Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës së fundit (29 shtator–5 tetor 2025), monitorimi ka treguar se hapësira keqinformuese dhe ajo në rrjete sociale është mbizotëruar nga lajme të rreme dhe përmbajtje dezinformuese.
Në Facebook u publikuan dy lajme të rreme lidhur me sondazhe zgjedhore. Llogaria “Qoka-al” shpërndau një “sondazh” për Mitrovicën e Jugut pa burim apo metodologji të qartë, ndërsa “Shadervani” pretendoi gabimisht se një kompani amerikane kishte realizuar sondazh për Prizrenin – pretendim që Hibrid.info e verifikoi si të pavërtetë.
Gjatë javës u identifikuan edhe raste të dezinformimit në Facebook dhe në media serbe. Faqja “Anamorava Lajm” publikoi më 29 shtator një “anketim” të supozuar në Viti, duke pretenduar se kishte anketuar 1305 qytetarë, por pa ofruar të dhëna për metodologjinë apo periudhën e zhvillimit, çka e bën sondazhin të pabesueshëm. Ndërkohë, mediat serbe shpërndanë pretendime të rreme se Albin Kurti po përgatit fshehurazi një sulm ndaj serbëve, duke e lidhur me stërvitjet e FSK-së për snajperistë. Këto artikuj nuk ofruan asnjë fakt konkret, ndërsa FSK-ja sqaroi se trajnimet kishin qëllim vetëm ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Në grupin “Kosova me Albin Kurtin” në Facebook u publikua një postim manipulues, ku pretendohej se Imer Mushkolaj kishte shpërndarë fotografinë e kryetarëve të Prishtinës dhe Pejës, duke i kritikuar për mosrealizimin e premtimeve të tyre. Pas verifikimit u konstatua se Mushkolaj nuk kishte publikuar fotografinë e përmendur dhe nuk kishte specifikuar emra në shkrimin e tij.
Përmbajtjet e paverifikuara janë shpërndarë në rrjetin social Facebook, ku u publikuan fotografi të snajperistëve të kamufluar me pretendimin se bëhet fjalë për pjesëtarë të FSK-së. Fillimisht, ato u publikuan më 25 shtator nga faqja “Mitrovice Qyteti im”, e më pas më 27 shtator nga “Mendim.al” dhe “Prishtina News”. Megjithatë, verifikimi i Hibrid.info ka treguar se fotografitë nuk paraqesin pjesëtarë të FSK-së.
Clickbait është vërejtur në artikullin e mediumit “botasot.info” me titullin “Baton Haxhiu sulmon Kurtin: Narrativa e tij është në linjën e Serbisë”. Pjesa pas dy pikave u interpretua gabimisht si citim i Haxhiut, ndonëse ishte interpretim i autorit, duke e bërë titullin të paqartë dhe me qëllim nxitjeje të klikimeve.
Manipulim i fakteve
Në grupin me emrin “Kosova me Albin Kurtin” në Facebook, llogaria me të njëjtin emër ka pretenduar se opinionisti Imer Mushkolaj ka publikuar fotografinë e kryetarëve të Prishtinës dhe Pejës, shoqëruar me një kritikë për premtimet e disa kryetarëve që, sipas tij, nuk i kanë kryer punët në mandatet e tyre e tash kërkojnë edhe një mandat. Megjithatë, pas verifikimit është konstatuar se Mushkolaj, në shkrimin në fjalë nuk e ka specifikuar për kënd e ka fjalën dhe nuk e ka publikuar fotografinë e pretenduar. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Janë publikuar fotografi ku shfaqen snajperistë të kamufluar me rroba të posaçme që i bëjnë të përzihen me mjedisin, me mbishkrimin që pretendon se bëhet fjalë për snajperistë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së). Fillimisht kjo përmbajtje me këtë pretendim është publikuar të enjten (25 shtator ) nga një faqe në Facebook me emrin “Mitrovice Qyteti im”. Pastaj ajo është publikuar të shtunën (27 shtator) nga faqet “Mendim.al” dhe “Prishtina News”. Hibrid.info ka gjetur se fotografitë me të cilat është publikuar pretendimi, nuk paraqesin snajperistë të FSK-së. (këtu)
Dezinformatë
Përmes një postimi të publikuar më 29 shtator, faqja në Facebook “Anamorava Lajm” pretendoi se kishte realizuar një anketim në terren në 19 lokalitete të komunës së Vitisë, me pjesëmarrjen e 1305 qytetarëve, nga i cili u publikuan rezultatet e një sondazhi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Megjithatë, “Anamorava Lajm” është vetëm një faqe në Facebook dhe nuk përfaqëson ndonjë institucion të specializuar për anketime, gjithnjë sipas asaj që Hibrid.info ka arritur të gjejë përmes kërkimit online. Përveç kësaj, nuk jepen të dhëna të qarta mbi kohën kur është realizuar anketa dhe periudhën e matjes gjë që e bën këtë sondazh të dyshimtë dhe jo kredibil. (këtu)
Artikujt e mediave serbe pretenduan se Albin Kurti po përgatit fshehurazi një sulm ndaj serbëve në Kosovë, duke lidhur këtë me stërvitjet e FSK-së për snajperistë dhe përdorimin e pajisjeve moderne. Artikujt e mediave serbe nuk ofrojnë asnjë fakt për të mbështetur këto akuza, duke e bërë pretendimin spekulim të pabazuar dhe pjesë të një narrative propagandistike. Megjithatë, sipas faqes zyrtare të FSK-së në Facebook, këto trajnime kanë për qëllim vetëm ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe certifikimin e pjesëtarëve si snajperistë profesionalë, pa asnjë lidhje me sulme ndaj komuniteteve të caktuara. (këtu)
Lajm i rremë
Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin se paraqet një sondazh për mbështetjen qytetare për kandidatët për kryetar komune në Mitrovicën e Jugut. Ky postim është publikuar të hënën (29 shtator) nga një llogari në Facebook me emrin “Qoka-al”. Hibrid.info ka vërejtur se nuk është e qartë se cili institucion i specializuar për anketime e ka realizuar sondazhin, ndërsa këtij të fundit i mungojnë të dhënat mbi metodologjinë dhe periudhën e zhvillimit të matjeve. (këtu)
Llogaria “Shadervani” në Facebook ka pretenduar rrejshëm se një sondazh për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, është kryer nga një kompani prestigjioze amerikane. Hibrid.info ka verifikuar online dhe nuk ka gjetur se ekziston një kompani amerikane me këtë emër apo akronim, e që merret me matje të opinionit publik. Po ashtu, raportimi për sondazh për kryetar të komunës së Prizrenit nuk është gjetur në asnjë medie kredibile. (këtu)
Clickbait
Mediumi online “botasot.info” publikoi artikullin me titullin “Baton Haxhiu sulmon Kurtin: Narrativa e tij është në linjën e Serbisë”. Titulli ka krijuar paqartësi, për shkak të interpretimit të mundshëm të pjesës pas dy pikave (:) në titull nga lexuesit. Bazuar në mënyrën si është strukturuar titulli dhe për shkak të mungesës së qartësisë, lexuesit në Facebook duket se kanë interpretuar frazën pas dy pikave si citim të Haxhiut. Por, pjesa pas dy pikave ishte interpretim i autorit për deklaratat e Haxhiut dhe jo citim i drejtpërdrejtë i tij. Artikulli është publikuar si lajm, ku zakonisht shmangen interpretimet dhe vlerësimet subjektive. (këtu)



