Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë monitorimit të mediave dhe rrjeteve sociale gjatë javës së kaluar, është konstatuar se kanë dominuar manipulimi i fakteve/dezinformatë dhe titujt clickbait.
Manipulimi i fakteve dhe dezinformatat janë publikuar kryesisht në rrjetet sociale dhe portale online. Një rast i tillë u identifikua më 6 maj në Facebook, ku faqja “Fleta Press” publikoi një postim me pretendimin se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kishte deklaruar: “Votuesit të qëndrojnë të qetë, nuk i tradhtoj, do të bashkëqeverisim me PDK”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se kjo deklaratë nuk është bërë nga Abdixhiku dhe përbën një manipulim të qartë të fakteve. Po ashtu, më 6 maj, portali në gjuhën shqipe që operon në Zvicër “Lecanton27.ch” publikoi një artikull ku pretendohej se Shqipëria i paguan punëtorët më së paku në botë, duke u bazuar kinse në një raport ndërkombëtar për pagat mesatare. Edhe ky pretendim u demantua nga hibrid.info, pasi rezultoi të jetë i pasaktë dhe pa mbështetje faktike.
Artikuj me tituj clickbait, të cilët paraqesin informacionin në mënyrë të ekzagjeruar apo të çorientuar, duke mashtruar lexuesin për përmbajtjen reale. Një prej tyre është artikulli i publikuar më 6 maj nga mediumi “Nacionale.com” me titullin “Matjet e fundit: VV-ja bie 5%, PDK-ja rritet”, ku informacioni i paraqitur në titull ishte bazuar vetëm në një deklaratë të një moderatori, por ishte prezantuar si fakt i konfirmuar. Një tjetër rast u evidentua më 8 maj në kanalin e “NTV Televizion” në YouTube, ku u publikua një video me titullin “Zjarr i ri në politikën kosovare – gushti ose shtatori vendosin fatin e qeverisë”. Nga analiza e përmbajtjes, u vërtetua se bëhej fjalë për një mendim personal lidhur me kohën e mundshme të zgjedhjeve dhe jo për një vendim të marrë apo fakt të konfirmuar, çka e bën titullin të jetë çorientues dhe tipik për përmbajtje të llojit clickbait.
Gjatë javës së kaluar është evidentuar edhe një rast i shpërndarjes së informacionit të gabuar nga disa media online në gjuhën shqipe. Më 4 maj, disa media online në gjuhën shqipe raportuan gabimisht se Prishtina ishte ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë. Verifikimi i fakteve tregoi se, në të vërtetë, ajo ishte ndër qytetet me ajrin më të pastër atë ditë.
Gjatë javës së kaluar është shpërndarë një lajm i rremë që pretendon se Milan Radoiçiq ka deklaruar për mediat serbe se është në koordinim me opozitën në Kosovë dhe ka kërkuar amnesti për grupin e përfshirë në sulmin në Banjskë, në këmbim të votës së Listës Serbe për një qeveri të përbërë nga PDK, LDK dhe AAK. Ky pretendim, për të cilin nuk ka asnjë burim të verifikueshëm, u publikua fillimisht më 15 prill në Facebook nga Fadil Pushkolli, kryeredaktor i “KosovaPost.net”, dhe u shpërnda sërish më 7 maj nga një tjetër llogari në Facebook me emrin “Gani Osmani”.
Gabim
Disa media online në gjuhën shqipe raportuan dje (4 maj) se Prishtina është në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Artikulli me këtë pretendim u publikuar nga portalet informative si, “Infosot.com”, “Gazeta10.com”, “Gazetainfokus.com”, “Kosovapost.net”, “Demokracia.com”, “Frontonline.net” dhe “Arbresh.info”. Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se pretendimi është i pasaktë. Prishtina dje (4 maj) ishte në mesin e qyteteve me ajrin më të pastër në botë. (këtu)
Clickbait
Është publikuar një artikull i titulluar, “Matjet e fundit: VV-ja bie 5%, PDK-ja rritet”. Artikulli është publikuar (6 maj) nga mediumi, “Nacionale.com”. Informacioni ka ardhur si deklaratë e një moderatori, ndërsa në titull është paraqitursi fakt i konfirmuar. (këtu)
Publikohet një video-material me titullin “Zjarr i ri në politikën kosovare – gushti ose shtatori vendosin fatin e qeverisë”. Kjo përmbajtje është publikuar (8 maj) në kanalin e mediumit “NTV Televizion” në Youtube. Hibrid.info gjeti në përmbajtje, se kemi të bëjmë me një mendim personal mbi kohën e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe situatës aktuale politike të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, gjë e cila mund të bëjë titullin çorientues në këtë rast. (këtu)
Manipulim i fakteve/Dezinformatë
Përmes një postimi të publikuar në Facebook pretendohet se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se “Votuesit të qëndrojnë të qetë, nuk i tradhtoj, do të bashkëqeverisim me PDK”. Postimi me këtë pretendim u publikua dje (6 maj) në Facebook nga faqja “Fleta Press”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo deklaratë nuk është thënë nga Abdixhiku. (këtu)
Përmes një artikulli të publikuar pretendohet se sipas një raporti ndërkombëtar me listën e vendeve me pagat mesatare në mbarë botën, Zvicra prin me pagat më të larta në botë, ndërsa “Shqipëria i paguan punëtorët më së paku”. Ky artikull u publikua me 6 maj nga portali në gjuhën shqipe që operon në Zvicër “Lecanton27.ch”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info u vërtetua se pretendimi për Shqipërinë është i pasaktë. (këtu)
Lajm i rremë
Publikohet një fotografi ku shihet Milan Radoiçiq, i akuzuari kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, me pretendimin se ai për mediat serbe ka deklaruar se janë vazhdimisht në koordinim me opozitën në Kosovë, dhe kanë kërkuar amnestinë për grupin e akuzuar për sulmin e armatosur, me kushtin që Lista Serbe ta votojë një qeverinë të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Postimi me këtë pretendim është publikuar më 15 prill në llogarinë në Facebook të Fadil Pushkollit, kryeredaktor në mediumin “KosovaPost.net”. I njëjti pretendim është gjetur i publikuar dje (7 maj) nga një tjetër llogari në Facebook, me emrin “Gani Osmani”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim të verifikueshëm për deklarimin e pretenduar. (këtu)