi se seriali i animuar “The Simpsons” e ka parashikuar atentatin ndaj Donald Trump; mediume në gjuhën serbe e kanë paraqitur si “vazhdim të terrorit të Kurtit” aksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për t’i marrë nën posedim objektet që shfrytëzoheshin nga Banka Postare Kursimore në veri të Kosovës. Ndërsa në media sociale u publikua pretendimi se shpikësi Nikola Tesla është i gjallë.

Manipulim i fakteve është vlerësuar pretendimi në mediat serbe se brohoritja e futbollistit të Kombëtares së Spanjës, Rodrit “Gjibraltari është spanjoll”, gjatë festës në Madrid, pasi Spanja fitoi titullin e Kampionit Evropian në futboll, është “episod spanjoll” i thënies “Kosova është Serbi”.

Përmbajtja mashtruese është publikuar në media sociale në gjuhën serbe që pretendon se paraqet një njoftim zyrtar, në të cilin ofrohet mundësia që të aplikoni për të marrë informata rreth pensionit të dytë shtesë që ju takon, varësisht nga mosha qe e keni.

Clickbait/Dezinformatë është vlerësuar pretendimi se i është konfiskuar pompa e derivateve Milan Radojçiqit, gjatë konfiskimit të bërë në veri.

Përmbajtje të paverifikuar është vlerësuar fotografia e publikuar me pretendimin se një plumb e goditi në gjoks ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, gjatë atentatit që u bë ndaj tij me 13 korrik; si dhe se Artan Hajrizi, vëllai i Faton Hajrizit, të dyshuarit për vrasjen në Serbi, ishte arratisur nga burgu në Kosovë para 15 ditësh.

Clickbait

Është publikuar një artikull i titulluar “Disa të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një festë ditëlindjeje”. Përmbajtja është publikuar (14 korrik) në mediumin online në gjuhën shqipe “kosova-sot.info”. Vendndodhja e lajmit bëhet e ditur vetëm në hyrje të artikullit kur thuhet se “Katër persona, duke përfshirë edhe sulmuesin, u vranë të shtunën vonë, pasi një person hapi zjarr në një festë ditëlindjeje në një fshat në Francë”. (këtu)

“Trump FLET për Kosovën/ Nesër me fitoren do të…ja planet në tryezë”, mban titullin artikulli i publikuar nga mediumi online në gjuhën shqipe “ntv.al”. Ky artikull u publikua (18 korrik) edhe në faqen e mediumit të lartcekur në Facebook “Ntv Televizion”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është çorientues. Pas klikimit në vegëzën e artikull, vërehet se titulli nuk përputhet me përmbajtjen. Në përmbajtje të artikullit bëhet e ditur se kjo është vetëm një deklaratë e Jovana Radosavljeviç, drejtoreshë ekzekutive e nismës së re sociale në Serbi. Pra, në artikull nuk gjendet asnjë deklaratë e dhënë nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, për dhe rreth Kosovës. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në Facebook, është pretenduar se gjysmë milioni turistë britanikë mbërrijnë në Shqipëri e se kjo është konfirmuar nga ambasadori britanik. Publikimi është bërë nga faqja “Ntv Televizion” të premten (19 korrik). Po që se klikohet vegëza e publikuar në koment në postimin në Facebook, hapet një artikull i mediumit në gjuhën shqipe “ntv.al” që ka titull më ndryshe. Përderisa postimi në Facebook e paraqet si punë të kryer mbërritjen e 500 mijë turistëve nga Britania, në titullin në artikull thuhet se “Gjysmë milioni turistë britanikë pritet të vizitojnë Shqipërinë”. (këtu)

Teori konspirative

“E kishin parashikuar atentatin, Donald Trump i shpëton ‘mallkimit’ të Simpsons”, mban titullin një artikull. Kjo përmbajtje u publikua (14 korrik) nga portali informativ në gjuhën shqipe “newsbomb.al”, në të cilën shfaqet një fotografi e animuar e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i shtrirë në arkivol. Artikulli u publikua një ditë pasi Trump i mbijetoi një atentati të shtunën ndërsa po fliste në skenë me mbështetësit në Butler, Pensilvani. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se një pamje e tillë nuk është shfaqur asnjëherë në serialin e animuar “The Simpsons”. (këtu)

