Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një fotografi me mbishkrimin që pretendon se James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorisë, gjatë dëshmisë në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, ka pranuar se ka marrë 52 mijë dollarë në muaj, për dy vjet rresht, gjatë viteve 2018-2020, me para të buxhetit të Kosovës, që të lobohet për ndarjen e Kosovës.
Kjo përmbajtje është publikuar më 5 nëntor nga llogaria në Facebook me emrin “Ibrahim-Miran Kelmendi”.
E vërteta?
Hibrid.info gjeti se një deklaratë e tillë nuk është thënë nga Rubin.

Së pari ky pretendim është hasur në një status të publikuar më 29 shtator nga llogaria në Facebook me emrin “Halil Geci” (shih këtu). Ky postim ka marrë mbi 400 pëlqime, mbi 100 komente dhe mbi 100 shpërndarje.
Në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selemi akuzohen për krime lufte dhe krime ndaj njerzimit, Rubin ishte i ftuar nga ekipi i Thaçit, si dëshmitar (shih këtu).
Hibrid.info hulumtoi dhe gjeti transkriptin e dëshmisë së tij në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (shih këtu, këtu dhe këtu).
Nga këto dokumente, është gjetur se Rubin është pyetur për punën e tij në Ballard Partners, firmë e specializuar e lobimit dhe se si puna e tij në këtë kompani mund të ndikojë në dëshminë e tij, marrë parasysh faktin që Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë me këtë firmë me qëllimin për të siguruar mbështetje ndërkombëtare në procesin e njohjeve, në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe për ta shtyrë përpara dialogun me Serbinë (shih këtu).
Në transkriptin e ditës së dytë së dëshmisë së Rubin nga faqja e 50-të, pika 17-të deri në pikën e dytë të faqes 56, mund të lexohet se Rubin ka pranuar se ka ekzistuar kontrata ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Ballard Partners me vlerë 52 mijë euro, por ka mohuar pretendimin se kjo gjë mund të ndikojë në dëshminë e tij (shih këtu).
Nga kjo transkriptë nuk vërtetohet se Rubin ka dhënë deklaratë për lobim të “ndarjes së Kosovës”.
Analiza:
Pretendimi se James Rubin në dëshminë e tij në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit, ka pranuar se është paguar nga ky i fundit 52 mijë dollarë në muaj që të lobohet për ndarjen e Kosovës, nuk është i saktë.
Rubin ka pranuar se ishte nënshkruar një kontratë në mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë se lobimit ku ai kishte punuar, gjatë kohës sa ishte president Thaçi, por ai ka mohuar se ky fakt të ketë ndikuar në dëshminë e tij.
Rubin nuk ka përmendur çështjen e lobimit për “ndarjen e Kosovës”.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.



