info@hibrid.info
Shifra të pasakta të aplikimeve për studentë në UP
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohen artikuj ku pretendohet se në konkursin për studentë të rinj në Universitetin e Prishtinës (UP), për 5 mijë e 723 vende, kanë kandiduar vetëm 3 mijë e 398 të rinj.

Pretendimi është publikuar të shtunën (12 korrik), fillimisht në artikullin e portalit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), bazuar në deklaratën e prorektores për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në UP, Majlinda Gjelaj, në një intervistë për Radio Kosovën.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur artikuj në të cilat sqarohet se shifrat e paraqitura nga Gjelaj ishin të pasakta.

Pretendimi i njëjtë më pas është hasur në artikujt e publikuar nga mediat si “TëVë1”, “Paparaci.com” dhe “Kosova.info”.

Hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar në mediumin “Koha.net”, të titulluar “UP-ja sqaron shifrat, thotë se nuk ka më pak aplikime sesa vende për studentët e rinj”.

Bazuar në reagimin e Bekim Muhaxherit, këshilltar për komunikim me publikun i rektorit të Universitetit të Prishtinës, në artikullin e “Koha.net”, raportohet se shifrat e paraqitura nga prorektorja Gjelaj janë të gabuara.

Sipas këtij sqarimi, në nivel bachelor kanë konkurruar 6,563 kandidatë për studentë, kurse në nivelin master 2,025 kandidatë.

Të tjera të dhëna të paraqitura gabimisht në artikullin e portalit të RTK-së ishin edhe numri i aplikimeve në programet e Fizikës, Kimisë dhe të Biologjisë.

Fillimisht, artikulli i RTK-së, ku tregoheshin të dhënat për aplikimet në konkursin e studentëve të rinj për vitin e ri akademik 2025/26, mbante titullin “Në programin e Fizikës në UP për 80 studentë, kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë”.

Por, më pas titulli i këtij artikulli u ndryshua nga ky medium.

Artikujt me të njëjtin titull u gjetën të publikuar nga mediat si: “zëri.info” dhe “kosova.info”. Në përmbajtje, në bazë të deklaratës se Gjelajt, u pretendua se, “Në degën e Fizikës, për 80 studentë kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë, në Kimi, për 60 studentë kanë aplikuar vetëm 3 kandidatë, në Biologji, për 45 studentë, kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë”.

Por, në dokumentet zyrtare të aplikimeve për këto programe të publikuara në faqen e UP-së, është vërtetuar se në Fizikë ka pasur 20, në Kimi 13 dhe në Biologji 35 aplikime për studentë të rinj (shih këtu, këtu dhe këtu).

Analiza:

Pretendimi se në konkursin për studentë të rinj në Universitetin e Prishtinës kanë kandiduar vetëm 3 mijë e 398 të rinj nuk është i saktë.

Sipas të dhënave zyrtare të UP-së, kanë konkurruar gjithsej 6,563 kandidatë në nivelin bachelor dhe 2,025 në nivelin master.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Përmbajtje e paverfikuar”

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others