Nëpërmjet titujve në artikuj, tri mediume në gjuhën serbe e kanë paraqitur si “vazhdim të terrorit të Kurtit” aksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për t’i marrë nën posedim objektet që shfrytëzoheshin nga Banka Postare Kursimore në veri të Kosovës. Titujt e mediumeve në gjuhën serbe “novosti.rs”, “b92.net” dhe “alo.rs” nisin me “Nuk ka fund për terrorin e Kurtit”, “Vazhdon terrori i Kurtit në kosovë” e “Terrori i Kurtit në Leposaviq nuk ndalet”. Për pretendimin e bërë në tituj, asnjëri nga mediumet në fjalë nuk është mbështetur në fakte. (këtu)

Përmes disa imazheve pretendohet se shpikësi Nikola Tesla është i gjallë. Krahasimi është bërë përmes disa fotografive të Teslës dhe një personi të moshuar, duke aluduar se pamjet paraqesin personin e njëjtë. Postimi është shpërndarë (19 korrik) nga një llogari në gjuhën shqipe në Facebook me emrin “Blerta Pupi Mile”. Pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se personi i moshuar që shfaqet në imazh është një veteran amerikan i Luftës së Dytë Botërore. (këtu)

Manipulimi i fakteve

Brohoritja e futbollistit të Kombëtares së Spanjës, Rodrit “Gjibraltari është spanjoll”, gjatë festës në Madrid, pasi Spanja fitoi titullin e Kampionit Evropian në futboll, po pretendohet se është “episod spanjoll” i thënies “Kosova është Serbi”. Këtë pretendim e ka ngritur mediumi në gjuhën serbe “B92.net”, në një artikull të publikuar (16 korrik). Thirrjen “Gjibraltari është spanjoll” të bërë nga Rodri, mediumi në gjuhën serbe B92.net e ndërlidh pa fakte me, siç e quan, episodin spanjoll të “Kosova është Serbi”. (këtu)

Dezinformatë

Një tentim manipulimi me realitetin u tentua të bëhet me një fotografi që shfaq një rrugë me gropa e të cilat janë mbushur me tulla të kuqe e kubëza betoni. Përmes kësaj fotografie, pretendohet se fotografia është shkrepur në rrugën Gjilan – Kllokot. “Mërgimtarë të dashur të Gjilanit dhe anamoravës, kujdes gjatë vozitjes, në rrugën Gjilan – Kllokot se kjo është gjendja e saj pas asfalltimit para 1 viti”, thuhet në përshkrimin e kësaj fotografie të publikuar në Facebook nga faqja “Drejt News”. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi nuk është shkrepur në rrugën që lidh Gjilanin dhe Kllokotin, por se fotografia është shkrepur në një rrugë në Rusi. (këtu)

Pretendohet se sipas njoftimeve në platformën online të Komunës së Prishinës “prishtinaonline.com” nuk ka asnjë konkurs për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore për vitin 2024-2025. Ky pretendim u ngrit nga faqja “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë” në Facebook, duke aluduar se Komuna e Prishtinës ka publikuar listën e fëmijëve të pranuar në institucionet parashkollore, pa e publikuar paraprakisht konkursin. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi i ngritur nga faqja e lartcekur nuk qëndron. Kjo për faktin se në platformën “prishtinaonline.com” gjendet i publikuar konkursi me datë 3 qershor. (këtu)

Në mëngjesin e së enjtes (18 korrik) në Lloznicë të Serbisë është vrarë një polic i këtij shteti, dhe dyshohet se në të ka shtënë me armë zjarri Faton Hajrizi, i cili dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës. Mediumi në gjuhën serbe, “Srpski telegraf” ka publikuar artikull me pretendimin në titull se “Kurti dërgoi një terrorist për të krijuar kaos në Serbi!” Edhe pse dyshohet se Faton Hajrizi e ka vrarë policin, pretendimi se ai është dërguar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të krijuar kaos në Serbi, është i pabazë. (këtu)

