Disa portale në gjuhën shqipe kanë publikuar dje (28 shkurt) një artikull me titull “Samiti në Tiranë, Zelensky: Do të diskutojmë edhe për çështjen e Kosovës”.
Këto media iu kanë referuar një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter).
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se llogarisë që iu kanë referuar mediat, përdorët kryesisht shpërndarje të përmbajteve satirike, duke pretenduar se është llogari e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky “Volodymyr Zelensky, President of Ukraine (parody)”.
Pra, kjo deklaratë nuk është bërë nga ndonjë llogari zyrtare e presidentit ukrainas.
Vegëza e postimit të publikuar nga mediat online në gjuhën shqipe si “Paparaci.com”, “KosovaPress.com” e “Alsat.mk”:
https://paparaci.com/409219/samiti-ne-tirane-zelensky-do-te-diskutojme-edhe-per-ceshtjen-e-kosoves/
Vegëza e postimit në X (ish-Twitter) e publikuar nga llogaria parodike “Volodymyr Zelensky, President of Ukraine (parody)”:
Postimi i publikuar nga llogaria parodike “Volodymyr Zelensky, President of Ukraine (parody)”, i përkthyer në shqip:
Jam i lumtur që takohem me Ministrin e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë @IgliHasani!
Ne do të diskutojmë çështjen e Krimesë, #Kosovës dhe mbështetjen për Ukrainën. #Shqipëria është një vend i pasur, ndaj shpresoj në pjesëmarrjen e saj financiare në forcimin e demokracisë dhe lirisë!
Pra, nga vegëzat e mësipërme mund të shihet se disa media online në gjuhën shqipe e kanë përdorur këtë përmbajtje si të mirëqenë, pra duke synuar ta paraqesin si qëndrim zyrtar të presidentit Zelensky. Mirëpo, disa prej tyre, me të kuptuar origjinën dhe autenticitetin e këtij postimi, e kanë larguar artikullin me këtë pretendim.
“Paparaci.com” e ka larguar këtë postim, por hibrid.info ka arritur të sigurojë imazhin nga ky artikull i publikuar nga ky medium. (shih fotografinë më poshtë)
![](https://hibrid.info/wp-content/uploads/2024/02/3d1114d7-51a0-4b5e-b1e7-ab48b5ce9f66.jpg)
Ndërsa artikulli i publikuar nga “Kosovapress.com” duket se është fshirë, por që në vegëzën (link) ka mbetur titulli nga ky publikim. (shih fotografinë më poshtë)
![](https://hibrid.info/wp-content/uploads/2024/02/kp-1024x646.png)
Pre e kësaj llogarie përveç mediave, ka rënë edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, që e kanë bërë “repost” atë postim në X (ish-Twitter), e që më vonë duket se e kanë larguar. (shih fotografinë më poshtë)
![](https://hibrid.info/wp-content/uploads/2024/02/c2df858e-5277-42d0-8325-888cad62d9ff-632x1024.jpg)
Gjithashtu, edhe ekspertja për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Federica Woelk, duket se ka rënë pre e këtij postimi të bërë nga kjo llogari satirike, duke komentuar “Please for #Kosova recognize all the efforts this country has been doing”, e përkthyer në shqip “Ju lutemi për Kosovën që të njihni të gjitha përpjekjet që ka bërë ky vend”. (shih fotografinë më poshtë)
![](https://hibrid.info/wp-content/uploads/2024/02/000000000-1024x534.jpg)
Por çka ndodhi në fakt?
Zelensky aktualisht ëshë në vizitë në Shqipëri, në kuadër në samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore” që po mbahet në Tiranë.
Pra, postimi i këtij profili në median social X, ka ndodhur një ditë para kësaj ngjarjeje/takimi politik. Duke qenë në vigjilje të këtij momenti të rëndësishëm, ky postim (cicërimë), morri më shumë vëmendje dhe, bëri që akterë të rëndësishëm të bien pre e kësaj përmbajtje, duke mos e verifikuar origjinën/autenticitetin e saj, pra duke e konsideruar si një qëndrim zyrtar të presidentit Zelensky.
Megjithatë, pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve, hibrid.info sjellë agjendën zyrtare dhe ngjarjet e zhvillimet kryesore rreth këtij samiti të publikuar nga Radio Evropa e Lirë.
Gjithashtu, Hibrid.info ka hulumtuar në llogarinë zyrtare të Zelensky-t në X (ish-Twitter), që shihet se ai në asnjë nga postimet e tij të bëra për vizitën e tij në Shqipëri, nuk e ka përmendur Kosovën. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se disa media në gjuhën shqipe, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e ekspertja për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Federica Woelk, kanë rënë pre e një llogaria satirike që mban emrin e presidentit ukrainas.
Përmbajtja satirike u mor si e mirëqenë nga mediat, që disa prej tyre më pas e larguan artikullin.
Gjithashtu, edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë e largoi “repost-in” në X (ish-Twitter).
Ndërsa komenti i Federica Ëoelk, deri në shkrimin e këtij artikulli, ende gjendet i postuar në këtë llogari parodike.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë si “Satirë” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi i “Satirës” përfshinë përmbajtjet informative të cilat përdorin mjetet letrare si talljen dhe ironinë për të interpretuar zhvillimet e ndryshme që ndodhin. Kjo në vetë nuk përbën problem përderisa bëhet e ditur se përmbajtja në fjalë është satirike apo publikuesi njihet si publikues satirik. Qëllimi i përfshirjes së këtij vlerësimi në metodologji është të tregohet se ky lloj i përmbajtjes në situata ta caktuara merret e mirëqenë pa marrë parasysh faktin se është përmbajtje satirike. Pra në raste të tilla, nëse një tekst nuk arrin të sqaroj se ka përmbajtje satirike, mund te kuptohet si i vërtetë dhe, si rrjedhojë, mund të krijojë opinion të gabuar tek audienca.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.