Përgatiti: Festim Rizanaj
Monitorimi tregon se në javën e fundit, dezinformatat kanë dominuar çrregullimin informativ në mediat tradicionale dhe sociale.
Gjatë ditëve të fundit, një sërë pretendimesh të rreme janë shpërndarë në platforma të ndryshme online. Në TikTok u publikua një fotografi ku thuhej se Josip Broz Tito shihej së bashku me babain e Ivica Daçiqit dhe babain e Albin Kurtit, por verifikimi i hibrid.info e vërtetoi se bëhej fjalë për figura të tjera historike nga Kosova, mes tyre Xhavit Nimani dhe Ramë Kapllan Nikçi. Në një rast tjetër, media serbe Informer.rs prezantoi Mefail Shkodrën si “mik të ngushtë” të udhëheqësve kosovarë, duke e lidhur me krime të supozuara, por pa ofruar fakte që mbështesin këto pretendime. Po ashtu, portalet serbe B92.net dhe Objektiv.rs raportuan për arrestimin e një serbi në Prishtinë si i dyshuar për krime lufte, ndërkohë që verifikimi faktoi se personi i arrestuar ishte shqiptari Ramadan Morina. Mediumi NIN.rs po ashtu raportoi gabimisht se dy ish-pjesëtarë të UÇK-së ishin arrestuar në kufirin Horgosh, ndërsa në realitet njoftimi zyrtar i MPB-së së Serbisë tregonte se të arrestuarit dyshoheshin për bashkëpunim në krime lufte me pjesëtarë të UÇK-së. Ndërkohë, në Facebook u shpërndanë pretendime të rreme për rritjen e rasteve me HIV/AIDS në Kosovë, duke u thënë se vetëm këtë vit ishin identifikuar 90 raste dhe po trajtoheshin 100 pacientë. Verifikimi i hibrid.info, bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, konfirmoi se numri real ishte 19 raste të reja në vitin 2025, ndërsa që nga viti 1986 janë regjistruar gjithsej 234 raste, prej të cilave 53 kanë përfunduar me vdekje.
Lajm i rremë u publikua në Facebook më 11 gusht, ku pretendohej se ish-boksieri kosovar Aziz Salihu kishte vdekur. Fillimisht u shpërnda nga “Vatani News” e më pas nga “kosova.info”, por u demantua nga vajza e tij, Monika Salihu, e cila në Instagram e quajti lajmin “gënjeshtër”.
Manipulim i fakteve / Dezinformatë u publikua në albania.news-pravda.com, ku pretendohej se një shqiptar kishte vënë zjarr një manastiri serb në veri të Mitrovicës. Verifikimi nga hibrid.info tregoi se rasti lidhej me një zjarrvënie në lagjen “Kodra e Minatorëve” më 26 korrik 2025, pa motiv etnik dhe pa përfshirë ndonjë manastir.
Mashtrimi u publikua në Facebook nga faqja “ЕТС – ????͏͏о????͏͏о????͏͏о” dhe lidhej me ofertën e një frigoriferi të vogël për 2 euro, duke kërkuar plotësimin e një ankete dhe dhënien e të dhënave personale.
Përmbajtja e paverifikuar u publikua në Facebook dhe lidhej me pretendime për furnizimin e Kosovës nga Turqia me automjete ushtarake “BMC Vuran”, për të cilat nuk ka konfirmim zyrtar.