Pretendohet se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Prishtina zyrtare kanë manifestuar për dorasin nga Kosova, Faton Hajrizi, i cili dyshohet se vrau një zyrtar policor në Serbi. Ky pretendim u bë nga Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Petkoviq ka pretenduar rrejshëm se Kurti e Prishtina zyrtare kanë anuluar ngjarje zyrtare në shenjë zie dhe nderim të qytetarit nga Kosova, që u vra (19 korrik) në Serbi nga policia e këtij shteti. Pas kontrollit të fakteve, del se ky pretendim nuk qëndron. Ishte kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, i cili përmes një njoftimi ka bërë të ditur se si shenjë nderimi për familjen e të vrarit që ishte nga komuna e Skënderajt, është anuluar mbrëmja muzikore e paraparë të mbahej (19 korrik). (këtu)

Mashtrim

Publikohet një përmbajtje në gjuhën serbe që pretendon se paraqet një njoftim zyrtar, në të cilin ofrohet mundësia që të aplikoni për të marrë informata rreth pensionit të dytë shtesë që ju takon, varësisht nga mosha qe e keni. Vegëza në formë imazhi, të cilës i është vendosur edhe logoja e Republikës së Kosovës, është publikuar sot (16 korrik), si përmbajtje e sponsorizuar nga një faqe me emrin “Ezra Hernandez” në Facebook. Hibrid.info ka gjetur se përveç pensioneve që janë të rregulluara me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, në Kosovë nuk ekziston mundësia për pension të dytë. Hibrid.info ka trajtuar në disa raste përmbajtje të tilla të sponsorizuara, të cilat janë vlerësuar si mashtrime. Është hera e parë që hibrid.info ka hasur në një përmbajtje të tillë në gjuhën serbe, që publikohet në emër të insitucioneve të Republikës së Kosovës. (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Publikohet një artikull i titulluar “I konfiskohet pompa e derivateve Milan Radojçiqit”. Ky tekst është publikuar (16 korrik) nga portali i agjencisë së lajmeve “KosovaPress.com”. Sipas konfirmimeve nga institucionet zyrtare shtetërore, dje i është ndërprerë veprimtaria tre pompave të derivateve në dy komuna të veriut (1 në Mitrovicë të Veriut dhe 2 në Zubin Potok), të cilave iu mungonte licenca. Nga njoftimet zyrtare, asnjëherë nuk është thënë se njëra nga to i përket ish-nënkryetarit të Listës serbe, Milan Radoiçiqit dhe as që të njëjtat janë konfiskuar. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Përmes një fotografie pretendohet se një plumb e goditi në gjoks ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, gjatë atentatit që u bë ndaj tij me 13 korrik. Pretendimi u bë nga faqja e televizionit shqiptar NTV në Facebook “Ntv television”. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia nuk tregon vrimën e plumbit pranë gjoksit të Trumpit. Fotografia autentike tregon se ajo pjesë afër gjoksit të Trumpit është palosje e xhaketës së njërit nga agjentët e Shërbimit Sekret të ShBA-së. (këtu)

Është publikuar një artikull që pretendon se Artan Hajrizi, i dyshuar për vrasjen e një polici serb në Serbi, ishte arratisur nga burgu në Kosovë para 15 ditësh. Lajmi është publikuar sot (18 korrik) nga mediumi në gjuhën serbe, “kurir.rs”. Artan Hajrizi nuk u arratis nga burgu në Kosovë. Mediat në Kosovë kanë raportuar se i njëjti është vëllai i Faton Hajrizit, për të cilin u njoftua me 6 korrik se u arratis nga burgu i Smrekonicës në Kosovë. (këtu)

Share With Others

Translate »