Lajm i rremë
Më 11 gusht, në Facebook është publikuar një pretendim i rremë se ish-boksieri kosovar Aziz Salihu ka vdekur. Lajmi u shpërnda fillimisht nga faqja “Vatani News” dhe më pas edhe nga “kosova.info”. Pretendimi u demantua nga vajza e tij, Monika Salihu, përmes një postimi në Instagram, ku e quajti lajmin “gënjeshtër”. Postimi në Facebook kishte mbledhur mbi 1 mijë reagime dhe mbi 3 mijë komente deri në momentin e verifikimit nga hibrid.info. (këtu)
Dezinformatë
Në TikTok u publikua një fotografi ku pretendohej se Josip Broz Tito shfaqej me babain e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe babain e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Verifikimi i hibrid.info vërtetoi se personat në foto janë figura të tjera historike nga Kosova, mes tyre Xhavit Nimani dhe Ramë Kapllan Nikçi. (këtu)
Media serbe ka prezantuar Mefail Shkodrën si “mik të ngushtë” të përfaqësuesve qeveritarë, duke iu referuar disa fotografive ku ai shihet pranë kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit në detyrë Xhelal Sveçla. Në artikullin e publikuar në Informer.rs, Shkodra përshkruhet si një kriminel i njohur dhe funksionar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili dyshohet se më 10 gusht 2025 ka vrarë tre persona në Gjilan dhe më pas është arratisur. Megjithatë, pretendimi i medias serbe nuk qëndron, pasi nuk ofrohen fakte që lidhin udhëheqësit kosovarë me veprimet kriminale të Shkodrës. (këtu)
Më 12 gusht, portalet serbe “B92.net” dhe “Objektiv.rs” raportuan se në Prishtinë ishte arrestuar një serb i dyshuar për krime lufte. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i pavërtetë. I arrestuari raportohet se është shqiptar, emri i të cilit është Ramadan Morina. Ky person u arrestua në Prishtinë të martën (12 gusht) si i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999. (këtu)
Më 14 gusht, mediumi serb “NIN.rs” raportoi se policia serbe kishte arrestuar dy ish-pjesëtarë të UÇK-së në pikën kufitare Horgosh, si të dyshuar për krime lufte. Pas verifikimit nga Hibrid.info, u konstatua se pretendimi nuk është i vërtetë. Sipas njoftimit zyrtar të MPB-së së Serbisë, dy personat e arrestuar dyshohen se kanë kryer krime lufte në bashkëpunim me pjesëtarë të UÇK-së. (këtu)
U pretendua nga faqet në Facebook se në këtë vit janë identifikuar 90 raste me SIDA në Kosovë dhe se po trajtohen 100 pacientë. Pas verifikimit të fakteve, rezulton se ky pretendim është i rremë. IKSHPK raporton se gjatë këtij viti janë regjistruar vetëm 19 raste të reja me HIV/AIDS, dhe ky institut nuk jep informacione për numrin e pacientëve që po trajtohen. Në periudhën 1986–2025 janë regjistruar gjithsej 234 raste, nga të cilat 53 kanë përfunduar me vdekje si pasojë e AIDS-it. (këtu)
Manipulim i fakteve / Dezinformatë
Faqja albania.news-pravda.com, pjesë e rrjetit propagandistik rus Pravda, publikoi një video ku pretendohet se një shqiptar ka vënë zjarr një manastiri ortodoks serb në veri të Mitrovicës. Verifikimi nga hibrid.info tregon se videoja u publikua dy ditë pas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës (26 korrik 2025) për një rast zjarrvënës në lagjen “Kodra e Minatorëve”. Policia nuk ka raportuar motiv etnik apo ndëretnik dhe nuk ka përmendur ndonjë manastir. (këtu)
Mashtrim
Një faqe në Facebook me emrin “ЕТС – ????͏͏о????͏͏о????͏͏о” ka publikuar një postim mashtrues, duke pretenduar se ofron frigorifer të vogël për 2 euro në këmbim të plotësimit të një ankete dhe dhënies së të dhënave personale. Pas verifikimit nga Hibrid.info, u konstatua se kjo faqe nuk është e lidhur me rrjetin e marketeve ETC në Kosovë dhe linku i postuar dërgon në faqe të rreme (“giftloom.website” dhe “chillingsummer.lat”) të regjistruara jashtë vendit. Sipas analizës nga “Scamdoc.com”, të dyja faqet janë të dyshimta dhe kanë qëllim mashtrimi për mbledhjen e të dhënave dhe pagesave online. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Më 13 gusht në Facebook u publikuan pretendime se Kosova është furnizuar nga Turqia me 33 automjete ushtarake “BMC Vuran” dhe se 27 të tjera pritet të vijnë deri në fund të vitit. Postimet u shpërndanë nga disa faqe, por nuk ka asnjë njoftim zyrtar apo burim kredibil që e konfirmon këtë. Sipas të dhënave të verifikuara, dihet vetëm se në korrik 2021 Kosova ka nënshkruar kontratë me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve të blinduara “Vuran” dhe “KIRPI”, dhe se në prill 2024 ministri i Mbrojtjes ka konfirmuar praninë e disa automjeteve “Vuran” me mortaja 120 mm, pa dhënë shifra. (këtu)